BE me mbështetje për bankën e ushqimit: për të reduktuar hedhjen e ushqimeve - për të reduktuar urinë

BE-ja mbështet një aktivitet inovativ në Maqedoninë e Veriut: mbledhjen e ushqimit të tepërt nga prodhuesit, shpërndarësit, supermarketet dhe restorantet dhe shpërndarjen e tij për qytetarët e rrezikuar në aspekt social. BE-ja ndihmoi Bankën e ushqimit MK, organizatën bartëse të këtij aksioni human por edhe ekologjik (mbeturinat e ushqimit në deponitë çlirojnë sasi të madhe të metanit), për të zgjeruar bashkëpunimin me organizatat e tjera qytetare dhe qytetarët. Dhe për të rritur ndërgjegjësimin e publikut për këtë iniciativë përmes fushatave të ndryshme informuese, duke përfshirë edhe ata që krijojnë politika dhe angazhohen për ndryshimin e Ligjit për dhurimin e ushqimit të tepërt.

Për 12 vjet, Banka e ushqimit MK promovon përdorimin e ushqimit të tepërt në luftën kundër varfërisë në të gjithë vendin. Organizata, anëtare e Federatës Evropiane të bankave të ushqimit, deri më tani ka mbledhur mbi 2000 tonë ushqime dhe ua ka dorëzuar atyre në nevojë.

 Suksesi – dhe vizibiliteti – i Bankës është rritur ndjeshëm vitet e fundit, falë ndihmës së BE-së. Si rezultat i kësaj ndihme (nga 2018 në 2021), fondi ushqimor i Bankës u rrit tre herë - nga 97 ton në vitin 2017 në 112 ton në vitin 2018, 257 ton në vitin 2019 dhe 280 ton vitin e kaluar. 18 organizata të tjera të shoqërisë civile iu bashkuan koalicionit informal të bankave të ushqimit. Banka ka punuar edhe me mijëra qytetarë, duke i motivuar ata të ndihmojnë.

 “Falë ndihmës së BE-së, organizatat më të mëdha dhe më të vogla kanë treguar se mund të bashkohen, të mësojnë, të shkëmbejnë njohuri dhe të frymëzojnë njëri-tjetrin për të njëjtin qëllim – një sistem më të mirë të ndihmës ushqimore. Veçanërisht komunat janë treguar të hapura për të mësuar se si të përmirësohet ai sistem. Të rinjtë janë veçanërisht të interesuar për të mësuar, debatuar dhe të jenë vullnetarë për kauzën 'më pak humbje të ushqimeve - më pak uri”, thotë Dusko Hristov, themelues dhe menaxher i Bankës të ushqimit MK.

 Banka e ushqimit MK ka shtatë mbështetës të cilët rregullisht dhurojnë produkte ushqimore të cilat më pas u dërgohen njerëzve që kanë nevojë për to. Por edhe donacionet individuale janë në rritje – vetëm në gusht të këtij viti Banka ka marrë 20 telefonata nga qytetarë të cilët kanë vendosur të dhurojnë ushqim të tepërt nga takimet familjare.

Shkupi nuk është qendra e vetme e bankës të ushqimeve. Falë lobimit të “Eco Jetë” nga Kavadari, kjo komunë në vitin 2018 themeloi degën lokale të Bankës. Banka planifikon të zgjerojë rrjetin dhe madje të krijojë një federatë nacionale të bankave të ushqimeve.

 Aktualisht Banka ka 47 vullnetarë të cilët në mënyrë bujare ndihmojnë në ruajtjen, paketimin dhe shpërndarjen – pa ta Banka nuk do të mund të funksiononte. “Jemi të hapur për bashkëpunim me të gjithë ata që kanë dëshirë dhe mundësi të na ndihmojnë me aftësitë e tyre. “Vullnetarët e rinj mund të ofrojnë edhe projektet e tyre”, thotë Hristov.

 Megjithëse pandemia e Kovid-19 prishi planet e saj fillestare, Banka i përshtati aktivitetet e saj nevojave të momentit. Në maj 2021, nën moton #WeStandTogether, Banka shpërndau mbi 35 ton ushqime dhe produkte higjienike për 1620 familje (me mbi 5300 anëtarë) në 20 komuna në të gjithë vendin.