Shqipëria: Deklaratë e Përbashkët e Përfaqësueses së Lartë/Zëvendëspresidentes Kallas dhe Komisioneres Kos mbi zgjedhjet parlamentare

Të dielën, populli shqiptar ushtroi të drejtën e tij demokratike për të votuar, duke zgjedhur përfaqësuesit e vet në parlament. Përgëzojmë gjithë autoritetet kompetente që siguruan veprimtari të qetë në mbarë vendin. Këto zgjedhje shënuan gjithashtu futjen për herë të parë të votimit nga jashtë vendit.

Sipas gjetjeve dhe përfundimeve paraprake të Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të OSBE/ODIHR-it, zgjedhjet u menaxhuan përgjithësisht në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe transparente, dita e zgjedhjeve ishte e qetë dhe e organizuar mirë, pavarësisht disa mangësive.

Zgjedhjet në përgjithësi ishin konkurruese dhe u zhvilluan profesionalisht, dhe kandidatët përgjithësisht arritën të bënin fushatë lirisht, megjithëse disa raportuan përballje me kërcënime. Megjithatë, votimi u zhvillua në një mjedis shumë të polarizuar, në të cilin garuesit nuk gëzonin një fushë loje të barabartë. Për shkak të përdorimit të gjerë të burimeve administrative dhe ndikimit institucional, ndoshta shumica qeverisëse kishte një avantazh  pushteti. U bënë akuza të shumta për presion mbi votuesit, veçanërisht mbi punonjësit publikë. Përpjekjet e koordinuara për të hetuar dhe ndjekur penalisht krimet zgjedhore janë një zhvillim i mirëpritur dhe ndjekja e mëtejshme është e nevojshme për të trajtuar shqetësimet e vazhdueshme të keqpërdorimit zgjedhor. Pavarësia e medias vazhdon të jetë problem, mbulimi zgjedhor nga ana e saj ka vazhduar t'u japë përparësi partive kryesore dhe transparenca e financimit të fushatës gjithashtu mbeti e kufizuar.

BE-ja do të ndjekë nga afër zhvillimet zgjedhore deri në certifikimin përfundimtar të rezultateve. Të gjitha forcat politike duhet të garantojnë funksionimin e vazhdueshëm të institucioneve të vendit.

Ne e inkurajojmë Shqipërinë të vazhdojë të ndjekë të gjitha reformat e kërkuara për anëtarësimin e saj të ardhshëm në BE, duke përfshirë miratimin e një reforme të mëtejshme zgjedhore për trajtimin e të gjitha rekomandimet kyçe të ODIHR-it, si dhe ato që janë ende të pazgjidhura nga zgjedhjet e mëparshme. Procesi i integrimit të Shqipërisë në BE është një objektiv strategjik kombëtar dhe një projekt për gjithë shoqërinë, i cili mbështetet fuqimisht nga qytetarët shqiptarë. Ne përsërisim thirrjen tonë për një dialog politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës, ​​pasi të gjitha partitë politike të Shqipërisë dhe gjithë sektorët e shoqërisë, që nga organizatat e shoqërisë civile deri te komunitetet vendore, kanë një rol për të luajtur për çuarjen e mëtejshme përpara të procesit të anëtarësimit të vendit në BE.

Anitta Hipper
Lead Spokesperson for Foreign Affairs and Security Policy
+32 (0) 2 298 56 91
+32 (0) 460 76 14 21
Eirini ZARKADOULA
Press Officer for Neighbourhood and Enlargement/Foreign Affairs and Security Policy
+32 2 295 70 65