Takimi i 16-të i Nënkomitetit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit ndërmjet Komisionit Evropian dhe Maqedonisë së Veriut për Drejtësi, Liri dhe Siguri
Takimi i 16-të i Nënkomitetit të Stabilizim Asociimit për Drejtësi, Liri dhe Siguri ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Komisionit Evropian, që duheshte të mbahet në Shkup, u mbajt në mënyrë virtuale më 17-18 nëntor 2021. Takimi u bashkëkryesua nga znj. Svetlana Vlahovic Dimanovska, udhëheqëse e Sektorit për negociata dhe integrim në BE në Departamentin për BE dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut dhe z. Alberto Cammarata, Zëvendës Shef i Njësisë për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në Drejtorinë e Përgjithshme për Politikë të Fqinjësisë Evropiane dhe Negociatat e Zgjerimit në Komisionin Evropian.
Nënkomisioni vlerësoi zhvillimet në lidhje me reformat në gjyqësi, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të drejtat themelore dhe gjendjen në fushën e reformave në polici, luftën kundër krimit të organizuar, tregtisë me armë të zjarrit dhe drogës, tregtisë me qenie njerëzore dhe kontrabandën e migrantëve, hetimet financiare dhe krimet financiare, konfiskimin e aseteve, parandalimin/luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe kundër terrorizmit, menaxhimin e kufijve, migrimin dhe azilin. Në përputhje me Raportin e vitit 2021 për Maqedoninë e Veriut, Komisioni Evropian vlerësoi përparimin e bërë në harmonizimin me legjislaturën e BE-së në fushat që përfshijnë kapitujt 23 dhe 24, si dhe zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit në këto fusha.
Autoritetet kombëtare nënvizuan se reformat në drejtësi mbeten prioritet kyç për Maqedoninë e Veriut. Ata informuan për gjendjen e zbatimit të reformave në këtë fushë dhe aktivitetet vijuese. Komisioni Evropian pranoi përparimin e arritur dhe nënvizoi nevojën për të vazhduar zbatimin e Ligjit për Prokurorinë Publike, strategjisë gjyqësore dhe strategjive mbi burimet njerëzore për gjyqësorin dhe prokurorinë. EK-ja rikujtoi gjithashtu rëndësinë e zbatimit të vazhdueshëm, nga institucionet gjyqësore, të rregullave për emërimin, ngritjen në detyrë, disiplinimin dhe shkarkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Komisioni Evropian nënvizoi gjithashtu se çdo ligj i ri për Akademinë për Gjyqtarët dhe Prokurorët duhet ta mbajë Akademinë si pikën e vetme hyrëse në gjyqësor dhe prokurori dhe duhet të sigurojë qasje të drejtë dhe transparente në këto profesione.
Në lidhje me luftën kundër korrupsionit, Komisioni Evropian përshëndeti miratimin e Strategjisë Kombëtare për periudhën 2021-2025 për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit dhe Planin e Veprimit përkatës. Është rënë dakord që Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) dhe Prokurori për Krim të Organizuar dhe Korrupsion (KKKP) duhet të marrin burime të përshtatshme financiare dhe njerëzore. Komisioni Evropian nënvizoi rëndësinë e vazhdimit të konsolidimit të historikut në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit, duke përfshirë atë të nivelit të lartë. Gjithashtu, autoritetet propozuan që të punojnë së bashku me Komisionin për të promovuar mënyrën e mbledhjes së të dhënave.
Sa i përket të drejtave themelore, Komisioni Evropian përshëndeti miratimin e Ligjit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe themelimin e Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi. Po ashtu, është mirëpritur miratimi i Ligjit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna në Familje dhe është theksuar nevoja për të siguruar zbatimin e tij. Autoritetet duhet të sigurojnë zbatimin e Konventës për të Drejtat e Fëmijës (KDF) dhe të përgatisin një Plan Veprimi Kombëtar për Fëmijët.
Komisioni Evropian nënvizoi nevojën për të shtuar përpjekjet për të korrigjuar situatën e kujdesit shëndetësor në burgje dhe për të adresuar rekomandimet e Komitetit Evropian për Parandalimin e Torturës (CPT). Autoritetet u inkurajuan që të ndajnë burime të mjaftueshme për Zyrën e Avokatit të Popullit për të përmbushur kompetencat e tij të reja dhe për të finalizuar emërimin e anëtarëve në pozitat e lira në organet e pavarura rregullatore, veçanërisht në Këshillin e rregullatorit medial dhe transmetuesin publik. Gjithashtu u diskutua për lirinë e medias, sigurinë e gazetarëve dhe reformën e Shërbimit publik.
Për sa i përket çështjeve të brendshme, nënkomiteti vuri në dukje përparimin e arritur në zhvillimin e kornizës strategjike dhe ligjore në fushën kundër pastrimit të parave, hetimit financiar dhe konfiskimit të aseteve, si dhe luftimit të trafikimit të qenieve njerëzore, të cilat duhet të zbatohen. Ai vuri në dukje nevojën për përparim të mëtejshëm në reformat policore në përputhje me rekomandimet e njohura të GRECO-s. Komisioni Evropian inkurajoi përpjekjet e mëtejshme për kryerjen e hetimeve financiare, paralelisht me hetimet penale, duke rezultuar me një historik të sekuestrimit dhe konfiskimit të aseteve kriminale. U diskutuan gjithashtu prioritetet për t'u trajtuar në sektorë të tillë si trafiku i armëve të zjarrit, trafiku i drogës, kontrabanda e migrantëve dhe krimi kibernetik. Vazhdimi i bashkëpunimit të mirë me agjencitë e BE-së kontribuon në luftën kundër krimit të organizuar.
Nënkomiteti përshëndeti progresin e bërë në Marrëveshjen Zbatuese të “Planit të Përbashkët të Veprimit kundër terrorizmit për Ballkanin Perëndimor”. Lidhur me migracionin dhe menaxhimin e kufijve, nënkomiteti ra dakord për nevojën për të menaxhuar flukset e përziera të migracionit duke marrë parasysh aspektet e sigurisë dhe ato humanitare. Nevojiten përpjekje të mëtejshme për ndërtimin e kapaciteteve për zbatimin e procedurave të azilit që janë në përputhje me Sistemin e Përbashkët Evropian të Azilit. Nënkomiteti nënvizoi gjithashtu rëndësinë e nënshkrimit të marrëveshjes së statusit me BE-në që do të lejonte Agjencinë Evropiane të Rojës Kufitare dhe Bregdetare (Frontex) të dërgojë ekipe të trupave të përhershme të Rojës Kufitare dhe Bregdetare Evropiane në vend.