Praktikat e mira të menaxhimit të mbeturinave i sjellin Prilepit çmimin e parë si komuna më e gjelbër
 
Nëse nuk i menaxhojmë siç duhet mbeturinat, rrezikojmë burimet tona natyrore, çrregullojmë seriozisht biodiversitetin, cenojmë të ardhmen tonë dhe të brezave që do të vijnë.
Komuna e Prilepit e ka kuptuar rëndësinë e kësaj çështjeje shumë kohë më parë. Që nga viti 2012, ajo ka vendosur një sistem derë më derë për ndarjen dhe grumbullimin e mbetjeve. Sistemi u rrit gradualisht për të mbuluar një përqindje të shkëlqyeshme prej 75% të familjeve vitin e kaluar. Së bashku me përfitimet për komunitetin lokal erdhi edhe vlerësimi për përpjekjet – Çmimi i Komunës më të Gjelbër për praktikat më të mira të menaxhimit të mbeturinave për vitin 2021.
https://twitter.com/AmbassadorEU/status/1533840708204912641?cxt=HHwWgoCzqev_pckqAAAA
Menaxhimi i mbeturinave është një nga sfidat më të mëdha mjedisore. BE-ja e ka marrë seriozisht dhe ka prezantuar një koncept të ekonomisë cirkulare - një nga tullat kryesore të Marrëveshjes së Gjelbër, axhenda e re e Evropës për rritje të qëndrueshme. Kjo e fundit i sheh mbeturinat jo vetëm si sfidë, por edhe si mundësi zhvillimi.
“Lëvizja drejt një shoqërie riciklimi, një ekonomie cirkulare dhe një zhvillimi të gjelbër është në dobi të të gjithë neve. Por kjo kërkon një veprim të koordinuar dhe efikas të autoriteteve, si në nivel qendror ashtu edhe në atë lokal. BE-ja do të mbetet e gatshme për të ndihmuar politikisht dhe financiarisht iniciativat pozitive në këtë drejtim, gjithashtu përmes Axhendës së Gjelbër të Planit Ekonomik dhe Investimeve për Ballkanin Perëndimor”, tha ambasadori Geer në prezantimin e çmimit.
BE-ja, si donatori më i madh në Maqedoninë e Veriut, deri më tani ka mbështetur sektorin e menaxhimit të mbeturinave me mbi 50 milionë euro. Kjo përfshin ngritjen e sistemeve të vetëqëndrueshëm dhe të integruar për menaxhimin e mbeturinave në rajonin lindor dhe verilindor të vendit, plotësisht në përputhje me standardet mjedisore të BE-së. Për të ndihmuar në afrimin deri te synimet e Marrëveshjes së Gjelbër, BE-ja do t'u ofrojë komunave gjithashtu grante për efiçencën energjetike të ndërtesave publike – diçka me rëndësi të madhe në këto rrethana.
Konkursi për Komunën më të Gjelbër u shpall më 3 mars 2022 me rastin e Ditës Botërore të Kafshëve të Egra, të gjitha komunat e Maqedonisë së Veriut u ftuan të aplikojnë duke shfaqur shembujt e tyre më të mirë të menaxhimit të mbeturinave të ngurta në vitin 2021. Tetë komuna: Berova, Komuna Qendër (Shkup), Kavadari, Ohri, Pehçeva, Prilepi, Tetova dhe Zelenikova kanë dorëzuar aplikacione. Prilepi u zgjodh fitues në konkurs nga juria e përbërë nga ekspertë të Delegacionit të BE-së, organizatat Go Green dhe Eko-svest dhe Europe House - Shkup. Delegacioni i BE-së pret edhe më shumë aplikacione dhe praktika më të mira në edicionin e ardhshëm të çmimit.
 
           
 
 
