Takimi i 19-të i Nënkomitetit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me Maqedoninë e Veriut për drejtësi, liri dhe siguri

 

Takimi i 19-të i Nënkomitetit të Stabilizim Asociimit për Drejtësi, Liri dhe Siguri me Maqedoninë e Veriut u mbajt në Bruksel më 13 dhe 14 mars 2025. Takimi u bashkëkryesua për Komisionin Europian nga z. Giulio Venneri, zëvendës shef i Njësisë për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në Drejtorinë e Përgjithshme për Zgjerimin dhe Fqinjësinë Lindore, dhe për Maqedoninë e Veriut nga znj. Eva Ilievska, Shefe e Sektorit për Integrim dhe Negociim me BE-në pranë Ministrisë për punë të Brendshme dhe znj. Bojana Bosilkova, ushtruese detyre Shefe e departamentit për BE pranë Ministrisë së Drejtësisë.  Nënkomiteti shqyrtoi zhvillimet në fushat nga Kapitujt 23 (Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore) dhe 24 (Drejtësia, Liria dhe Siguria).

Duke kujtuar vlerësimin e dhënë në raportin vjetor të vitit 2024, Komisioni u kërkoi autoriteteve të Maqedonisë së Veriut të bëjnë përpjekje të vazhdueshme për të siguruar pavarësinë, profesionalizmin, transparencën dhe paanshmërinë e gjyqësorit. Komisioni shprehu shqetësim serioz në lidhje me tentativat e presionit të jashtëm dhe politik mbi gjyqësorin.  Komisioni në veçanti shprehu keqardhjen për ‘interpelancat’ ndaj pesë anëtarëve të Këshillit Gjyqësor që nuk janë gjyqtarë, pasi këto cenojnë mandatin e pavarur të anëtarëve të Këshillit. 

 Për më tepër, procedura e shkarkimit kundër kryeprokurorit ngriti shqetësime për mungesën e masave të mjaftueshme mbrojtëse kundër politizimit. Autoritetet e Maqedonisë së Veriut prezantuan progresin në zbatimin e Strategjisë së Reformës në Drejtësi për 2024-2028 dhe planet e tyre për të ndjekur rekomandimet nga Misioni vlerësues i dhjetorit 2023 për të forcuar pavarësinë, paanshmërinë dhe besueshmërinë e Këshillit Gjyqësor dhe për të trajtuar mangësitë në funksionimin e tij. Duke e përsëritur edhe një herë rekomandimin e dhënë tashmë në publikimet e mëparshme të Paketës së Zgjerimit, Komisioni përsëriti nevojën për të ndryshuar qasjen në shtypjen e korrupsionit, nëpërmjet përpjekjeve të mëtejshme të dukshme drejt një evidence të qëndrueshme, veçanërisht kundër korrupsionit në nivele të larta. Komisioni ritheksoi gjithashtu shqetësim serioz për ndryshimet në Kodin Penal të miratuar në shtator 2023, të cilat dobësuan kornizën ligjore dhe ndikuan negativisht në ndjekjen penale të korrupsionit dhe veprave të krimit të organizuar dhe të rëndë. Autoritetet e Maqedonisë së Veriut kanë konfirmuar se është duke u përgatitur një rishikim i ri i Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale. Komisioni theksoi se ky është gjithashtu një hap vendimtar i Agjendës së Reformës në kuadër të Instrumentit të Reformës dhe Rritjes, me një afat të qartë për miratim deri në fund të vitit. Komisioni është i gatshëm të ofrojë mbështetje dhe ekspertizë teknike në kohë, sipas nevojës.

Për sa i përket të drejtave themelore, Komisioni u bëri thirrje autoriteteve të përmirësojnë kushtet e burgut në përputhje me rekomandimet e Komitetit për Parandalimin e Torturës dhe rekomandimet e Komitetit të OKB-së kundër Torturës. Autoritetet nënvizuan përpjekjet për të ndryshuar Ligjin për Media për ta përafruar më mirë me të Drejtën Europiane, veçanërisht duke përfshirë mediat online në legjislacion. Komisioni inkurajoi ndarjen e stafit të mjaftueshëm të specializuar dhe burimeve financiare për Avokatin e Popullit dhe Komisionin për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi, duke u mundësuar atyre të ushtrojnë plotësisht mandatet përkatëse. Komisioni theksoi nevojën për harmonizim të mëtejshëm legjislativ me të Drejtën Europiane për mosdiskriminimin, barazinë gjinore dhe luftimin e politikave të dhunës me bazë gjinore dhe nevojën për të siguruar disponueshmërinë dhe qasjen në shërbime të specializuara mbështetëse për viktimat.

Për sa i përket luftës kundër krimit të organizuar, Komisioni ftoi autoritetet e Maqedonisë së Veriut që të forcojnë më tej bashkëpunimin me shtetet anëtare dhe agjencitë e zbatimit të ligjit të BE-së. Komisioni vuri në dukje përpjekjet e vendit për të zhvilluar kornizën strategjike dhe ligjore, por inkurajoi përafrimin e mëtejshëm me të Drejtën Europiane në këtë fushë. Komisioni ftoi autoritetet që të përmirësojnë më tej kapacitetet e tyre administrative dhe operacionale, veçanërisht në fushat kundër pastrimit të parave, rikuperimit dhe konfiskimit të pasurisë, hetimeve financiare, krimit kibernetik, trafikut të armëve të zjarrit. Komisioni nënvizoi rëndësinë e krijimit të një evidence solide mbi hetimet, ndjekjet penale dhe dënimet në të gjitha format e krimit të rëndë dhe të organizuar. Ai rikujtoi gjithashtu rëndësinë që Maqedonia e Veriut të sigurojë statistika të qarta, përmes platformës përkatëse elektronike për mbledhjen e të dhënave në evidencë. Komisioni gjithashtu i rikujtoi autoritetet për zotimin e marrë për të lehtësuar së shpejti ardhjen e një misioni të ri vlerësues bazuar në raste.

Për bashkëpunimin në fushën e drogës, Komisioni e ftoi Maqedoninë e Veriut që të bëjë përparim të mëtejshëm në përafrimin me të Drejtën Europiane dhe të fokusohet në funksionalizimin e strukturave të krijuara, veçanërisht Komisionin Ndërministror për Narkotikët dhe Observatorin Kombëtar të Drogave. Për parandalimin dhe luftimin e terrorizmit, Komisioni përshëndeti përparimin e bërë në zbatimin e Planit të Përbashkët të Veprimit Kundër Terrorizmit për Ballkanin Perëndimor.

Për migracionin dhe menaxhimin e kufijve, Komisioni përshëndeti përparimin e bërë në zbatimin e Planit të Veprimit të BE-së për Ballkanin Perëndimor. Komisioni rikujtoi nevojën për të bërë përparim në menaxhimin efektiv të migracionit legal dhe të parregullt, por edhe në trajtimin e kontrabandës së migrantëve. Komisioni vuri në dukje një bashkëpunim të mirë të përgjithshëm me shtetet anëtare të BE-së për kthimin dhe riatdhesimin.