Takimi i 1-rë i Komitetit të Monitorimit për Instrumentin e Reformave dhe Rritjes, midis Bashkimit Europian dhe Maqedonisë së Veriut
Takimi i parë i Komitetit të Monitorimit për zbatimin e Instrumentit të Reformave dhe Rritjes (RGF)u organizua më 2 korrik 2025 në Shkup. Ky ishte takimi i parë i tillë në rajon.
Takimi u bashkëkryesua, për Komisionin Europian, nga Z. Giulio Venneri, Zëvendës Shef i Njësisë për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, Drejtoria e Përgjithshme për Zgjerimin dhe Fqinjësinë Lindore, dhe për Maqedoninë e Veriut, nga Z. Orhan Murtezani, Ministër për Çështjet Europiane dhe Koordinator Kombëtar i RGF-së.
Pas miratimit të Planit të Rritjes dhe Axhendës së Reformës në vitin 2024, që është në fazë të zbatimit, të dyja palët diskutuan për progresin e arritur dhe sfidat që lidhen me hapat e reformës. Autoritetet nacionale ranë dakord për rëndësinë e ndjekjes me vendosmëri edhe më të madhe të të gjitha objektivave të paarritura të reformës, si dhe për të siguruar monitorimin e duhur të procesit të buxhetimit dhe raportimit, duke garantuar transparencën në të gjithë procesin. Nevoja për një udhëheqje të fortë politike dhe pronësisë kombëtare më të madhe mbi procesin mbetet jetike për të siguruar rezultate të prekshme dhe në kohë.
Një kontribut domethënës në monitorimin e zbatimit të Axhendës së Reformës nga një shoqëri civile e fuqizuar është theksuar si thelbësore. Përfshirja është thelbësore për të përshpejtuar arritjet e mëtejshme në reformat që lidhen me BE-në, stabilizimin socio-ekonomik dhe transparencën e përgjithshme, të cilat mund të përforcojnë zërin e qytetarëve dhe të ofrojnë kontribut të vazhdueshëm nga ekspertët.
Deri në fund të muajit korrik të vitit 2025, Komisioni do të publikojë vlerësimin formal të reformave që duhej të zbatoheshin deri në dhjetor 2024. Pas kësaj, Komisioni do të vazhdojë me lirimin e fondeve bazuar në realizimin e hapave. Kjo do jetë si shtojcë e 24.4 milionë eurove të disbursuara tashmë në thesarin shtetror si parafinancim kredie në mars 2025 nga 52.5 milionë, ndërsa 28.1 milionë eurot e mbetura (grant dhe kredi) janë ndarë në Kornizën Investuese për Ballkanin Perëndimor (WBIF). Rregullorja e Komitetit të Monitorimit të RGF-së dhe përfundimet e përbashkëta nga takimi i parë i sotëm do të publikohen në ditët në vijim.
Informata plotësuese
Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor u miratua nga Komisioni më 8 nëntor 2023. Plani synon të integrojë partnerët e Ballkanit Perëndimor në Tregun e Përbashkët të BE-së, të përparojë bashkëpunimin ekonomik rajonal, të thellojë reformat që lidhen me BE-në dhe të rrisë fondet e para-anëtarësimit për të përshpejtuar konvergjencën socio-ekonomike të Ballkanit Perëndimor me BE-në.
Plani i Rritjes stimulon përgatitjet e vendeve kandidate për anëtarësim në BE, duke u mundësuar atyre disa prej përfitimeve përpara integrimit të plotë në BE. Kjo nga ana tjetër duhet të përshpejtojë ndjeshëm procesin e zgjerimit dhe rritjen e ekonomive të tyre.
Plani i Rritjes ka potencialin të dyfishojë madhësinë e ekonomive të Ballkanit Perëndimor brenda dekadës së ardhshme. Për të mbështetur këtë proces, një instrument i ri financimi prej 6 miliardë eurosh, Instrumenti i Reformës dhe Rritjes për Ballkanin Perëndimor u miratua për periudhën 2024-2027. Plani bazohet në katër shtylla, që synojnë: 1. rritjen e integrimit ekonomik me Tregun e Përbashkët të Bashkimit Europian; 2. rritjen e integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes Tregut të Përbashkët Rajonal, bazuar në rregullat dhe standardet e BE-së; 3. përshpejtimin e reformave themelore, duke përfshirë edhe Grup-kapitullin - Themeloret, mbështetjen e rrugës së Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit në BE, përmirësimin e rritjes së qëndrueshme ekonomike, duke përfshirë tërheqjen e investimeve të huaja dhe forcimin e stabilitetit rajonal; dhe 4. mbështetjen e konvergjencës me BE-në përmes rritjes së ndihmës financiare.
Për më shumë informata
Growth Plan for the Western Balkans - European Commission
First Investments under the Growth Plan through the Western Balkans Investment Framework
European Union and the Western Balkans