Solidariteti në vepër: BE-ja vazhdon të ndihmojë Maqedoninë e Veriut në luftën kundër zjarreve
Sipas Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së, gjatë korrikut, Çekia dhe Greqia i dolën vendit në ndihmë për fikje të zjarreve nga ajri, kurse Sllovenia dha ndihmë tokësore.
Në fillim të korrikut, pas aktivizimit të Mekanizmit nga qeveria, dy aeroplanë-kanaderë nga Greqia u angazhuan me shpejtësi për të ndihmuar në shuarjen e një zjarri në jug të Maqedonisë së Veriut. Më vonë gjatë muajit, një helikopter çek dhe një ekip slloven zjarrfikës (me 62 zjarrfikës dhe 18 automjete) u dërguan për të ndihmuar përpjekjet e autoriteteve për të vënë nën kontroll një zjarr të madh në pjesën lindore të vendit. Austria dhe Franca gjithashtu ofruan ndihmë në atë rast.
Mekanizmi mbulon pjesë të madhe të shpenzimeve të ndihmës për fikje të zjarreve – ndërsa shpenzimet tjera mbulohen nga vendet ofruese, si pjesë e solidaritetit europian. Maqedonia e Veriut mbulon shpenzimet për akomodimin e ekuipazheve të huaja, duke u ofruar hotelë dhe duke iu mbuluar shpenzimet për ushqim dhe karburant.
Kjo nuk është hera e parë që Mekanizmi i Mbrojtjes Civile të BE-së është mobilizuar për të ndihmuar vendin të përballet me fatkeqësitë natyrore. Vitin e kaluar, ndihma ajrore për shuarjen e zjarreve erdhi nga Kroacia, Qiproja, Çekia, Gjermania, Rumania, Serbia, Sllovenia, Suedia dhe Turqia. Në verën e vitit 2021, mbështetja e BE-së përmes Mekanizmit ishte kyçe në shuarjen e zjarreve të mëdha në zonat e Pehçevës dhe Berovës. Në vitet 2015 dhe 2016, u ofrua mbështetje në kohë përmes Mekanizmit për t'u përballur me përmbytjet e rënda që goditën vendin. Mbështetje përmes Mekanizmit u ofrua gjithashtu gjatë pandemisë COVID-19.