Maqedonia e Veriut vendi i parë që do të merr parafinancim sipas Planit të Rritjes

Me këtë parafinancim Maqedonia e Veriut do të merr 24.5 milionë euro për buxhetin e shtetit si mbështetje për zbatimin e reformave të parapara me Agjendën Reformuese, ndërsa 28 milionë euro do të injektohen drejtpërdrejt në WBIF (Korniza e Investimeve të Ballkanit Perëndimor) dhe do të përdoren për projekte infrastrukturore në Maqedoninë e Veriut.
Ndryshimet strukturore të kërkuara, në Maqedoninë e Veriut do të mbështeten me 750.4 milionë euro në total nga Fondi i Reformës dhe Rritjes për Ballkanin Perëndimor gjatë periudhës 2024 – 2027, me fokus në prioritetet në administratën publike, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin, dekarbonizimin dhe dixhitalizimin, lidhshmërinë dhe zhvillimin e kapitalit njerëzor.
Konteksti
Procesi i integrimit në BE kërkon një sërë reformash që do të çonin në një konvergjencë të përshpejtuar socio-ekonomike me Bashkimin Europian dhe tregun e tij të vetëm. Plani i Rritjes i Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor synon integrimin e përshpejtuar të rajonit në BE, duke përfshirë qasjen progresive në tregun e vetëm të BE-së. Plani mbështetet nga një instrument i ri financimi i bazuar në performancë, Fondi i Reformës dhe Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Ai përbëhet nga deri në 6 miliardë euro në total për periudhën 2024-2027, nga të cilat 2 miliardë euro grante dhe 4 miliardë euro kredi favorizuese. Të paktën gjysma e programit të përgjithshëm do të mbështesë investimet në infrastrukturë dhe lidhshmëri duke përfshirë transportin, energjinë dhe tranzicionin e gjelbër dhe dixhital. Pjesa e mbetur e kredive do të lirohet si mbështetje direkte për buxhetet kombëtare dhe të destinuara për zbatimin e reformave.
Për të përfituar nga Fondi, çdo vend duhej të përgatiste një Agjendë Reforme, e cila konsultohet, vlerësohet dhe miratohet nga Komisioni Europian pas vlerësimit pozitiv nga Këshilli i BE-së. Lëshimi i fondeve të parashikuara për çdo vend do të kushtëzohet me zbatimin me sukses të Agjendave Reformuese. Agjenda Reformuese është një mekanizëm që synon të sigurojë zbatimin e reformave të nevojshme që do të çonin në transformimin shoqëror duke përshpejtuar përafrimin e fushave prioritare me vlerat, politikat dhe praktikat e BE-së.