Fondi Europian i Paqes: Këshilli miraton masën e tretë të ndihmës dypalëshe në mbështetje të Ushtrisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut
Fondi Europian i Paqes: Këshilli miraton masën e tretë të ndihmës dypalëshe në mbështetje të Ushtrisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut
Këshilli sot miratoi një masë për ndihmë me vlerë 15 milionë euro në kuadër të Fondit Europian të Paqes. Qëllimi është forcimi i kapaciteteve dhe aftësive mbrojtëse të Ushtrisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe gatishmërinë e saj operacionale. Vendimi plotëson mbështetjen e ofruar deri më tani në kuadër të paketave të mbështetjes dypalëshe 2023 dhe 2024. Ky veprim i ri e çon mbështetjen dypalëshe të FEP-së për Maqedoninë e Veriut deri në 38 milionë euro deri më sot. Masa e re e ndihmës do të rrisë gjithashtu potencialin e Maqedonisë së Veriut për të kontribuar në operacionet dhe misionet e Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes (CSDP) të BE-së dhe në çdo koalicion ndërkombëtar.
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas, tha: “Sot kemi rënë dakord t’i japim Maqedonisë së Veriut një mbështetje shtesë prej 15 milionë eurosh nga BE-ja për ushtrinë e saj. Kjo do të përfshijë gjithçka, nga pajisjet për grumbullimin e informacioneve të inteligjencës dhe mbikëqyrjen, deri te automjetet për shërbime dhe pajisjet për trajnim luftarak. Mbështetja jonë do ta ndihmojë Maqedoninë e Veriut të kontribuojë në stabilitetin dhe sigurinë rajonale, e cila është jashtëzakonisht e rëndësishme për Ballkanin Perëndimor, si dhe për BE-në. Përveç shumës së përgjithshme prej 38 milionë eurosh që BE-ja i ka dhënë tani Maqedonisë së Veriut për parandalimin e konflikteve dhe forcimin e stabilitetit rajonal, BE-ja e mbështet plotësisht rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt anëtarësimit në BE dhe mezi pres vizitën time të parë muajin e ardhshëm për të diskutuar më tej axhendën tonë të përbashkët”.
Vendimi i sotëm ilustron angazhimin e vazhdueshëm me Maqedoninë e Veriut në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, gjithashtu në dritën e nënshkrimit të partneritetit të sigurisë dhe mbrojtjes midis BE-së dhe Maqedonisë së Veriut nëntorin e kaluar, dhe pasqyron përputhjen e plotë të vendit me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së.
Fondi Europian i Paqes do t’i ofrojë Ushtrisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut pajisje në fushën e inteligjencës, mbikëqyrjes dhe zbulimit, si dhe luftën elektronike; automjete të shërbimeve dhe inxhinierisë; sisteme komunikimi dhe informacioni; si dhe pajisje trajnimi luftarak. Gjithashtu, aty ku është e nevojshme, do të sigurojë furnizime dhe shërbime përkatëse, duke përfshirë trajnimin operativ.
Konteksti dhe hapat e mëtejshëm
Fondi Europian i Paqes u krijua në mars 2021 për financimin e veprimeve në kuadër të politikës së përbashkët të jashtme dhe të sigurisë për të parandaluar konfliktet, për të ruajtur paqen dhe për të forcuar sigurinë dhe stabilitetin ndërkombëtar. Në veçanti, Fondi Europian i Paqes i mundëson BE-së të financojë veprime të hartuara për të forcuar kapacitetet e shteteve të treta dhe organizatave rajonale dhe ndërkombëtare që kanë të bëjnë me çështjet ushtarake dhe të mbrojtjes.