Pyetjet e intervistës për z. Aivo Orav, Ambasador i BE-së në Kosovë për Buletinin FOCUS shkurt 2025
-
BE-ja ka luajtur një rol kritik në mbështetjen e zhvillimit ekonomik të Kosovës përmes ndihmës financiare, udhëzimeve të politikave dhe programeve për ngritje të kapaciteteve. Nga këndvështrimi juaj, cilat janë prioritetet kyçe ekonomike të BE-së për Kosovën dhe si e shihni angazhimin e BE-së në zhvillim për të mbështetur më tej qëndrueshmërinë ekonomike afatgjatë, rritjen e sektorit privat dhe integrimin ekonomik rajonal?
Bashkimi Evropian është partneri tregtar, investitori dhe ofruesi më i madh i ndihmës financiare për Kosovën. BE-ja, si shtetet anëtare ashtu edhe institucionet e saj, veçanërisht Komisioni Evropian, kanë luajtur dhe vazhdojnë të luajnë një rol të rëndësishëm fillimisht në rindërtimin e Kosovës dhe më pas në zhvillimin e saj. Teksa ndihma e BE-së fillimisht u fokusua në veprimet e ndihmës emergjente dhe rindërtimin, ajo tani përqendrohet në promovimin e institucioneve të Kosovës, zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe të ardhmen evropiane të Kosovës. Prioriteti kryesor për BE-në është afrimi i Kosovës me BE-në. Ne duam të mbështesim një zhvillim ekonomik në përputhje me parimet e BE-së për një ekonomi të bazuar në rregulla dhe transparente me politika të shëndosha fiskale. Në praktikë, kjo do të thotë gjithashtu mbështetje për Kosovën për të zbatuar rregullat dhe rregulloret e BE-së. Integrimi ekonomik rajonal dhe integrimi gradual në tregun e vetëm të BE-së janë çelësi për shtimin e rritjes.
BE-ja është deri tani donatori i vetëm më i madh që ndihmon Kosovën dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor. Përmes instrumenteve të saj financiare gjatë periudhës 2007 - 2020, ne kemi investuar më shumë se 1.5 miliardë euro në rindërtim, reformë të administratës publike, sundim të ligjit, reforma të qëndrueshme ekonomike, zhvillim të sektorit privat, arsim, bujqësi, zhvillim social, shoqëri civile dhe media dhe shumë fusha të tjera kyçe në Kosovë.
BE-ja është gjithashtu partneri kryesor tregtar i Kosovës, me mbi një të tretën e eksporteve të Kosovës që shkojnë në tregjet e BE-së dhe me mbi një të tretën e importeve me origjinë nga BE-ja. Ne vazhdimisht po mundohemi të gjejmë mënyra dhe t’i mbështesim autoritetet për ta rritur këtë tregti në favor të Kosovës. Shpresojmë të shohim që pjesa e eksporteve në BE të rritet më tej.
Kosova ka një diasporë të madhe në BE, me pothuajse po aq kosovarë që jetojnë, punojnë dhe kontribuojnë në vendet e BE-së, sa edhe në vetë Kosovën. Shumë prej tyre ende mbajnë lidhje të ngushta me rrënjët e tyre në Kosovë dhe përpiqen t’u ndihmojnë familjeve dhe ekonomive të tyre. Ju jeni unikë kur bëhet fjalë për kontributin e diasporës në ekonomi, e cila ka dërguar remitanca për një kohë shumë të gjatë, por kohëve të fundit gjithnjë e më shumë po kërkohet të investohet në sektorë prodhues dhe të kontribuojnë me njohuritë e tyre në institucionet lokale. Ky është një zhvillim që ne duam ta mbështesim.
BE-ja është e përkushtuar ta vazhdojë këtë mbështetje, pasi aspirata jonë për Kosovën dhe të gjithë partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor është që ata të anëtarësohen në Bashkimin Evropian në të ardhmen e afërt. Që kjo të ndodhë, përveç vullnetit politik nga të dyja palët, Kosova duhet të bëjë hapa të gjatë dhe të zbatojë reformat e nevojshme, veçanërisht në sferën e ekonomisë. Ne jemi këtu për të ndihmuar.
-
Kosova vazhdon të përballet me sfida në tërheqjen e investimeve të huaja në shkallë të gjerë, duke përfshirë çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë juridike, kornizat rregullatore, qasjen në financa dhe zhvillimin e infrastrukturës. Cilat janë fushat kyçe të fokusit të BE-së për të ndihmuar Kosovën të përmirësojë klimën e saj të investimeve dhe të përmirësojë atraktivitetin e saj për investitorët ndërkombëtarë? Si munden programet dhe instrumentet ekzistuese të BE-së t’i mbështesin më mirë bizneset me bazë në Kosovë në integrimin në tregjet evropiane dhe rajonale?
Në të vërtetë, ju renditët sfidat kyçe që i peshojnë investitorët e mëdhenj kur vendosin nëse do të investojnë në një ekonomi. Në rastin e Kosovës një shqetësim shtesë janë çështjet e sigurisë. Kjo është arsyeja pse BE-ja thekson rëndësinë e marrëdhënieve të mira fqinjësore për të gjithë partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor dhe po lehtëson Dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
Shumica e investitorëve të huaj në shkallë të gjerë e shikojnë Gjashtëshen e Ballkanit Perëndimor si një treg i vetëm. Prandaj, pengimi i qarkullimit të mallrave dhe njerëzve përmes barrierave tarifore dhe jotarifore i dekurajon ata të investojnë në rajon. Thënë kjo, dëshiroj të theksoj se është pozitive që në fund të vitit të kaluar u arrit marrëveshja që zhbllokoi vendimmarrjen e CEFTA-s dhe Kosova tani mund të përfaqësohet në komisionet e saj. Kjo hap rrugën për përparim në zbatimin e Planit të Veprimit të Tregut të Përbashkët Rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit. Të dyja këto platforma, nëse zbatohen siç duhet, do ta lehtësojnë fluksin tregtar ndërmjet ekonomive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe do të ofrojnë më shumë mundësi për ekonomitë dhe njerëzit. Në të njëjtën kohë, kjo do të tërheqë më shumë investime në shkallë të gjerë. Konvergjenca ekonomike rajonale, e cila mund të arrihet përmes tregut të përbashkët rajonal, është gjithashtu një parakusht për t'u bërë pjesë e tregut të vetëm të BE-së.
Dua të përmend gjithashtu se trendet janë pozitive. Investimet e huaja direkte në Kosovë kanë shënuar rritje të vazhdueshme gjatë dy viteve të fundit. Çelësi tani është diversifikimi i këtyre investimeve dhe sigurimi që ato të investohen në sektorë më produktivë, për të siguruar rritje të mëtejshme të ekonomisë. Vendndodhja e Kosovës dhe popullsia e re shihet qartë si një aset nga shumë investitorë potencialë. Përpjekjet për ta luftuar korrupsionin po vlerësohen edhe nga organizatat ndërkombëtare, si dhe ka pasur rritje të qëndrueshme gjatë viteve të fundit. Kosova duhet ta kapitalizojë këtë duke përshpejtuar reformat e nevojshme për të adresuar çdo sfidë strukturore. Kosova gjithashtu duhet të zhvillojë më tej strategji se si të bëhet më konkurruese. Ne jemi të gatshëm të mbështesim çdo punë të tillë.
-
Dialogu publik-privat i mirë-strukturuar dhe gjithëpërfshirës është esencial për nxitjen e një mjedisi biznesi të qëndrueshëm dhe konkurrues. BE-ja ka avokuar vazhdimisht për angazhim më të fortë midis sektorit privat dhe politikëbërësve. Si e mbështet BE-ja bashkëpunimin institucional ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe bizneseve, dhe cilat praktika më të mira mund të adoptojë Kosova për të siguruar që sektori privat të luajë një rol më aktiv në formësimin e reformave ekonomike?
Sektori privat luan një rol madhor në zhvillimin e ekonomisë, ndërsa puna e autoriteteve është të jenë mundësues për rritje. Në të vërtetë, ne kemi avokuar fuqimisht për një angazhim më të fortë ndërmjet sektorit privat dhe politikëbërësve. Në këtë drejtim, Këshilli Kombëtar për Ekonominë dhe Investimet, i krijuar vitin e kaluar, po rezulton të jetë një platformë shumë e dobishme për diskutime me autoritetet për interesat e biznesit dhe për adresimin e sfidave me të cilat përballen. Ne kemi parë që çështjet e identifikuara nga sektori privat diskutohen drejtpërdrejt me përfaqësinë më të lartë të qeverisë gjatë seancave plenare të Këshillit Kombëtar. Gjithmonë ka vend për përmirësim, veçanërisht kur bëhet fjalë për procesin e hartimit të kornizës ligjore. Autoritetet do të përfitonin shumë nga përfshirja e sektorit privat në proceset e tyre të politikëbërjes që në një fazë të hershme.
-
Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM) janë shtylla kurrizore e ekonomisë së Kosovës, por ato shpesh kanë vështirësi me shkallëzimin, financimin dhe pajtueshmërinë me standardet e tregut të BE-së. Si i mbështesin iniciativat dhe instrumentet financiare të financuara nga BE-ja NVM-të, startup-et dhe bizneset që sjellin inovacion në Kosovë? A ka mundësi që bizneset e Kosovës t’i shfrytëzojnë më mirë programet e BE-së si Horizon Europe, Digital Europe, apo mekanizma të tjerë financues rajonalë për të përmirësuar konkurrueshmërinë e tyre?
Qasja në financa me të vërtetë paraqitet si një nga pengesat në shumë studime për perspektivën ekonomike për Kosovën, duke përfshirë edhe raportet tona vjetore. Në rastin e Kosovës, ku rreth 99% e të gjitha bizneseve janë ndërmarrje të vogla dhe të mesme, kjo është veçanërisht e rëndësishme.
Megjithatë, viteve të fundit kemi parë një ndryshim pozitiv. Në ditët e sotme, bizneset e vogla përfitojnë nga mbështetja e fuqishme në qasjen në financat bankare përmes skemave të gjera për garanci kreditore dhe linja të kredisë publike të ofruara nga Fondi Kosovar për Garanci Kreditore. Ne e kemi mbështetur Fondin që nga themelimi i tij në vitin 2016, së fundmi përmes Instrumentit të BE-së i Garancive për Ballkanin Perëndimor, i cili synon të nxisë ekonominë e Ballkanit Perëndimor dhe të ofrojë mbështetje për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme lokale.
Bizneset kosovare janë të pranueshme që të përfitojnë nga një gamë e gjerë mundësish të ofruara nga programet e BE-së që ju përmendët. Kosova veç është anëtare e asociuar e Horizon Europe, ku do të dëshironim të shihnim më shumë aplikime të suksesshme, apo edhe vetëm aplikime. Programi ofron shumë mundësi, por është gjithashtu shumë konkurrues pasi është i hapur për të gjitha bizneset nga BE-ja dhe anëtarët e asociuar. Së bashku me autoritetet e Kosovës, ne duhet të rrisim vetëdijesimin e sektorit privat dhe të ndërtojmë kapacitete për përgatitjen e aplikimeve për të parë përfshirje të shtuar dhe aplikime më të suksesshme.
-
Kosova po përpiqet të përafrohet me rregulloret dhe standardet ekonomike të BE-së, megjithatë bizneset ende përballen me pengesa strukturore dhe rregullatore në qasjen e plotë në tregjet evropiane. Nga këndvështrimi i BE-së, cilat janë reformat më kritike ku Kosova duhet të fokusohet për të avancuar integrimin ekonomik me BE-në? Si planifikon BE-ja të mbështesë përafrimin e Kosovës me politikat tregtare të BE-së, kornizat e investimeve dhe instrumentet financiare?
Për të përshpejtuar përparimin e Ballkanit Perëndimor drejt integrimit në BE, Bashkimi Evropian ka paraqitur Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Ky plan bazohet në katër shtylla, të cilat të gjitha fokusohen në shtimin e rritjes ekonomike dhe nxitjen e integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor dhe, në fund të fundit, me tregun e vetëm të BE-së. Për ta arritur këtë, partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor pritet të zbatojnë reformat e nevojshme. Kosova ishte ndër të parat që prezantoi një agjendë shumë ambicioze reformash. Zbatimi i veprimeve të renditura në këtë agjendë, i cili është parakusht për të përfituar nga ndihma financiare, do të trajtonte shumë nga çështjet që sektori privat ka ngritur në takimet tona dypalëshe. Për shembull, ato përfshijnë krijimin e shërbimeve të kujdesit vijues për investitorët e huaj, përmirësimin e mjedisit rregullator për bizneset, investimin në organet e sigurimit të cilësisë, përmirësimin e qasjes në financa për bizneset etj. Zbatimi i agjendës së reformave do të siguronte reforma të thella strukturore që nevojiten për ekonominë tuaj.
-
Duke parë përpara, cilat janë pritjet afatgjata të BE-së për bashkëpunimin ekonomik me Kosovën? Si e shihni kontributin e sektorit privat të Kosovës në stabilitetin më të gjerë rajonal dhe zhvillimin ekonomik, dhe çfarë roli mund të luajnë platformat si Këshilli Evropian i Investitorëve (EIC) në mbështetjen e dialogut ekonomik BE-Kosovë dhe zbatimin e politikave?
Ne po punojmë që Kosova të shkojë drejt integrimit në tregun e vetëm të BE-së. Zbatimi i plotë nga Kosova i agjendës së reformave do ta lehtësonte këtë. Konvergjenca ekonomike me BE-në përfundimisht do të rezultonte në rritjen e ekonomisë së Kosovës dhe do të përmirësonte jetën e kosovarëve. Sa i përket Këshillit Evropian të Investitorëve, BE-ja, si një institucion që kontribuoi në themelimin e tij dhe tani është anëtar nderi i bordit, është krenare për arritjet tuaja. Këshilli është bërë një zë i njohur dhe pikë fokusi për investitorët aktualë dhe potencialë evropianë në Kosovë. Për ne, BE-ja në Kosovë, Këshilli Evropian i Investitorëve mbetet një partner i ngushtë dhe profesional.
Mënyra më e mirë për të kontribuar në rritjen ekonomike dhe stabilitetin rajonal është duke vazhduar të avokoni me autoritetet për legjislacion të përmirësuar dhe praktika më të mira biznesi, duke mbështetur kompanitë tuaja anëtare dhe duke mbajtur kontakte me investitorët e mundshëm. Deri më tani, ju jeni dëshmuar të suksesshëm në lehtësimin e dialogut ndërmjet Qeverisë së Kosovës, sektorit privat dhe palëve ndërkombëtare të interesit. Vazhdoni me punën e mirë!