Një Ditë për Njohje, të drejta dhe respekt: Nderimi i Komunitetit Rom në Kosovë

Op-ed nga Ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav

Dita Ndërkombëtare e Romëve është një rast i rëndësishëm për të festuar kulturën, historinë dhe gjuhën e pasur të popullit rom, si dhe për të nderuar kontributin e tyre të çmuar në shoqërinë e larmishme dhe të gjallë të Kosovës. Populli rom është pjesë integrale e komuniteteve tona evropiane me trashëgimi dhe arritje të përbashkëta evropiane.

Në Evropë, ne çmojmë traditat tona të ndryshme dhe larmishmërinë që përbën themelin e forcës sonë kolektive. Populli rom, si një nga pakicat më të mëdha etnike në Evropë, ka luajtur një rol thelbësor në formësimin e këtij mozaiku të larmishëm.

Kjo larmi duhet të njihet dhe të festohet. Prandaj është thelbësore që komuniteti rom në Kosovë të ketë të njëjtat të drejta, të marrë trajtim të barabartë dhe më e rëndësishmja, të ketë qasje në të njëjtat mundësi. Fëmijët romë, vajza dhe djem, duhet të gëzojnë barazi dhe përfshirje të vërtetë që në moshë të hershme.

Megjithatë, realiteti për shumë gra dhe burra romë, vajza dhe djem në Kosovë mbetet i vështirë. Shumë prej tyre vazhdojnë të jetojnë në margjinat e shoqërisë, duke u përballur me sfida sistemike që pengojnë pjesëmarrjen e tyre të plotë në jetën shoqërore, ekonomike dhe politike.

Sfidat me të cilat përballen romët nuk lidhen vetëm me vështirësi individuale; ato reflektojnë probleme më të gjera shoqërore. Qasja e kufizuar në arsim, strehim, mundësi punësimi dhe kujdes shëndetësor adekuat janë vetëm disa nga padrejtësitë dhe diskriminimet që komuniteti rom vazhdon të përjetojë. Për më tepër, gratë dhe vajzat rome përballen me diskriminim t ë shumëfishtë të, si për shkak të përkatësisë etnike, ashtu edhe për shkak të gjinisë së tyre.

Është e vërtetë që mundësitë për punësim për komunitetin rom mbeten të pakta, kryesisht për shkak të mungesës së qasjes në arsim cilësor që përputhet me kërkesat e tregut të punës. Shumë romë janë të punësuar në punë të pakualifikuara brenda ekonomisë informale. Kjo pasqyrohet në një normë papunësie mbi 60% – më shumë se dyfishi i asaj të popullsisë së përgjithshme në Kosovë. Nevojiten përpjekje më të mëdha për të mbështetur punën e qendrave mësimore, të cilat shpesh vuajnë nga mungesa e financimit dhe e mundësive për zhvillim profesional për mësuesit e tyre.

Megjithatë, është bërë ca përparim. Më gëzon të shoh përmirësime në fushat e arsimit, punësimit dhe strehimit. Ka pasur zhvillime pozitive në mbështetjen e studentëve romë për të hyrë në arsimin e lartë përmes bursave, si dhe në përmirësimin e qasjes në banimin social, veçanërisht pas miratimit të Ligjit për Banimin Social të Përballueshëm. Për të adresuar martesat e hershme, braktisjen e shkollës dhe papunësinë në komunitetet e cenueshme, është krijuar një qasje bashkëpunuese përmes grupeve punuese ndërinstitucionale. Këto grupe të përbëra nga autoritete ligjore, institucione arsimore, punonjës socialë, komunitete lokale dhe organizata joqeveritare koordinojnë përpjekjet për të ofruar një përgjigje gjithëpërfshirëse ndaj këtyre sfidave komplekse.

Një zhvillim tjetër pozitiv është rritja graduale e përfaqësimit të disa komuniteteve pakicë në Policinë e Kosovës. Në vitin 2025, Policia e Kosovës organizoi një ceremoni diplomimi për 462 kadetë, me numrin e zyrtarëve romë në uniformë që u rrit nga 14 në vitin 2021 në 19 në vitin 2025. Këta zyrtarë janë tani të trajnuar plotësisht dhe të gatshëm për t’i shërbyer komuniteteve të tyre.

Për të siguruar përparim të qëndrueshëm, është thelbësore që Qeveria e Kosovës të zbatojë me vendosmëri Angazhimet e Poznanit dhe Strategjinë dhe Planin e Veprimit 2022–2026 për Përfshirjen e Komuniteteve Rome dhe Ashkali. Zbatimi i plotë i legjislacionit përkatës në të gjitha nivelet e qeverisjes është thelbësor.

Duke parë përpara, duhet të mbetemi të përkushtuar për ndërtimin e një shoqërie më gjithëpërfshirëse dhe të barabartë. Gratë dhe burrat romë, vajzat dhe djemtë duhet të kenë qasje në të njëjtat mundësi që u mundësojnë të gjithëve të përparojnë – qoftë në arsim, punësim, shëndetësi apo pjesëmarrje në jetën qytetare dhe politike. Lufta kundër diskriminimit dhe synimi për përfshirje të plotë duhet të jenë në qendër të politikave të Kosovës.

Bashkimi Evropian në Kosovë mbetet i përkushtuar për të luajtur rolin e tij në nxitjen e ndryshimeve pozitive. Kjo është një përpjekje e vazhdueshme që kërkon bashkëpunim të ngushtë me qeverinë dhe angazhim aktiv të shoqërisë civile. Duke trajtuar shkaqet rrënjësore të diskriminimit dhe përjashtimit, mund të ndihmojmë në ndërtimin e një Kosove më të barabartë, më të drejtë dhe më gjithëpërfshirëse për të gjithë.

Së bashku ia dalim!

Bahtalo 8 Aprili sa e Romenge!