Intervistë me ambasadorin e BE-së në Kosovë, Aivo Orav, në RTV21
RTV21: Ambasador Orav, faleminderit shumë që ndatë kohën tuaj me RTV21 sot!
Ambasadori Orav: Shumë faleminderit për ftesën!
RTV21: Ambasador, këtë intervistë do ta nis me zhvillimet më të fundit. Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për Dialogun, Peter Sørensen, erdhi në Kosovë për herë të parë që nga marrja e detyrës. Çfarë oferte ka pasur në tryezë, duke qenë se dialogu është në njëfarësoj i bllokuar?
Ambasadori Orav: Përfaqësuesi i ri i Posaçëm i Bashkimit Evropian, Peter Sørensen, u emërua më shumë se një muaj më parë. Tani, vizita e tij e parë në rajon ishte në Kosovë. Po, në fillim të javës, ai ishte tre ditë këtu. Ai erdhi këtu pak a shumë për të dëgjuar. Ai u takua me të gjithë liderët politikë, u takua me OJQ-të dhe u takua me komunitetin e biznesit. Ai udhëtoi nëpër Kosovë për të mësuar saktësisht se çka mund të bëhej. Ai nuk erdhi këtu me asnjë lloj oferte apo propozimi sepse më pas duhet të shkojë edhe në Beograd për të parë se çka presin ata, dhe pastaj do t’i përgatisë hapat e tij të ardhshëm.
RTV21: Pra, gjithçka lidhet me rifillimin e Dialogut? Dialogu ishte i bllokuar, Dialogu kishte probleme, Dialogu ishte në vështirësi njëfarësoj.
Ambasadori Orav: Fjala “vështirësi” është ndoshta e sakta. Sepse Dialogun veç e kemi, ose më mirë do të thosha procesin e normalizimit prej vitit 2013. Kanë qenë të shumtë ata që janë marrë me të. Ka progres deri diku, por sigurisht, synimi përfundimtar i këtij procesi normalizimi është normalizimi i plotë [i marrëdhënieve] ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Sepse nëse flasim për anëtarësimin edhe të Kosovës edhe të Serbisë në Bashkimin Evropian, atëherë ky normalizim është i domosdoshëm. Dhe më vjen shumë mirë që tani gjithçka është gati nga ana e Bashkimit Evropian, si të ngarkuarit që merren me të ashtu edhe idetë se si të ecim përpara. Tani është në dorën e palëve dhe ne shpresojmë shumë që do të ketë një qeveri të re edhe në Kosovë sa më shpejt që të jetë e mundur që të vazhdojmë.
RTV21: A ka ndonjë shenjë entuziazmi të ri në Bashkimin Evropian se Dialogu do të vazhdojë në rrugën e tij normale, se do të ketë rezultate? Apo do të ndryshoni pak nga çka është bërë deri tani? Dua të them, a do ta ndryshojë BE-ja qasjen e vet nga çka është bërë deri më tani?
Ambasadori Orav: Që ta marrësh përsipër një punë si kjo e Peter Sørensen, duhet të ketë shumë entuziazëm dhe optimizëm - por optimizëm kritik, sigurisht. Sepse kur bën një punë të tillë, nuk funksionon nëse zgjohesh në mëngjes dhe i thua vetes, sot do të shkoj përsëri në zyrën time dhe nuk mund të arrij asgjë. Pra, ai beson se ne mund të ecim përpara, unë besoj [se ne mund të ecim përpara njësoj si] Përfaqësuesja e re e Lartë. Pra, kjo do të thotë se po, nga ana jonë, ne duam të ecim përpara, sepse duam që sa më shpejt, pa vonesa, t’i afrojmë Serbinë dhe Kosovën me Bashkimin Evropian.
RTV21: Po ju pyes sepse ka situata të ndryshme dhe të vështira. Së pari, në Kosovë ende nuk ka qeveri pas zgjedhjeve. Së dyti, këto ditë në Serbi është një situatë e tensionuar, sot për shembull. A beson BE-ja se palët janë në gjendje ta zbatojnë çka është dakorduar më parë?
Ambasadori Orav: Mendoj se nuk do të jetë një qasje serioze nga ana jonë nëse ankohemi dhe presim që të vijnë kohë më të mira. Sepse gjithmonë diçka nuk shkon në këtë botë dhe BE-ja është ajo që përpiqet t’i rregullojë gjërat. Natyrisht, akterë të tjerë në botë po i prishin gjërat dhe zakonisht Bashkimi Evropian është ai që po i rregullon gjërat. Dhe rregullimi është gjithmonë shumë më i ndërlikuar sesa prishja e gjërave. Pra, formimi i qeverisë këtu kërkon më shumë kohë. Ne e kuptojmë plotësisht këtë. Shpresojmë shumë që qeveria e re të jetë një qeveri e qëndrueshme, e aftë që të bashkëpunojë dhe realizojë punët.
RTV21: Pra, nuk do të prisni që palët të krijojnë një agjendë. A do t’i thërrisni dhe do t’i çoni në Bruksel për t’u dakorduar apo për të diskutuar së bashku?
Ambasadori Orav: Epo, dua të them një shembull i mirë është që Peter Sørensen veç ishte këtu këtë javë për të mësuar se çka mund të bëhet tani. Ndoshta shumë shpejt ai do të udhëtojë për në Beograd. Më pas, të shohim se si mund të vazhdojmë, sepse për momentin nuk u është ofruar asnjë plan palëve këtu para se ai të flasë me të tjerët. Natyrisht, kam dëgjuar një lloj pritje që tani kjo është një qasje krejtësisht tjetër, se gjithçka do të bëhet ndryshe. Mendoj se marrëveshja e vitit 2013 është diçka për të cilën Bashkimi Evropian është shumë krenar dhe ne nuk mund ta harrojmë atë. Pra, ne duhet ta zbatojmë atë, ne, palët duhet t’i zbatojmë të gjitha marrëveshjet që janë arritur - janë më shumë se 90 marrëveshje. Disa prej tyre veç janë zbatuar, disa prej tyre deri diku, dhe disa prej tyre janë harruar njëfarësoj. Por të gjitha duhet të zbatohen, kështu që kjo është edhe detyra e lehtësuesit të Bashkimit Evropian: t’u ofrojë palëve mundësinë ose të gjejnë mënyra për të siguruar që gjithçka do të zbatohet.
RTV21: Pra, nëse flasim për Marrëveshjen Themelore dhe Aneksin, apo Aneksin e Ohrit siç quhet, ato dokumente nuk mund të ndryshohen, nuk mund të ndryshohen deri më tani dhe kushdo që është në pushtet në Kosovë apo Serbi duhet t’i zbatojë me përpikëri. Po e bëj këtë pyetje sepse kundër këtyre dokumenteve ka reagime të forta nga opozita në Kosovë. A do të shohim që ju do t’i shtyni këto palë t’i zbatojnë ato dy marrëveshje themelore?
Ambasadori Orav: Vitin e shkuar është diskutuar më së shumti për marrëveshjen e normalizimit të Ohrit, por ka edhe shumë marrëveshje të tjera, të cilat ende nuk janë zbatuar. Dhe paralelisht me këtë marrëveshje të Ohrit, palët duhet të ecin përpara edhe me marrëveshje të tjera. Dhe po, dua të them që gjithçka që është dakorduar duhet të zbatohet. Nëse nuk zbatohet, nëse dakordohet diçka tjetër, por - për momentin - nuk është dakorduar tjetër dhe shpresojmë shumë që ato marrëveshje të zbatohen.
Tani, nëse marrim Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, po. Kjo duhet të zbatohet dhe kjo është një nga të paktat, ose e vetmja marrëveshje që është ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës me shumicë dy të tretash. Pra, do të thotë që nëse ratifikohet, atëherë duhet të zbatohet. Nëse hapi i parë është bërë, atëherë edhe hapi i dytë duhet të bëhet. Por, e njëjta gjë vlen edhe për palën tjetër, për Serbinë, sepse nëse flasim për detyrimin që të mos e pengojë Kosovën të anëtarësohet në organizatat ndërkombëtare, para së gjithash, nëse flasim për Këshillin e Evropës, Serbia nuk duhet ta pengojë. Dhe ky është një qëndrim shumë i qartë i Bashkimit Evropian, i cili është komunikuar disa herë edhe nga Brukseli.
RTV21: Por kur përmendni draft statutin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë, ekziston një dokument, ai është dokumenti i BE-së, pasi që është miratuar si dokument i BE-së. Por, në Kosovë ende ka qëndrime të ndryshme për këtë. Mes një “non-paper” dhe një dokumenti zyrtar, a do të jetë e detyruar Kosova ta dërgojë këtë në Gjykatën e vet Kushtetuese?
Ambasadori Orav: Ne kemi Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së për Dialogun dhe nuk dua ta bëj punën e tij duke thënë se çka duhet të bëjë saktësisht Kosova në këtë drejtim. Sërish, Asociacioni i komunave me shumicë serbe është domosdoshmëri. Duhet të zbatohet. Dhe tani Peter Sørensen ishte këtu për të dëgjuar liderët politikë, cilat janë pritjet, çka mund të bëhet dhe çka nuk mund të bëhet, por le të shohim se kur do të kthehet herën tjetër dhe çka do të ofrojë ose do t’u kërkojë palëve të bëjnë.
RTV21: Pra, për BE-në, ky është dokumenti zyrtar?
Ambasadori Orav: Po, e vërtetë!
RTV21: Dhe nuk do ta hapni apo rihapni, nëse vjen në fazën tjetër pas krijimit të qeverisë së re të Kosovës?
Ambasadori Orav: Sërish, nuk do të doja të komentoja për këtë sepse kjo është puna e Peter Sørensen, Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së, i cili paguhet për ta bërë këtë punë.
RTV21: Pra, ambasador, të gjithë këta hapa, përfshirë edhe zbatimin e marrëveshjes, asaj Themelore, Marrëveshjes së Ohrit, draft-statutit që do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese, deri në çfarë mase e përcaktojnë këta hapa rrugën evropiane të Kosovës? Deri në çfarë mase e pengojnë?
Ambasadori Orav: Siç thashë edhe më parë, synimi përfundimtar i këtij procesi është normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Dhe kështu ata mund të anëtarësohen në Bashkimin Evropian. Sigurisht, përpara këtij normalizimi përfundimtar, kjo nuk është e mundur të arrihet. Unë nuk dua të merrem me secilin hap tani, nëse njëra palë ose pala tjetër do ta bëjë atë hap ose hap tjetër, do ta zbatojë këtë marrëveshje ose një marrëveshje tjetër. Dua të them se gjithçka duhet të zbatohet, [çdo gjë që] është dakorduar [duhet të zbatohet]. Nëse duhet dakorduar diçka tjetër, mirë, por synimi përfundimtar është normalizimi në mënyrë që të dy të mirëpriten - ndoshta në të njëjtën ditë - në Bashkimin Evropian.
RTV21: Por ambasador, Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian ose veç e ka dorëzuar kërkesën e vet. Është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që nuk ka një përafrim me Bashkimin Evropian, si vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, pasi që aplikimi nuk është diskutuar ende nga shtetet anëtare të BE-së. Pritjet e kosovarëve janë të larta, por skepticizmi ndaj BE-së mund të rritet nga mosveprimi në raport me Kosovën.
Ambasadori Orav: Po, aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian erdhi në dhjetor 2022 dhe Komisioni Evropian është i gatshëm ta shqyrtojë ose të japë opinionin e vet për anëtarësimin e Kosovës sapo 27 shtetet anëtare të dakordohen për ta dërguar këtë aplikim në Komision. Pra, ajo që është e rëndësishme të përmendet në këtë fazë është se është rikthyer politika e zgjerimit të BE-së. Ne e themi këtë si një lloj slogani se politika e zgjerimit të BE-së ka qenë politika më e suksesshme dhe kjo është e vërtetë. Por pak kohë para vitit 2022, ka pasur një periudhë kur, le të themi, mbase nuk merrej aq seriozisht nga të dyja palët, por tani është kthyer. Kur BE-ja flet për zgjerim, ne jemi shumë seriozë. Ne, dua të them, shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, dhe e di fare mirë sepse para se të vija këtu më 1 shtator, unë punoja në Bruksel nga ana tjetër e rrugës, dua të them, duke përfaqësuar një shtet anëtar në Këshill. Pra, të gjithë flasin seriozisht për zgjerimin në këtë mjedis gjeopolitik shumë konfuz, të çuditshëm dhe të rrezikshëm. Ne kemi nevojë për të gjithë ata që janë potencialisht me ne. Dhe, sigurisht, të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor janë në Evropë; ata janë potencialisht anëtarë të Bashkimit Evropian dhe ne shpresojmë shumë që të lëvizim sa më shpejt që të jetë e mundur. Pra, shpresoj shumë që kjo çështje që sapo përmendët të konsiderohet e mbyllur së shpejti.
RTV21: Ju po dërgoni optimizëm tek kosovarët se duhet të jenë optimistë në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Ambasadori Orav: Unë mendoj në të njëjtën mënyrë. Siç e përmenda, nëse ata që janë duke punuar për procesin e zgjerimit besojnë se nuk mund të bëhet asgjë, atëherë asgjë nuk do të ndodhë. Dhe nëse populli i Kosovës beson se asgjë nuk mund të ndodhë, atëherë asgjë nuk do të ndodhë. Dhe është e rëndësishme që qeveria, edhe ajo e radhës, të jetë gati për momentin, që nëse procesi fillon të lëvizë, le të themi se treni po lëviz, atëherë treni nuk do të largohet pa Kosovën. Këtu është shumë e rëndësishme të përmendet edhe një numër sepse tani, pas zgjedhjeve, po takohem edhe me politikanë dhe po flas me shumë njerëz, dhe më pas përdoren numra të ndryshëm. Përqindje të ndryshme: 42%, 17%. Por, numri më i rëndësishëm për ne është 92. Nëntëdhjetë e dy për qind e popullsisë së Kosovës e mbështet anëtarësimin në Bashkimin Evropian, kështu që ata presin të bëhen anëtarë. Pra, kjo është pyetja për ju. Gjithashtu, nuk ka pesimistë, ndoshta 8% janë pesimistë, ose për çfarëdo arsye, ata nuk janë mbështetës. Por 92% janë optimistë dhe duan të anëtarësohen, gjë që vendos shumë përgjegjësi mbi anën tonë dhe shumë përgjegjësi mbi qeverinë e ardhshme për t’i përmbushur pritjet e atyre njerëzve.
RTV21: Por ata 92% presin që shtetet anëtare të BE-së të shohin, të diskutojnë, t’i hapin rrugën Kosovës, për aplikimin e Kosovës për anëtarësim.
Ju thoni se kjo do të ndodhë kur 27 vendet të dakordohen mes tyre.
Ambasadori Orav: Po.
RTV21: Dhe është proces mjaft i gjatë, Ambasador?
Ambasadori Orav: Kësaj nuk i dihet, sepse tani gjërat po ndodhin shumë shpejt. Domethënë, pas intervistës, do ta kontrolloj sërish telefonin tim për të parë se në çfarë bote po jetojmë sot; gjërat mund të ndodhin shumë shpejt. Dhe shpresoj shumë që qeveria e ardhshme të jetë e qëndrueshme dhe të kemi një partneritet dhe bashkëpunim shumë të ngushtë. Ajo që mund të bëjë qeveria është t’i bindë partnerët se duhet të ecim përpara.
RTV21: Ambasador, sa i përket të ardhmes evropiane të Kosovës, në Kosovë është zhvilluar një proces zgjedhor. Ju jeni takuar me liderë politikë nga i gjithë spektri këtu në Kosovë pas përfundimit të këtij procesi. Ju thatë se keni diskutuar për hapat e ardhshëm pas zgjedhjeve dhe unë citoj: “Vuri në dukje se shumica dërrmuese e njerëzve në Kosovë aspirojnë të anëtarësohen në BE. Qeveria e re duhet të ndjekë në mënyrë aktive reformat për ta realizuar këtë.” Çfarë reformash keni kërkuar konkretisht nga lidershipi i Kosovës?
Ambasadori Orav: Bashkimi Evropian, domethënë zyra jonë këtu, e përgatit çdo vit raportin vjetor. Dhe ideja e këtij raporti është të përvijojë gjithçka që duhet bërë ende. Në një botë ideale, ky raport do të duhej të bëhej gjithnjë e më i hollë çdo vit, në mënyrë që më në fund, të kishte vetëm disa fjali, dhe mesazhi për qeverinë do të ishte: këto janë fushat që ende duhen kryer, dhe pastaj jeni brenda. Dua të them, nuk po jetojmë në një botë ideale. Po themi edhe shumë gjëra të tjera, po i shtyjmë institucione të ndryshme etj. Por ajo që është e rëndësishme në këtë raport vjetor, së pari, kur e përgatisim, është se ne punojmë si njësi e radiologjisë. Ne duhet të dimë gjithçka që po ndodh në shoqëri. Më pas e përshkruajmë situatën dhe identifikojmë mangësitë – çka duhet bërë. Pastaj, ka rekomandime se çfarë veprimesh duhet të ndërmerren. Pra, ky është një dokument i përsosur për qeverinë e re nëse do të përgatisë një marrëveshje koalicioni apo një program qeveritar, për ta marrë për bazë dhe për të shkuar drejt Bashkimit Evropian. Reformat janë të shumta: sundimi i ligjit, i cili është gjithmonë i rëndësishëm në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, të drejtat e njeriut, reforma ekonomike dhe reforma mjedisore. Pra, ka një gamë të plotë të çështjeve që duhet të adresohen.
RTV21: Dhe veç tyre, Dialogu?
Ambasadori Orav: Dhe, natyrisht, veç tyre, procesi i normalizimit. Të gjitha këto gjëra duhet të bëhen. Sërish, BE-ja luan rol motivues. Sepse pa motivimin e BE-së, shumë vende, të cilat janë anëtarësuar më parë, do të thoshin: “Nuk na duhet kjo reformë, kujt i intereson? Ka kosto politike nëse e bëjmë diçka të tillë.” Le të themi mjedisi, vendosja e disa filtrave ose mjeteve të pastrimit për fabrikat. Është e kushtueshme dhe atëherë ato fabrika do të jenë më pak konkurruese. Pra, asnjë politikan nuk dëshiron ta bëjë këtë vullnetarisht. Kjo shtyhet nga Bashkimi Evropian dhe shpresa e anëtarësimit një ditë në Bashkimin Evropian është diçka që u ndihmon shumë politikanëve të bëjnë ato gjëra që e bëjnë botën tonë më të mirë. Gjithashtu, kur vendet anëtarësohen në Bashkimin Evropian, ato mund të fillojnë të punojnë si shtete anëtare me të drejta të plota.
RTV21: Këtu në Kosovë ka një lloj përplasje mes forcave politike për formimin e qeverisë. A mundet një qeveri e pakicës, që mund të formohet, ta ngadalësojë kërkesën tuaj për reforma? A mund të ketë probleme me rrugën e integrimit?
Ambasadori Orav: Ne jemi vizitorë në vendin tuaj dhe nuk do të themi se kush duhet të jetë në qeveri. Por ajo që unë shpresoj shumë që të ketë një qeveri sa më shpejt që të jetë e mundur kur të jenë plotësuar të gjitha procedurat, natyrisht, për numërimin e votave dhe të gjitha ankesat e kështu me radhë. Dhe shpresoj shumë që kjo qeveri të jetë e qëndrueshme dhe të mundemi të punojmë së bashku, duke mos shkuar menjëherë në një fushatë të re zgjedhore. Sepse kjo mund t’i dëmtojë pak reformat dhe entuziazmin.
RTV21: Çka do të thotë një qeveri e qëndrueshme për ju?
Ambasadori Orav: Një qeverise e qëndrueshme do të thotë që nëse premtojnë diçka, atëherë e realizojnë. [Kjo gjithashtu do të thotë] se mund të premtojnë.
RTV21: Mirë. Ka shumë shqetësime pas rastit të Banjskës, Ambasadori Orav. Kosova u la nën masat e BE-së, por nga Serbia nuk u kërkua përgjegjësi e drejtpërdrejtë. Pse nuk ka veprim të BE-së për Banjskën dhe për raste të tjera, si për shembull Ibër-Lepenci?
Ambasadori Orav: Gjatë dy viteve, dy vjet po, ka pasur tri vepra të rënda. E para ishte në maj 2023; e dyti ishte rasti i Banjskës, dhe tani, natyrisht, ky sulm terrorist kundër kanalit të ujit. Pra, çfarë ka bërë BE-ja? Ne kemi treguar solidaritet me Kosovën. Por ndërkohë edhe qëndrimi ynë është mjaft i qartë, dhe [i komunikuar] publikisht shumë herë: të gjithë kryesit e rastit të Banjskës duhet të dalin para drejtësisë. Ne i kemi kërkuar edhe Serbisë që të bashkëpunojë për këtë rast.
RTV21: Kur do të hiqen masat e BE-së?
Ambasadori Orav: Diskutimi është në vazhdim.
RTV21: U bënë tre vjet që diskutimet po vazhdojnë.
Ambasadori Orav: Diskutimi është në vazhdim. Kur u vendosën masat, kërkohej de-përshkallëzimi dhe mund t’ju siguroj se diskutimet po vazhdojnë. Por, për t’i hequr këto masa, të 27 shtetet duhet të dakordohen. Kur Peter Sørensen ishte këtu, kjo çështje u ngrit edhe nga të gjitha partitë politike, komuniteti i biznesit dhe shoqëria civile dhe ai do ta çojë këtë mesazh në Bruksel.
RTV21: Pse të mos hiqen masat në kohën kur po kërkoni që Kosova dhe Serbia të ulen? Pse të mos jepet një shenjë e mirë, pozitive për palët, veçanërisht për Kosovën, se duhet bërë diçka për të ecur përpara? Çka e ka penguar deri tani heqjen e masave kundër Kosovës?
Ambasadori Orav: Siç thashë, ne kemi nevojë për konsensus. Të 27 shtetet anëtare duhet të dakordohen, ndaj shpresojmë që kjo qeveri, e cila do të formohet së shpejti, do të ndihmojë që shtetet anëtare të binden për heqjen e këtyre masave.
RTV21: A ka bërë diçka të gabuar Kosova – shumë më të gabuar, meqë masat ende nuk janë hequr? Cili ishte gabimi i Kosovës pas rastit të Banjskës që nuk kontribuoi në heqjen e masave?
Ambasadori Orav: Tani, arsyeja pse masat u vendosën gati dy vjet më parë ishte ndryshe. Kjo ishte për shkak të përshkallëzimit në veri. Siç kam thënë, për t’i hequr masat, ne kemi nevojë për konsensus nga të 27 shtetet anëtare.
RTV21: Ambasador, flasim për veriun dhe Kosovën. BE-ja dhe vendet e tjera kanë kërkuar nga Kosova koordinim. Por, qeveria në Prishtinë thotë se është duke ndërmarrë veprime bazuar në atë që është dakorduar dhe të drejtën e vet për ta shtrirë sovranitetin në çdo skaj të Kosovës. Mbi të gjitha, sipas qeverisë së Kosovës, beteja po bëhet edhe për vendosjen e sundimit të ligjit. A nuk ishte BE-ja paksa e ashpër ndaj Kosovës, veçanërisht kur bëhet fjalë për pjesën veriore të Kosovës?
Ambasadori Orav: Sa i përket institucioneve të drejtuara nga Serbia në Kosovë, qëndrimi i BE-së është mjaft i qartë: se kjo çështje duhet të zgjidhet përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Dhe siç u tha, qeveria veproi në mënyrë tjetër. Ky është problemi.
RTV21: Pra, qeveria nuk i dëgjoi mesazhet e BE-së? Po, apo jo?
Ambasadori Orav: Jo. Dua të them, marrëveshja është marrëveshje e lehtësuar nga BE-ja, dhe po, kjo duhet të zgjidhet përmes Dialogut. [Nëse nuk është kështu], atëherë ka një problem.
RTV21: Ambasador Orav, ju falënderoj shumë që ishit me mua sot.
Ambasadori Orav: Faleminderit shumë për këtë mundësi për të ardhur në studion tuaj.
Intervista e plotë këtu: https://www.youtube.com/watch?v=qZ89rzBaLRw