Fuqia ekonomike e përfshirjes së më shumë grave në tregun e punës

Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, ne vlerësojmë përparimin e bërë ndër vite për avancimin e të drejtave të grave, duke reflektuar gjithashtu për çka duhet bërë ende. Në mbarë botën vazhdojnë të ketë barriera ndaj arritjes së barazinë mes femrave dhe meshkujve. Kosova nuk bën përjashtim. 

Gratë në Kosovë përballen me sfida të shumta: qasje e kufizuar në pronë dhe resurse, përgjegjësi joproporcionale për kujdesin ndaj fëmijëve dhe familjes, ekspozim më i madh ndaj ngacmimeve, diskriminim në punësim, si dhe pritje të bazuara në stereotipe. Këta faktorë kontribuojnë në pjesëmarrjen jashtëzakonisht të pabarabartë të grave në tregun e punës në Kosovë, ku vetëm rreth 20% janë të punësuara. 

Veç kësaj, gratë janë të mbipërfaqësuara në ekonominë informale, shpesh në punë me pagë më të ulët. Numri i grave ndërmarrëse është margjinal dhe gratë vazhdojnë të jenë të nënpërfaqësuara në pozitat vendimmarrëse si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat. 

Kjo nuk është vetëm shqetësuese, por paraqet edhe pengesë për zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të Kosovës. Edhe pse ka rrezik të dukem tepër ambicioz, do t’i inkurajoja të gjithë në Kosovë që ta shënojnë Ditën Ndërkombëtare të Gruas 2025 duke u fokusuar në mënyrën se si përfshirja më e madhe e grave në tregun e punës mund të kontribuojë në rritjen dhe përparimin ekonomik të Kosovës. 

 

Plani i Rritjes dhe mundësitë që ai ofron

Prej ardhjes sime disa muaj më parë, shumë nga diskutimet e mia me autoritetet, shoqërinë civile dhe partnerët janë fokusuar në nevojën për të avancuar funksionimin e ekonomisë së tregut, politikat e punësimit dhe kushtet e punës. Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, me më shumë se 880 milionë euro të destinuara për Kosovën, synon të nxisë zhvillimin e përgjithshëm ekonomik. Ai përfshin gjithashtu dispozita të qarta për avancimin e barazisë gjinore dhe fuqizimin e grave dhe vajzave.

Është e rëndësishme që Kosova ta shfrytëzojë plotësisht Planin e Rritjes për të arritur barazinë ekonomike, pasi rritja gjithëpërfshirëse dhe progresi do të jetë i vështirë pa të. Një kërkesë themelore për këtë është integrimi i barazisë gjinore në politikat ekonomike të Kosovës.

 

Arritja e barazisë ekonomike

Pyetja është: si të arrihet barazia ekonomike? Rruga drejt barazisë ekonomike për gratë në Kosovë kërkon përfshirjen e tyre të plotë në tregun e punës, duke ua mundësuar që të kontribuojnë plotësisht. Normat shoqërore shpesh i vendosin gratë në rolet e kujdesit, duke kufizuar rritjen e tyre profesionale dhe qasjen në fuqinë punëtore më të gjerë. Diskriminimi i lidhur me amësinë mbetet i përhapur, pasi që gratë vazhdojnë të mbajnë përgjegjësinë kryesore për fëmijët dhe të moshuarit. 

Mungesa e shërbimeve dhe objekteve për kujdesin për fëmijë në Kosovë, veçanërisht për fëmijët nën tre vjeç, krijon barriera për punësimin e grave dhe qëndrueshmërinë e karrierave të tyre. Për më tepër, segregimi horizontale në arsim dhe trajnim profesional i shpie gratë drejt profesioneve me pagesë të ulët, ndërsa vetëm një përqindje e vogël ndjek fushat shkencore dhe teknologjike (STEM) që ofrojnë mundësi më të mira profesionale. E rëndësishme është se një numër i konsiderueshëm i grave janë të angazhuara në punë informale, çka nuk ofron mbrojtje sociale dhe siguri në punë. Ky informalitet shpesh nuk vërehet në statistikat zyrtare të punësimit, duke e errësuar më tej masën e vërtetë të kontributeve ekonomike të grave.

 

Cila është rruga përpara?

Kosova ka bërë përparim të rëndësishëm në legjislacionin për barazinë gjinore duke i përshpejtuar reformat me procesin e integrimit në BE. Ligji për Barazinë Gjinore dhe Ligji për Mbrojtjen nga Diskriminimi kanë hedhur themelet për barazinë e grave.  Megjithatë, arritja e fuqizimit ekonomik të grave kërkon një qasje sistemike që e lehtëson qasjen e grave në punë në të gjitha nivelet, i mbështet ato në vendin e punës dhe riformëson strukturat shoqërore. Është esenciale të sigurohen mjedise të sigurta të punës, politika miqësore ndaj familjes, mekanizma të përforcuar monitorimi dhe zbatimi të ligjeve dhe politikave, si dhe adresimi efektiv i shkeljeve. 

Shumë nga këto sfida mund të gjejnë përgjigje përmes përafrimit me legjislacionin dhe politikat e BE-së, veçanërisht me Direktivën për Ekuilibrin Punë-Jetë. Direktiva promovon barazinë gjinore duke inkurajuar një ndarje më të drejtë të përgjegjësive të kujdesit ndërmjet burrave dhe grave. Direktiva përfshin gjithashtu dispozita për pushimin e atësisë, pushimin prindëror dhe aranzhimet fleksibël të punës për prindërit dhe kujdestarët.  Për dallim, Ligji aktual i Punës në Kosovë nuk i plotëson standardet e nevojshme për të inkurajuar përfshirjen e grave në vendin e punës dhe duhet të përditësohet në përputhje me Direktivën për të lehtësuar një shpërndarje më të barabartë të përgjegjësive familjare. 

Veç kësaj, Kosova duhet të zbatojë masat për punësimin, si në administratën publike ashtu edhe në kompanitë private, për të promovuar punësimin e grave, veçanërisht në rolet udhëheqëse. Në përputhje me agjendën për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, gratë duhet të përfshihen në mënyrë aktive në vendimmarrje në të gjitha nivelet, në qeverisje dhe udhëheqje. 

Besoj se Qeveria e re e Kosovës do t’i japë përparësi miratimit të Ligjit të ri të Punës në përputhje me Direktivën për Ekuilibrin Punë-Jetë. Kjo gjithashtu duhet të forcojë punën, përgjegjësitë dhe resurset e Inspektoratit të Punës, në mënyrë që të mund të trajtojë ekonominë informale dhe të garantojë respektimin e të drejtave të grave punëtore. Për më tepër, duke inkorporuar fuqizimin ekonomik të grave në Programin e ri të Kosovës për Barazi Gjinore dhe në Planin e Ri Kombëtar të Veprimit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, Kosova do të pozicionohet më mirë për të arritur barazi të plotë ekonomike.

 

Roli i BE-së në promovimin e barazisë gjinore

BE-ja veç po i ndihmon Kosovës me sfidat që sjell zbatimi i direktivave dhe politikave të BE-së. Për shembull, ndërtimi i kopshteve të fëmijëve do të ofrojë mbështetjen e nevojshme për kujdesin ndaj fëmijëve, duke u mundësuar grave të konkurrojnë në kushte të barabarta. 

Përmes granteve për gratë ndërmarrëse dhe fermere nga të gjitha komunitetet e Kosovës, shumë prej tyre kanë hapur dhe i mbajnë me sukses bizneset e tyre. Vajzat e reja po fitojnë shkathtësi të TI-së përmes programeve të trajnimit të financuara nga BE-ja. Organizatat e shoqërisë civile për të drejtat e grave po përdorin grantet e BE-së për të zhvilluar të dhëna të sakta të tregut të punës dhe për të ofruar rekomandime për të përmirësuar barazinë. 

BE-ja gjithashtu mbështet dhe monitoron politikat që synojnë t’i japin fund dhunës dhe diskriminimit ndaj grave në përgjithësi, dhe veçanërisht në vendin e punës, si dhe inkurajon politikat që ofrojnë fuqizim ekonomik të grave. Për fundi, me shumë rëndësi është që BE-ja po mbështet administratën qendrore dhe komunale të Kosovës për ta integruar barazinë gjinore në të gjitha politikat, ligjet dhe buxhetet. 

Gratë janë këtu dhe janë të gatshme të marrin pjesë. Kosova duhet t’ua mundësojë dhe t’i mbështesë që ta arrijnë potencialin e tyre të plotë. Është vërtetuar me fakte se përfshirja e grave në tregun e punës dhe mbështetja e strukturave të dedikuara për gratë, ua mundësojnë të jenë produktive. Kjo, nga ana tjetër, kontribuon në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik. BE-ja është aleat në këtë përpjekje dhe do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën.

 

Op-ed i botuar nga Koha