Deklarata e shteteve të Quint-it dhe BE-së për vendimin e qeverisë së Kosovës të datës 13 maj për të mos ia lejuar hyrjen patriarkut të Kishës ortodokse serbe dhe klerikëve që e shoqëronin atë

Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë janë të shqetësuara me vendimin e qeverisë së Kosovës për të mos lejuar patriarkun Porfirije të Kishës ortodokse serbe dhe peshkopët që e shoqëronin atë për të hyrë në Kosovë për të marrë pjesë në ngjarjen e fillimit ceremonial të kuvendit të rregullt vjetor të Sinodit në Patriarkanën e Pejës.

Vendimi i qeverisë është në kundërshtim me dispozitat e Planit të Ahtisarit, i cili i përshkruan qartazi të drejtat, privilegjet dhe imunitetet për klerin e Kishës ortodokse serbe, si dhe nuk është në përputhje me detyrimet e Kosovës në dialogun e BE-së.

Presim që qeveria e Kosovës të përmbushë standardet më të larta për të drejtat e njeriut si në kornizën e saj ligjore ashtu edhe në veprimet e saj, të veprojë në interes të të gjithë qytetarëve të saj dhe t'i respektojë vlerat dhe përgjegjësitë thelbësore ndaj stabilitetit rajonal.

Vazhdojmë t’ju bëjmë thirrje të dy palëve që të përmbahen nga çdo veprim dhe retorikë që mund të rrisë tensionet dhe të çojë në incidente.