Një qasje e re ndaj mjedisit tonë - Si i mbështet procesi i integrimit në BE përpjekjet vendore për të pastruar, ricikluar dhe mbrojtur biodiversitetin e Shqipërisë.

Disa stacione monitorimi në Tiranë kanë regjistruar nivele të dyoksidit të karbonit (CO2) mbi kufijtë e pranueshëm, ndërsa përqendrimi i grimcave të imëta PM2.5 dhe PM10 ka tejkaluar kufijtë e vendosur nga organizatat ndërkombëtare si Organizata Botërore e Shëndetësisë. Përqendrime të larta të dyoksidit të azotit (NO2) në zona me trafik intensiv dhe një rritje e dukshme e temperaturave në zona të caktuara urbane janë regjistruar aty ku sipërfaqet prej asfalti dhe betoni e ruajnë nxehtësinë për periudha të gjata. Këto gjetje janë pjesë e një studimi të përgatitur në kuadër të projektit “GreenAL”, hartuar dhe publikuar nga Co-PLAN. Monitorimi alternativ i cilësisë së ajrit dhe ndotjes akustike në Tiranë ka nxjerrë në pah përqendrime të larta të disa ndotësve kryesorë. Rezultatet e këtij studimi japin një pasqyrë të çështjeve kryesore që lidhen me ndotjen e ajrit dhe ndotjen akustike në qytet, duke ndihmuar për marrjen e masave të nevojshme për përmirësimin e kushteve mjedisore. Në të njëjtën kohë, seminare mbi çështjet e menaxhimit të ujit për lumenjtë Drin dhe Buna kanë identifikuar një tjetër realitet të zymtë në Shqipëri - një ulje të pritshme të reshjeve të verës me pothuajse 9-20% deri në vitin 2050, duke çuar në një reduktim të rimbushjes së ujërave nëntokësore që lidhen me ndryshimet në sezonalitetin e reshjeve të shiut dhe reshjeve të borës.

Boville Albania Tirana

Ndërsa ndryshimi i klimës, mbetjet plastike dhe ndotja po rrezikojnë speciet dhe ujërat e Tokës, duke kërcënuar vetë jetën, i gjithë cikli i jetës ka nevojë tani më shumë se kurrë për një përpjekje të shtuar dhe sistematike njerëzore. Duke njohur rëndësinë dhe ndikimin e mundshëm të këtyre përpjekjeve në mjedisin tonë, Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri ka mbështetur disa nisma – disa tashmë të përfunduara, të tjera aktualisht në vazhdim – në fusha të ndryshme, duke filluar nga pastrimi, riciklimi, reduktimi dhe ripërdorimi, deri te mbrojtja e mjedisit dhe promovimi i rritjes së qëndrueshme.

 

Nëpërmjet projektit “BE për Ekonominë Rrethore dhe Rritjen e Gjelbër - Infrastruktura e Mbetjeve në Shqipëri”, ndikimi mjedisor dhe shëndetësor i mbetjeve të ngurta në Gjirokastër, Kukës dhe Vlorë aktualisht po reduktohet. Projekti po përmirëson kushtet e jetesës së 190.000 banorëve në këto tre rajone të ndryshme. Me rritjen e kapaciteteve infrastrukturore, duke mbështetur ekonominë rrethore dhe rritjen e gjelbër, efiçencën e burimeve, riciklimin dhe ripërdorimin, projekti përfshin edhe studime, investime në drejtim të punimeve, si dhe furnizim me pajisje dhe asistencë teknike. Ai po mbështet bashkitë dhe kompanitë e tyre të shërbimeve për menaxhimin e infrastrukturës së re, si dhe fushatat publike dhe ndërgjegjësimin. Nisma të tjera të financuara nga BE-ja kanë përmirësuar mbrojtjen e mjedisit, duke ofruar modele të gjelbra biznesi, duke hartuar programe parandaluese për mbetjet, duke ndihmuar për ndërtimin e qendrave të kompostimit apo objekteve të rikuperimit të materialeve, përfshirë një plan për menaxhimin e mbetjeve të rrezikshme. Për më tepër, nëpërmjet “BE për lumenjtë” dhe “BE për një mjedis më të pastër – Programi i performancës dhe investimeve në sektorin e ujit”, statusi i cilësisë së trupave ujorë në Shqipëri po ruhet apo përmirësohet, duke nxitur një reformë kombëtare të ujit dhe duke investuar për një infrastrukturë të re dhe të rehabilituar të ujit dhe ujërave të zeza, duke kontribuar gjithashtu edhe në aspektet mjedisore dhe në sigurinë hidrike.

Girl holding a tree, Albania

Në programe afatgjata dhe gjithëpërfshirëse, të cilat përfshijnë fusha të ndryshme, shprehitë eko-miqësore, reduktimi i përdorimit të energjisë, mbështetja për burimet e rinovueshme të energjisë dhe kujdesi për natyrën janë theksuar përmes nismave ndërgjegjësuese, masave konkrete dhe mbështetjes për projekte të ndryshme.

 

Prodhimi i hidroenergjisë, energjia e gjelbër, sistemet e ujit dhe ujërave të zeza, mbrojtja nga përmbytjet dhe menaxhimi i mbetjeve të ngurta në të 61 bashkitë e vendit janë përfshirë si projektet kyçe të infrastrukturës në “Kornizën e Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF)”, një tjetër program i financuar nga BE-ja. Zgjidhjet novatore, të gjelbra dhe gjithëpërfshirëse për sistemet e qëndrueshme të ushqimit dhe mjetet e jetesës, si dhe promovimi i mëtejshëm i tyre për të trajtuar sfidat që lidhen me ndryshimet klimatike dhe humbjet e biodiversitetit janë përfshirë në Akademinë “Nga ferma në tryezë për Ballkanin Perëndimor të Gjelbër - E ardhmja jonë e përbashkët evropiane". Këtu, qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor përfitojnë nga një sistem ushqimor i shëndetshëm dhe miqësor ndaj mjedisit, si dhe nga fermerët dhe shoqatat e fermerëve të tyre në të gjithë rajonin.

Nature Albania

Në disa projekte të përfunduara dhe aktivitete të organizuara, janë hartëzuar qendra solide ndotjeje, janë pastruar lumenjtë, ndërsa është ulur ndotja e ujërave bregdetare të Adriatikut, janë mbrojtur ekosistemet e rajonit ndërkufitar Ohër-Prespë, është rritur ndërgjegjësimi i komuniteteve që jetojnë pranë parqeve kombëtare, si dhe janë fuqizuar njëkohësisht organizatat e shoqërisë civile për mbrojtjen e mjedisit në Shqipëri. Të gjitha këto nisma i kanë paraprirë projektit “BE për Natyrën - Në mbështetje të Shqipërisë për arritjen e standardeve Natyra 2000 dhe mbrojtjen e biodiversitetit në zonat e mbrojtura (ZM)”, që po punon për të kontribuar në mbrojtjen dhe ruajtjen e të paktën 25 për qind të territorit shqiptar (në tokë dhe në det) deri në vitin 2030. Ky synim ambicioz do të arrihet përmes ngritjes dhe menaxhimit efektiv të një sistemi të zonave të mbrojtura, përfshirë sitet NATYRA 2000, si dhe masa të tjera efektive të ruajtjes sipas zonave. Ai mbështet Shqipërinë për përmirësimin e menaxhimit të zonave të mbrojtura, forcimin e kapaciteteve të institucioneve përkatëse, rishikimin dhe hartimin e planeve të reja të menaxhimit për zonat e mbrojtura, si dhe për përdorimin e produkteve pyjore dhe produkteve pyjore jodrusore, duke mbështetur ngritjen e sistemeve të monitorimit të performancës; zbatimin e masave të ruajtjes; OSHC-të për zbatimin e zgjidhjeve dhe masave të bazuara te natyra kundër krimit mjedisor, si dhe ndërgjegjësimin mbi Natyra 2000 dhe ruajtjen. Projekti synon të hartojë dhe zbatojë plane specifike veprimi për  speciet më të cenueshme apo më të rëndësishme, duke identifikuar masat parësore të ruajtjes dhe aktivitete për restaurimin e habitateve/ekosistemeve të degraduara për zbatim të menjëhershëm nga planet e menaxhimit në nivelin e ZM-ve të zgjedhura në përputhje me kriteret e barazisë gjinore, jetesës dhe ato socio-ekonomike.

 

Të gjitha këto nisma të mbështetura nga BE-ja kanë sugjeruar që shërimi i natyrës vjen me zgjidhje të bazuara te natyra. Ndërsa Shqipëria po bën hapa të rëndësishëm drejt anëtarësimit në BE, çështjet mjedisore janë pjesë e integrimit, duke bërë ndryshime thelbësore nga miratimi i ligjeve deri te sjellja e transformimit shoqëror, duke vlerësuar dhe mbrojtur natyrën, ujin, ajrin dhe biodiversitetin.