Kurrë mos reshtni së mësuari: çelësi për të krijuar mundësi të reja

Kristi Dashi, një 23-vjeçar i sapodiplomuar për bioteknologji mjedisore në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Tiranë, shprehej i pasigurt për rrugën e karrierës së tij pas përfundimit të masterit në të njëjtën fushë. Megjithatë, drejtimi i tij u bë i qartë kur hasi në një thirrje në rrjetet sociale për aplikime për një shkollë verore, ku përfshiheshin studentë të mjedisit nga Shqipëria dhe Kosova.

Kjo mundësi u prezantua në kuadër të “Biodrinit”, një projekt ndërkufitar i fokusuar në rritjen e biodiversitetit në pellgun e lumit Drin nëpërmjet menaxhimit të integruar të pellgut ujëmbledhës. Projekti zbatohet nga Bashkia e Kukësit, Bashkia e Rahovecit (në Kosovë) dhe Instituti i Kërkimeve Urbane (IKU), një organizatë partnere në Shqipëri, si dhe financohet nga BE-ja.

Shkolla verore, e cila u zhvillua nga data 2 deri më 6 tetor të vitit të kaluar në Kukës, mblodhi pjesëmarrës fitues nga Shqipëria dhe Kosova. “Ishte një mundësi ideale për të gjithë ne që të fitonim më shumë njohuri, veçanërisht në lidhje me sistemet ujore dhe menaxhimin e pellgjeve lumore. Ndërsa kemi mësuar pak nga gjithçka në universitet, ky trajnim na njohu me tema specifike që lidhen me lumenjtë. Më së shumti m’u duk me interes menaxhimi i pyjeve, zbulimi i gjërave që nuk i kisha dëgjuar më parë. Pyjet janë thelbësore për parandalimin e përmbytjeve dhe erozionit të tokës dhe ne duhet t'i japim përparësi mbrojtjes së tyre”, thotë Kristi.

Gjatë programit, pjesëmarrësit vizituan lumin Drin, dhe trajtuan shqetësimet për ndotjen e liqenit të Fierzës shkaktuar nga mbetjet e përrenjve që derdhen në të. “Njerëzit mund t'i bindësh lehtësisht që të mos hedhin mbeturina në lumenj apo përrenj. Unë shoh më shumë si problem rolin e institucioneve dhe legjislacionit se sa njerëzit. Duket se ata nuk e kanë prioritet mjedisin, nuk investojnë për kosha dhe për mbledhjen e rregullt të mbetjeve”, shpjegon Kristi.

Projekti “Biodrini” është në fazën përfundimtare. Ai do të instalojë sita për mbeturina dhe kamera monitorimi në lumin Drin, do të rrisë ndërgjegjësimin e publikut për ruajtjen e biodiversitetit dhe mbrojtjen e mjedisit dhe, në fund, do të prodhojë një plan të integruar menaxhimi për pellgun e lumit Drin, i cili do të miratohet nga të dyja bashkitë.

Kristi Dashi during a workshop

Kristi sheh mundësi të reja. Ai u punësua nga IKU, organizata partnere që zbaton “BioDrinin”, për të punuar në projekte të tjera mjedisore. Kristi koordinoi shkollën dimërore të të njëjtit projekt në Rahovec, nga data 4 deri më 8 dhjetor të vitit të kaluar, duke vërejtur interesimin e madh të nxënësve për thellimin e njohurive të tyre në aspekte të ndryshme mjedisore.

Krahas “BioDrinit”, Kristi është përfshirë edhe në një projekt tjetër ndërkufitar në IKU, i mbështetur nga BE-ja dhe i quajtur EcoRoutes, i cili fokusohet tek ekoturizmi në zonat Kukës - Rahovec. Roli i tij përfshin bashkëpunimin me ekspertë vendas për të rihapur tre shtigje të mbyllura për ekoturizëm në malet Koritnik dhe Gjallicë. Projekti synon të krijojë një paketë të përbashkët turistike për të eksploruar peizazhin e bukur midis dy zonave ndërkufitare.

Kristi shpreh dëshirën për t'u përfshirë në më shumë projekte, i nxitur nga pasioni për të mësuar. Mesazhi i tij për të rinjtë e diplomuar është: “Nëse e doni profesionin tuaj, gjithmonë do të ketë një derë të hapur që ju pret të hyni dhe të bëni më të mirën”.

Rreth projekteve

Biodrini - Rritja e biodiversitetit në pellgun e lumit Drin përmes projektit të menaxhimit të integruar të pellgut ujëmbledhës synon mbrojtjen e mjedisit dhe rritjen e biodiversitetit, duke zbatuar praktikat më të mira përgjatë pellgut të lumit Drin në territoret e Rahovecit dhe Kukësit. Ai nisi në vitin 2022 dhe do të përfundojë në vitin 2024 me një total prej 392,788.00 Euro.

EcoRoutes - Rrugët e ekoturizmit në zonën ndërkufitare për promovimin e turizmit alternativ synojnë të kontribuojnë në nxitjen e rritjes së zhvillimit të qëndrueshëm dhe atraktivitetit të zonave Kukës – Rahovec, për të shfrytëzuar më mirë potencialet e tyre turistike në ndjekje të zhvillimit rajonal dhe lehtësimin e bashkëpunimit ndërkufitar, duke promovuar rrugët e ekoturizmit në të dyja zonat si korridore natyrore dhe kulturore.