Kujtojmë Srebrenicën: Përballja me historinë për të ndërtuar paqen

Në korrik 1995, u shkrua një nga kapitujt më të errët në historinë moderne evropiane. Mbi 8300 djem dhe burra u vranë sistematikisht dhe u varrosën në varre masive në kodrat që rrethojnë qytetin e Srebrenicës. Sot, 29 vjet më vonë, 14 nga ato viktima, të cilat janë identifikuar vetëm së fundmi, do të prehen në memorialin dhe varrezat e Srebrenicë- Potoçarit. Për familjet dhe të dashurit e tyre, po mbaron më në fund një periudhë e gjatë dhe e dhimbshme pasigurie.

Srebrenica mbetet një plagë e thellë në historinë e Evropës. Paaftësia për ta parandaluar këtë gjenocid është një barrë që vazhdojmë ta mbajmë. Si Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë ashtu edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e kanë përcaktuar pa mëdyshje këtë mizori si gjenocid.

Jemi zotuar të mos harrojmë kurrë – as viktimat, as dhimbjen e vazhdueshme të familjeve dhe të dashurve të tyre. Kujtesa e tyre na detyron të punojmë çdo ditë për të siguruar që historia të mos përsëritet në një botë ku paqja ndihet gjithnjë e më e brishtë.

Duke caktuar 11 korrikun si “Ditën Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë”, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e ka ngritur rëndësinë e kësaj tragjedie përtej Evropës.

Megjithatë, një tendencë shqetësuese për mohim vazhdon në Bosnje dhe Hercegovinë, si dhe në të gjithë rajonin. Çdo mohim i këtij gjenocidi është një fyerje e thellë për drejtësinë dhe një pengesë për pajtimin. BE-ja ka një qëndrim të qartë: nuk mund të ketë vend për mohimin e gjenocidit, revizionizmin historik apo glorifikimin e kriminelëve të luftës në shoqëritë që vlerësojnë të vërtetën dhe drejtësinë.

Pajtimi është përgjegjësi e të gjithëve. Ai nuk është një qëllim abstrakt: duhet të jetë një praktikë e përditshme që përshkon politikën, arsimin dhe të gjitha anët e jetës së përditshme. Është veçanërisht roli i liderëve politikë në rajon që të refuzojnë retorikën përçarëse dhe të promovojnë në mënyrë aktive pajtimin. Kjo kërkon pranimin e fakteve historike, nderimin e viktimave dhe nxitjen e një kulture paqeje dhe bashkëpunimi.

Në mars, krerët e vendeve anëtare të BE-së vendosën të hapin negociatat e anëtarësimit në BE me Bosnje dhe Hercegovinën. Fillimi i këtij udhëtimi drejt anëtarësimit në BE sjell shpresë të përtërirë për stabilitet politik, rritje ekonomike dhe një të ardhme më të mirë për qytetarët e BH-së. Ai nënvizon angazhimin e BE-së për ta mbështetur Bosnjën dhe Hercegovinën për krijimin e një shteti dhe shoqërie demokratike funksionale ku mbizotërojnë pluralizmi, drejtësia dhe dinjiteti njerëzor.

Ne treguam se është e mundur: vetë BE-ja u konceptua për të sjellë paqen dhe pajtimin në një kontinent evropian të ndarë prej kohësh nga luftëra të përgjakshme vëllavrasëse. Kjo nuk do të kishte qenë e mundur pa pranimin e fakteve të vërtetuara historike dhe një angazhim për të ndërtuar institucione të afta për të siguruar një paqe të qëndrueshme.

Gjenocidi i Srebrenicës është një kujtesë e ashpër e asaj çka mund të ndodhë kur urrejtja nxitet dhe promovohet nga elitat politike. Është detyra jonë e përbashkët të sigurojmë që ky kujtim të shërbejë si një kujtesë e fuqishme e pasojave të një urrejtjeje dhe intolerance të tillë. Është detyra jonë e përbashkët të sigurohemi që këto mizori të mos ndodhin më kurrë. Bashkimi Evropian qëndron përkrah Bosnje-Hercegovinës në këtë përpjekje.