Fjalimi i Ambasadores së BE-së Christiane Hohmann në aktivitetin mbi rolin e parlamentit në integrimin evropian të Shqipërisë

E nderuar Kryetare, të nderuar deputetë, i nderuar Ambasador,

Kam kënaqësinë të jem përsëri në kuvend për këtë diskutim të rëndësishëm mbi rolin e parlamentit në integrimin evropian të parlamentit.

Shqipëria ka bërë një hap të madh në rrugën e integrimit në BE këtë vit, me fillimin e procesit të negociatave të anëtarësimit në korrik, pasuar nga procesi i shqyrtimit, i cili është duke u zhvilluar.

Siç e kam përsëritur shpesh, negociatat e anëtarësimit në BE janë shumë më tepër se një proces thjesht teknik; kjo është një fazë që kërkon një udhëheqje të fortë politike dhe mobilizim për të ndjekur reformat transformuese, ndonjëherë reforma të vështira, të cilat duhet të përmbushin kriteret e rrepta të anëtarësimit në BE.

Duke qenë ndoshta institucioni më politik ndër të gjithë, parlamenti luan një rol qendror në çuarjen përpara të këtij procesi dhe afrimin e vendit drejt anëtarësimit në BE.

Prandaj mirëpres synimin e parlamentit për t’u mbështetur në vrullin e tanishëm për të reflektuar se si mund të luajë një rol kuptimplotë në këtë proces.

Ka shumë pyetje të mundshme që parlamenti mund të dojë t'i shqyrtojë, ndaj më lejoni të përmend disa:

Si mund ta përmbushë parlamenti më së miri rolin e tij qendror për ndërtimin e një konsensusi mbarëkombëtar dhe ndërpartiak në rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë në BE?

Si mund të rrisë parlamenti kapacitetin e tij dhe ekspertizën e kërkuar kur bëhet fjalë për harmonizimin e ligjeve të Shqipërisë me acquis e BE-së?

Si mundet të luajë parlamenti plotësisht rolin e tij mbikëqyrës, duke i kërkuar llogari qeverisë për menaxhimin e procesit të anëtarësimit të vendit në BE?

Si mund të nxisë parlamenti reformat kyçe që mund të kërkohen për të çuar përpara negociatat e anëtarësimit, veçanërisht në lidhjet me “bazat” si shteti ligjor, lufta kundër korrupsionit ose reformat kryesore ekonomike?

Duke pasur parasysh se pjesa më e madhe e acquis e BE-së ka një ndikim të drejtpërdrejtë tek qytetarët dhe bizneset: si mund të krijojë parlamenti procese të rëndësishme konsultimi me palët e interesuara dhe organizatat e shoqërisë civile për çështjet që lidhen me anëtarësimin në BE?

Kur shqyrtohen gjithë këto çështje, çfarë mund të mësojë Kuvendi i Shqipërisë nga parlamentet e tjera të ish-vendeve kandidate apo vendeve të tjera kandidate për në BE? Cilat janë mekanizmat që kanë rezultuar se funksionojnë më mirë?

Jam shumë kureshtare të dëgjoj më shumë rreth ideve të paraqitura në punimet që do të prezantohen sot dhe shpresoj se ato do të ofrojnë reflektime të dobishme për deputetët.

Delegacioni i BE-së do të mbetet një partner i ngushtë i Kuvendit të Shqipërisë gjatë kësaj rruge sfiduese të anëtarësimit në BE.

Për ta përmbyllur: Shqiptarët kanë dëshirë të fortë për Evropën. Dëshiroj t'u bëj thirrje edhe një herë të gjithë përfaqësuesve në parlament, qeveri dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe bizneseve që të bashkojnë forcat dhe të punojnë së bashku për anëtarësimin e Shqipërisë në BE