Fjala e Ambasadorit Soreca gjatë prezantimit të gjetjeve kryesore të Raportit për Shqipërinë 2023

  • E nderuar Zëvendëskryeministre, Zonja dhe Zotërinj!
  • Dje, Komisioni Evropian miratoi Paketën e tij të Zgjerimit 2023, duke përfshirë raportin vjetor për Shqipërinë.
  • Sot, kam kënaqësinë t'ia dorëzoj raportin qeverisë.
  • Paketa e Zgjerimit e këtij viti zhvillohet në një kontekst të veçantë, i cili përforcohet nga dy zhvillime shumë të rëndësishme politike në kontinentin tonë.
  • Së pari, zgjerimi është rikthyer fuqishëm në agjendën politike të BE-së, në një mjedis gjeopolitik që po ndryshon me shpejtësi, ndaj të cilit BE-ja, si një e tërë, ka reaguar me vendosmëri, së bashku me partnerët e vet më të rëndësishëm, përfshirë Shqipërinë.
  • Tani ekziston një konsensus i ripërtërirë se një zgjerim i besueshëm dhe i bazuar në merita është shtytësi kryesor i transformimit dhe në këtë mënyrë rrit sigurinë tonë kolektive dhe prosperitetin socio-ekonomik.
  • Prandaj, zgjerimi i BE-së është thelbësor për nxitjen e pajtimit dhe stabilitetit në kontinentin evropian.
  • Siç tha dje Presidentja Von der Leyen kur prezantoi Paketën e Zgjerimit, ne duhet t'i përgjigjemi thirrjes së historisë dhe të punojmë për përshpejtimin e zgjerimit të BE-së dhe plotësimin e Unionit.
  • Shtytësi i dytë kyç është të pranuarit se konvergjenca ekonomike është një element thelbësor për afrimin e Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor me BE-në.
  • Aktualisht, niveli dhe shpejtësia e konvergjencës ndërmjet partnerëve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së nuk është e kënaqshme – as në aspektin e proceseve reformuese dhe as në aspektin e konvergjencës socio-ekonomike – dhe po pengon përparimin e tyre në rrugën e BE-së.
  • Kjo është arsyeja pse Komisioni Evropian miratoi dje, së bashku me paketën e zgjerimit, një Plan Rritjeje për Ballkanin Perëndimor.
  • Qëllimi i Planit të Rritjes është të sjellë disa nga përfitimet e anëtarësimit në rajon shumë përpara anëtarësimit, veçanërisht në mënyra që mund të ndihen drejtpërdrejt nga qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ky është një akt i paprecedent.
  • Objektivi është t'u mundësohet partnerëve të rrisin reformat dhe investimet për të përshpejtuar ndjeshëm shpejtësinë e procesit të zgjerimit dhe rritjen e ekonomive.
  • Të plotësojë boshllëkun aktual social dhe ekonomik që ekziston midis Ballkanit Perëndimor dhe pjesës tjetër të Evropës.
  • Plani i ri i Rritjes bazohet në katër shtylla:
  • Shtylla e parë synon rritjen e integrimit ekonomik me tregun unik të Bashkimit Evropian. Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor do të duhet të përafrohen me rregullat e tregut unik.
  • Këtu Komisioni propozon shtatë veprime prioritare, nga lëvizja e lirë e mallrave, lëvizja e lirë e shërbimeve dhe punëtorëve; qasja në zonën unike të pagesave në euro (SEPA); lehtësimi i transportit rrugor; integrimi dhe dekarbonizimi i tregjeve të energjisë; tregu unik digjital; si dhe integrimi në zinxhirët e furnizimit industrial.
  • Shtylla e dytë ka të bëjë me nxitjen e integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes Tregut të Përbashkët Rajonal. Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor do të duhet të hapin sektorët dhe zonat përkatëse për gjithë fqinjët e tyre, bazuar në rregullat dhe standardet e BE-së, gjë që potencialisht mund t’i shtojnë me 10% ekonomitë e tyre
  • Shtylla e tretë është përshpejtimi i reformave themelore, veçanërisht në grupimin e bazave, që do të mbështesë rrugën e Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit në BE dhe përmirësimin e rritjes së qëndrueshme ekonomike në të njëjtën kohë, përfshirë edhe tërheqjen e investimeve të huaja. Shqipërisë do t'i kërkohet të përgatisë një agjendë reformash çdo vit, me një seri të qartë me disa përparësi themelore.
  • Për zbatimin e kësaj agjende reformash, Plani i Rritjes ofron një rritje të madhe të ndihmës financiare, e kushtëzuar me përmbushjen e këtyre reformave.

Komisioni ka propozuar një Mekanizëm të ri Reformash dhe Rritjeje prej 6 miliardë eurosh për të gjithë rajonin për periudhën 2024-2027. Ai do të përbëhet nga 2 miliardë euro grante dhe 4 miliardë euro kredi koncesionare.

Zonja dhe zotërinj!

  • Ky kontekst i ri politik për zgjerimin përfaqëson një mundësi të madhe për Shqipërinë dhe për qytetarët shqiptarë.
  • Procesi i anëtarësimit të Shqipërisë është në rrugën e duhur, më shumë se një vit pas nisjes së tij: Shqipëria është angazhuar në mënyrë aktive dhe ka treguar një nivel të lartë angazhimi gjatë procesit të shqyrtimit, i cili ka ecur pa probleme, dhe me përgatitje për hapat e ardhshëm të negociatave të anëtarësimit.
  • Siç u rikonfirmua dje nga raporti, objektivi ynë i përbashkët është të hapim grupkapitujt e bazave deri në fund të këtij viti.
  • Teksa po hyjmë në thelbin e procesit të negociatave, Shqipëria do të ketë mundësi të tregojë lidership dhe të demonstrojë një angazhim të qartë për të përparuar me shpejtësi me reformat e kërkuara.
  • Këtu hyn raporti për vendin, i miratuar dje nga Komisioni Evropian.
  • Raporti ofron një vlerësim të drejtë se ku ndodhet vendi dhe udhëzime të qarta për hapat e reformës që duhet të ndërmarrë Shqipëria.
  • Më lejoni të nënvizoj disa nga gjetjet kyçe të raportit.
  • Përgjithësisht, raporti vë në dukje se autoritetet shqiptare kanë vazhduar të deklarojnë vazhdimisht angazhimin e tyre politik ndaj synimit strategjik të integrimit në BE.
  • Komisioni pranon se Shqipëria ka vazhduar të bëjë progres me reformat e grupimit të bazave, përfshirë zbatimin e vazhdueshëm të reformës gjithëpërfshirëse në drejtësi.
  • Për më tepër, Shqipëria ka ruajtur arritjet e saj të përafrimit me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së. Kjo është e një rëndësie të veçantë në kontekstin aktual gjeopolitik.
  • Raporti pranon plotësisht angazhimin aktiv të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së që nga janari 2022, veçanërisht në lidhje me përgjigjen ndaj luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës.
  • Qëndrimi i Shqipërisë shihet si një sinjal i fortë i zgjedhjes së saj strategjike të anëtarësimit në BE dhe i rolit të saj si një partnere e besueshme.
  • Për sa u përket kritereve politike, raporti, para së gjithash, ofron një vlerësim gjithëpërfshirës të zgjedhjeve vendore të 14 majit.
  • Ndërsa vë në dukje se zgjedhjet kanë qenë të mirëadministruara, konkurruese dhe me pjesëmarrjen e aktorëve kryesorë politikë, raporti gjithashtu vë në dukje shqetësime në lidhje me keqpërdorimin e burimeve shtetërore, pretendimet për presion mbi punonjësit e sektorit publik dhe votuesit, si dhe pretendime për blerje votash.
  • Mesazhi kryesor këtu është se nevojitet një dialog politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës nga të gjitha anët për të përparuar me reformën zgjedhore, duke trajtuar rekomandimet e mbetura të OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias.
  • Për sa i përket Kuvendit, raporti vëren se niveli i lartë i polarizimit politik ka vazhduar të ndikojë seriozisht në veprimtarinë parlamentare.
  • Në të njëjtën kohë, Kuvendi ka miratuar me një shumicë të madhe ndërpartiake amendamente legjislative për të forcuar rolin e tij në procesin e integrimit në BE, gjë që është mirëpritur.
  • Funksionimi i gjyqësorit vazhdon të zërë një pjesë të madhe të raportit vjetor. Komisioni vëren se zbatimi i reformës në drejtësi ka vazhduar, duke rezultuar me një progres të mirë në përgjithësi.
  • Ndër zhvillimet pozitive do të veçoja çuarjen përpara të procesit të vetingut për gjyqtarët dhe prokurorët dhe përfundimin e emërimeve në Gjykatën Kushtetuese (të cilës mund t'i shtojmë tani Gjykatën e Lartë), por edhe ecurinë në trajtimin e çështjes së vendeve vakante të gjyqtarëve, si dhe në ngritjen e sistemit të menaxhimit të çështjeve.
  • Në të njëjtën kohë nevojiten përpjekje shtesë, veçanërisht për të rritur efikasitetin e sistemit të drejtësisë dhe për të përmirësuar qasjen në drejtësi, duke trajtuar afatin e gjatë kohor të procedurave, rritjen e ngarkesës së punës dhe numrin e madh të çështjeve të pazgjidhura, që mbeten veçanërisht të larta në gjykatat e apelit dhe ato të shkallës së parë.
  • Për sa i përket luftës kundër korrupsionit, konsiderohet ende si një fushë shqetësimi serioz, ku duhet bërë më shumë.
  • Në të njëjtën kohë, SPAK ka arritur vitin e fundit rezultate konkrete në hetime për një sërë çështjesh të nivelit të lartë, përfshirë urdhërimin e disa arrestimeve dhe arritjen e disa dënimeve të rëndësishme.

Është e rëndësishme të vazhdohet dhe të zhvillohet një historik i qëndrueshëm në trajtimin e kulturës së mosndëshkimit. Autoritetet e drejtësisë do të vazhdojnë të kenë në krah Bashkimin Evropian.

  • Do të jetë thelbësore të përdoret shumë më tepër instrumenti vendimtar i hetimeve financiare paralele për trajtimin e të gjitha krimeve të mëdha. “Ndiq paratë” duhet të jetë qëllimi kryesor.
  • Në lidhje me luftën kundër krimit të organizuar ka vazhduar bashkëpunimi i mirë me Shtetet Anëtare të BE-së, Europol-in dhe Eurojust-in. Progresi i arritur me sekuestrimin dhe konfiskimin e aseteve të lidhura me krimin e organizuar duhet të vazhdojë. Duhen bërë më shumë përpjekje në luftën kundër drogave të paligjshme.
  • Për sa i përket luftës kundër pastrimit të parave, u arrit përparim në zbatimin e rekomandimeve të Moneyval-it dhe të Planit të Veprimit të Task Forcës së Veprimit Financiar (FATF), gjë që çoi në heqjen e Shqipërisë nga lista e juridiksioneve nën monitorim të shtuar në tetor.
  • Në këtë kontekst, raporti thekson se çdo iniciativë e re e mundshme për të futur një program vullnetar të pajtueshmërisë tatimore, përfshirë amnisti të mundshme penale, do të duhet të jetë në përputhje me acquis të BE-së dhe me standardet ndërkombëtare.
  • Duke iu kthyer të drejtave themelore, një fushë e rëndësishme ku raporti i këtij viti vazhdon të ngrejë shqetësime është liria e shprehjes.
  • Ndërsa raporti vë në dukje progres të kufizuar, veçanërisht nëpërmjet ndryshimeve të Ligjit për Mediet Audiovizive për t'u përafruar me Direktivën e BE-së për shërbimet e medias audiovizive, është e qartë se pavarësia e medias, pluralizmi dhe cilësia e gazetarisë vazhdojnë të pengohen nga ndërthurja e interesave të biznesit dhe atyre politike, transparenca e ulët e burimeve të financimit, përqendrimi i pronësisë së medias, kërcënimet dhe kushtet e pasigurta të punës.
  • Raporti gjithashtu shpreh keqardhjen që atmosfera e sulmeve verbale, fushatave të shpifjeve dhe akteve të frikësimit ndaj gazetarëve nuk është përmirësuar.
  • Ne do të vazhdojmë të ndjekim nga afër zhvillimet në këtë fushë të rëndësishme.
  • Raporti gjithashtu bën thirrje për përpjekje të shtuara për të konsoliduar të drejtat pronësore. Procesi i regjistrimit të parë të pronës dhe proceset e tjera kalimtare duhet të përparojnë me transparencë të plotë, duke përfshirë trajtimin e korrupsionit.
  • Për mbrojtjen e pakicave kombëtare, raporti vëren se miratimi i legjislacionit të mbetur zbatues nuk ka përparuar. Komisioni përsërit thirrjen e tij për miratimin e akteve nënligjore në pritje për vetëidentifikimin dhe përdorimin e gjuhëve të pakicave.
  • Për më tepër, Shqipëria duhet të vendosë masa mbrojtëse të forta ligjore dhe institucionale për të parandaluar shkeljet e mëtejshme të të dhënave personale, duke përfshirë miratimin e ligjit të rishikuar për mbrojtjen e të dhënave personale, në përputhje të plotë me acquis të BE-së.

Zonja dhe zotërinj!

  • Dëshira e popullit shqiptar për Evropën është e jashtëzakonshme. Sondazhe të besueshme tregojnë vazhdimisht se mbështetja për integrimin e Shqipërisë në BE është shumë e lartë.
  • Integrimi në BE tashmë jep rezultate në terren, po ndodh tashmë çdo ditë, duke përmirësuar jetën e kaq shumë shqiptarëve.
  • Ftoj qeverinë dhe të gjitha institucionet përgjegjëse të përfitojnë plotësisht nga fokusi i rinovuar politik i BE-së në zgjerimin e BE-së, si dhe ambicia për të mbyllur hendekun ekonomik dhe social që ndan Ballkanin Perëndimor nga BE-ja.
  • Nevojitet një lidership i fortë politik për të përshpejtuar reformat në lidhje me BE-në dhe për rrjedhojë për të përparuar më shpejt në negociatat për anëtarësim.
  • Kjo do të kërkojë një frymë të gjerë ndërpartiake, një strukturë solide negociuese, si dhe – më e rëndësishmja – mekanizma efektivë konsultimi me shoqërinë e gjerë dhe palët e interesuara, në mënyrë që shqiptarët të kuptojnë dhe ndjekin nga afër ndryshimet që do t'i duhet vendi të bëjë për t'u integruar në BE.
  • Të mos harrojmë se reformat që bën Shqipëria janë jo vetëm të nevojshme që Shqipëria të përmbushë kriteret e anëtarësimit në BE, por kryesisht për përmirësimin e jetës dhe mirëqenien e njerëzve në Shqipëri.
  • Delegacioni i BE-së do të vazhdojë të jetë këtu për të mbështetur Shqipërinë me sfidat e mëdha që e presin. Presim me padurim të vazhdojmë bashkëpunimin tonë të ngushtë me qeverinë dhe institucionet e tjera kyçe.

Faleminderit!