Etnografia e një qyteti në një muze, kostume, tradita dhe rite

Katër figura meshkujsh në aktivitetet e tyre të përditshme, një bari, një kovaç që farkëton metalin, një burrë që përpunon leshin për të prodhuar “shajakun” dhe një poçar që punon me argjilë, janë paraqitur në një video-hartë në amfora. Këto silueta burrash, të cilat duken si vizatime në lëvizje që demonstrojnë metoda të hershme të punës, krijojnë një çast takimi me atë që dikur ka qenë e kaluara e qytetit të Krujës, zejet, traditat dhe ritet e tij. Kjo është një risi në Muzeun Etnografik të Krujës, ku teknikat e vjetra si punimi i qeramikës, përpunimi i metaleve, përpunimi i lëkurës, prodhimi i rakisë, përpunimi dhe ruajtja e ushqimit, prodhimi i vajit të ullirit, shfaqen pranë një skulpture dylli të një burri shqiptar me veshjen e tij tradicionale teksa punon në mulli. Disa dhoma tregojnë përditshmërinë dhe mënyrën se si organizohej shoqëria shqiptare deri pakshekuj më parë, duke ekspozuar rreth 1000 artefakte, mes të cilëve edhe enë kuzhine të punuara me dorë, të trashëguara dhe të ruajtura brez pas brezi.

Kruja

Muzeu sapo ka rihapur dyert e tij pas një pune restauruese dyvjeçare, me mbështetjen e Bashkimit Evropian, përmes programit “BE për kulturën”. Projekti i ndërhyrjes përfshinte konsolidimin strukturor pas dëmeve të konsiderueshme të shkaktuara nga tërmeti i vitit 2019. Punime të ruajtjes së jashtme, të brendshme dhe të çatisë, restaurimi i artefakteve, ruajtja e orendive historike dhe pikturave murale për të përmirësuar dallueshmërinë e formës, dizajni i ri i ekspozitave muzeale dhe interpretimi multimedial,  kombinon trashëgiminë shqiptare me përvojat novatore digjitale, të gjitha në një.

Gjatë ceremonisë së rihapjes në korrik, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, tha: “Jam i sigurt se rikonceptimi i plotë i kësaj hapësire, mënyrat e reja të ekspozimit të artefakteve, së bashku me shtimin e elementeve interaktive do të rrisin fuqinë tërheqëse që ka ky muze, duke ofruar një eksperiencë unike dhe të paharrueshme për të gjithë”.

Duke përmendur rëndësinë e ruajtjes së aftësive dhe teknikave që kanë prodhuar objekte kaq të bukura dhe mundësinë për t'u treguar vizitorëve jo thjesht ekspozimin e objekteve, por atë çka Shqipëria ka qenë, është dhe përfaqëson, Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato, shtoi: “BE për kulturën” nuk ka të bëjë vetëm me rinovimin e ndërtesave apo ekspozimin e artefakteve. Ka të bëjë me shfaqjen e identitetit kulturor të Shqipërisë. Kur e dimë se kush jemi dhe nga vijmë, nuk kemi frikë nga diversiteti, nga kulturat dhe traditat e tjera. Kjo është arsyeja pse nëpërmjet këtij muzeu dhe programit “BE për kulturën”, ne jo vetëm ruajmë trashëgiminë shqiptare, por edhe promovojmë një shoqëri më gjithëpërfshirëse”.

Kruja

Dhomat e burrave dhe nuses dhe përvoja virtuale

Muzeu Etnografik në Krujë ndodhet në një ndërtesë rezidenciale historike, e cila fillimisht ka qenë banesa e familjes Toptani. E ndërtuar ndoshta në vitin 1764, është një shembull përfaqësues i rezidencave të shekullit të 18-të, me një verandë të mbyllur, një model tipik për epokën. E rrethuar nga një oborr, i cili mbyllet me një mur të ulët me muraturë, sipërfaqja e shtëpisë është e ndarë në dy kate me përmasa pothuajse të barabarta, të ndërlidhura nga një shkallë guri. Ekranet e rinovuara të muzeut janë modernizuar me përmbajtje multimediale dhe edukative, duke paraqitur një përvojë VR të traditave të dasmave, një dhomë virtuale veshjeje, efekte zanore të një hamami, udhërrëfyes audio, tableta që shfaqin riprodhimin vizual të zanateve dhe projeksionet e video hartave mbi punime qeramike historike.

Kruja

Meqenëse çdo dhomë ka konceptin e vet, dhoma e burrave dhe ajo e nuses janë mjaft të ndryshme nga të tjerat, pasi kanë piktura murale. Dhoma e burrave, e njohur ndryshe edhe si dhoma e mysafirëve, ka shumë elementë dekorativë, përfshirë murale dhe piktura druri në të dy anët e oxhakut. Hapësirat e mureve shfaqin motive arabeske të ndërthurura me elegancë dhe mjeshtëri me motive floreale. Në dhomën e burrave/mysafirëve ngjyrat e përdorura në piktura janë e kuqja, e zeza dhe grija, ndërsa në dhomën e nuses motivet florale të pikturuara me teknikën a-secco janë mjaft të përmbajtura. Okra dhe e gjelbra dominojnë në një sfond të bardhë, të zi, një tonalitet të ngjyrave vjollcë dhe rozë. Pikturat paraqesin tema të ndryshme, duke përfshirë portrete burrash me mustaqe pra një sfondi pemësh, ndërtesa të vjetra, një xhami, një varkë me njerëz të armatosur, dy luanë të ngjashëm me ata venecianë apo elementë që u kujtojnë vizitorëve një stemë apo një emblemë. Dhoma e nuses dhe e burrave janë lyer nga dy piktorë të ndryshëm, siç vërejnë specialistët që punuan me restaurimin. Për shkak të depërtimit të shiut nga çatia, dëmtimeve të shkaktuara nga tërmeti dhe gërvishtjeve, e gjithë sipërfaqja e pikturave në të dy dhomat i është nënshtruar restaurimit. Në ditët e sotme, të njëjtat mure shfaqin plotësisht motive dhe simbole që përshkruajnë elemente kulturore dhe stilin e jetesës së rajonit gjatë shekullit të 18-të.

Me një rrëfim novator, të detajuar në çdo hapësirë, por që nuk ndërhyn te vlerat historike, muzealizimi i ri krijon një ndjenjë përkatësie me të kaluarën, nëpërmjet teknologjisë. Një tjetër dimension që ofron mundësi unike për të kuptuar dhe pothuajse për të jetuar jetën e përditshme të qytetit tre shekuj më parë, është dasma e shfaqur në një film 360°. Një ekran i vendosur në dhomën e nuses riprodhon ritualet e martesës në kulturën vendase. Çdo ritual përmirësohet edhe nga rrëfimi përmes tekstit. Nëpërmjet të njëjtës teknologji, burra dhe gra, të veshur me rrobat e tyre të veçanta për ditën e shënuar, ftojnë vizitorët në dasmë.

Kruja

Një nga pikat kryesore të muzeut është një dhomë virtuale veshjeje, e cila u mundëson vizitorëve të bëjnë selfie ndërsa veshin (virtualisht) veshje tradicionale që datojnë nga shekulli i 18-të. Kostumet, përfshirë xhubletën e famshme - një veshje e punuar me dorë e veshur nga gratë dhe vajzat malësore në Shqipërinë e Veriut, së fundmi trashëgimi botërore, ekspozohen gjithashtu në të njëjtën hapësirë ​​ku shfaqen veshjet tradicionale të burrave, grave, fustani i nuses dhe aksesorë tipikë, veshjet e dhëndrit, veshje të ndryshme për banorët e qytetit dhe fshatit. Me siguri, ky muze është një biletë për të udhëtuar në kohë dhe tani, falë teknologjisë së tij inovative, është e mundur edhe një selfie e shpejtë, duke imituar një shqiptar të shekullit të 18-të.

 

Informacion plotësues

Programi “BE për kulturën” financohet nga Bashkimi Evropian (BE) dhe zbatohet nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projekteve (UNOPS) në partneritet të ngushtë me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Ai fokusohet te rinovimini dhe rigjallërimi i23 siteve kryesore të trashëgimisë kulturore të dëmtuara nga tërmeti i vitit 2019 dhe përfaqëson një nga programet më të mëdha të trashëgimisë kulturore të financuar nga Bashkimi Evropian me një buxhet total prej 40 milionë Eurosh. Ai synon të rrisë potencialin turistik të Shqipërisë, duke kontribuar kështu drejtpërdrejt në rimëkëmbjen socio-ekonomike vendore dhe rajonale. Për këtë qëllim, fokus i veçantë i kushtohet teknologjive inovative, përfshirë rrëfimin digjital dhe krijimin e produkteve multimediale të dizajnuara për të qenë të aksesueshme për të gjithë. Në të njëjtën kohë, programi mbështet sipërmarrjen vendore, artizanatin dhe nismat kulturore që zhvillohen rreth zonave të përzgjedhura përmes dhënies së granteve, duke ofruar një nxitje të drejtpërdrejtë për ekonominë vendore.