Blin Sali: Realitetet ekzistojnë, edhe nëse i mohojmë

“Edhe pse ndonjëherë e kam të vështirë t’i shikoj disa video të vjetra, ato ku unë luaj me një instrument, si, për shembull, basin, janë ndryshe. Ndoshta kjo ndodh pasi kur luan një instrument, nuk je i fokusuar në atë që ke për të thënë apo për të bërë më pas, për të përmbushur pritshmëritë shoqërore. Kjo ishte periudha kur sapo kisha nisur të rieksploroja identitetin dhe shprehjen time gjinore. Tranzicioni ishte nga një ‘vajzë femërore’ në një person që nuk ishte shumë i qartë për gjininë e vet”, shkruan në T-Ditarët e tij (Ditarët Transgjinorë) Blin Sali, një 23-vjeçar me banim në Tiranë. Në këto postime ai ndan ndjenjat, shqetësimet dhe mendimet e veta, duke përshkruar se si është të jesh një djalë transgjinor në Shqipëri.

Arti dhe identiteti gjinor kanë qenë pjesë e rrugëtimit të tij që në fëmijëri, kur luante me fëmijë të tjerë, kryesisht me djem, përveç kur merrte rolin e “babait” në lojërat e vajzave. Ai pohon se ka qenë i vetëdijshëm për identitetin e vet gjinor që kur ishte fëmijë, ndonjëherë e përforcuar nga mënyra se si trajtohej në shtëpi – më shumë si i vëllai, se sa si e motra. Herë të tjera, ndihej diku në mes, pasi edhe vëllai i tij shihej ndryshe. Ai gjeti një mënyrë për t'u shpëtuar këtyre mendimeve përmes artit.

“Jam marrë me art, vizatim dhe muzikë që në moshë të vogël. Atëherë nuk e dija pse, por e zbulova më vonë. Ishte një mënyrë për t'u shprehur apo për t'i shpëtuar pritshmërive shoqërore. Kur luan muzikë, askush nuk mendon për gjininë tënde. Është një botë shumë larg asaj që pret shoqëria nga ne”, shpjegon Blini, duke folur për artin si një formë shpëtimi.

Por më pas, ajo botë ndryshoi në mënyrë drastike kur arriti pubertetin. “Ishte shumë konfuze, sepse si fëmijë nuk e kupton se çfarë do të ndodhë. Ekziston një pritshmëri që këto ndryshime të mos ndodhin. U përballa me trysni. Më kërkuan të ndryshoja mënyrën e ecjes, të rrisja flokët dhe të vishesha ndryshe në plazh. Në fillim rezistova, duke u përpjekur të dukesha më mashkullor”.

Ai u përpoq t’i ndrydhte mendimet e veta për shumë vite, i vetëdijshëm për rrethanat, derisa u largua nga shtëpia në Durrës dhe u zhvendos në Tiranë për të studiuar. “Kur erdha këtu, filloi përsëri vetë-ekzaminimi im. Kuptova që po ndieja disa ndryshime, por nuk isha i qartë. Në fillim e identifikova veten si biseksual, pastaj si lesbike, dhe mendova se ky ishte ‘zbulimi’. Megjithatë, nuk ndihesha mirë. Diçka mungonte. Pastaj shkova në terapi, dhe gjatë seancave zbulova veten dhe identitetin tim gjinor. Që nga ai çast, i gjithë procesi u bë më i vështirë. Nuk isha i lumtur. Rezistova. Nuk doja të ishte e vërtetë, nuk doja ta pranoja, sepse e dija se sa e vështirë do të ishte. U përpoqa dhe m'u desh shumë kohë për ta pranuar veten”, kujton Blini.

Ai nuk dinte si t'ua tregonte të tjerëve apo si t'i shpjegonte këto ndryshime e sfida emocionale dhe personale. Blini nuk ia tha asnjëherë familjes së vet, por, sipas tij, ata ndërkaq e dinin, gjë që çoi në konflikte, pasi pritej që ai të plotësonte kërkesat e shoqërisë.

“Kurrë nuk kam folur me të vërtetë për identitetin tim gjinor me familjen time. Nuk isha gati apo i përgatitur për ta ndarë me ta. Nëna zbuloi diçka duke lexuar mes rreshtave të postimeve të mia në rrjetet sociale. Nuk folëm për më shumë se dy vjet, sepse nuk mund ta përballoja atë trysni dhe procesin tim të brendshëm në të njëjtën kohë”, shpjegon ai.

I vetmi person në familjen e tij, të cilit ia tha vërtet, ishte gjyshi dhe Blini u befasua nga pranimi dhe mbështetja e tij. “Kisha përshtypjen që gjyshi do të më kuptonte, sepse është i mirë dhe nuk jam gjykuar kurrë nga ai, por të dëgjoja prej tij fjalët: ‘Unë dhe gjyshja të pranojmë sido që të jesh apo të ndihesh’ ishte prekëse. Të dy qamë, por u ndjeva i lehtësuar”, tregon ai.

Blini ka studiuar për violinë në Universitetin e Arteve dhe tani jeton e punon në Tiranë. Ai është aktivist për të drejtat e njeriut dhe mbështet komunitetin LGBTIQ+. Pasi zbuloi identitetin e tij, ka ecur përpara dhe ka ndjekur ëndrrat e veta. Në përditshmërinë e vet, ndonjëherë vë re njerëz që e vështrojnë, por është mësuar me këtë. “Të gjithëve u duhet kohë për të kuptuar veten dhe botën përreth tyre. Dhe kjo është gjë e mirë. Ne të gjithë kemi nevojë për kohë; edhe unë kisha. Por mendoj se të gjithë duhet t'u japin të tjerëve një shans, të jenë të durueshëm, t'i dëgjojnë dhe të përpiqen t'i kuptojnë, madje edhe kur kanë këndvështrime të ndryshme apo nuk pajtohen”, thotë ai.

Përballja me diskriminimin nuk është e lehtë. “Ka realitete, gjëra dhe situata që ekzistojnë, edhe nëse i mohoni ato. Nëse një qenie njerëzore jeton ose merr frymë, pavarësisht nga raca, feja ose gjinia, ajo ka të njëjtat të drejta njerëzore si dhe ju. Kjo ndoshta ndihmon për të kuptuar pse të drejtat e mia janë të drejta të njeriut, si të të gjithë të tjerëve”, vëren ai.

Ndërsa T-Ditarët e tij presin rrëfimet e mëtejshme, Blini luan në basin e vet, duke na kujtuar se ndonjëherë muzika mund të ndihmojë në zbehjen e kuptimeve dhe mendësive që ndajnë shoqëritë dhe i bëjnë disa jetë më të vështira për t'u jetuar.