THIS CONTENT HAS BEEN ARCHIVED

Fjalimi i Ambasadorit të BE-së Luigi Soreca gjatë aktivitetit të hapjes së "Programit të Zhvillimit të Turizmit" me BERZH-in

03.05.2019
Text

I nderuar Kryeministër Rama,

Të nderuar ministra,

I nderuar President Chakrabarti

Zonja dhe zotërinj,

Kam kënaqësinë dhe nderin e madh të prezantoj sot Programin e Zhvillimit të Turizmit për Shqipërinë - një nga investimet më të mëdha të bëra ndonjëherë nga Bashkimi Evropian në këtë vend.

Ne të gjithë e dimë pse interesi për zhvillimin e turizmit në Shqipëri është kaq i lartë. Unë personalisht "jam rrëmbyer nga Shqipëria" prej kohësh tashmë. Jam rrëmbyer nga bukuritë e saj natyrore, nga trashëgimia e saj e pasur kulturore dhe nga njerëzit zemërmirë. Dhe kam mësuar se nëse dëshiron të njohësh Shqipërinë e vërtetë, përtej paragjykimeve, duhet ta vizitosh atë.

Kjo është arsyeja pse programi që po prezantojmë sot është kaq i rëndësishëm për Shqipërinë. Është shumë i rëndësishëm për të mbështetur krijimin e formave të qëndrueshme të turizmit dhe mbrojtjen e duhur të trashëgimisë kulturore. Por është edhe më i rëndësishëm për të siguruar ata që ende nuk e kanë pasur mundësinë, të vijnë dhe të përjetojnë Shqipërinë e vërtetë

Programi që po prezantojmë sot bazohet në dy shtylla: Turizmi dhe trashëgimia kulturore.

Turizmi është një burim thelbësor i të ardhurave dhe i krijimit të vendeve të punës në shumë ekonomi. Ai ka efekte pozitive në një shumëllojshmëri të gjerë të industrive dhe shërbimeve. Përtej zhvillimit fizik dhe marketingut, zhvillimi turistik gjithashtu përfiton nga promovimi i burimeve natyrore, trashëgimia sociale dhe kulturore, e cila ka një efekt shumëfishues të rëndësishëm mbi çdo ekonomi.

Me gjithë potencialin e rëndësishëm, Shqipëria përballet me sfida në zhvillimin e këtij sektori.

Së pari, mungesa e koordinimit dhe planifikimit të industrisë së turizmit,

Së dyti, mungesa e rregullave dhe rregulloreve të përcaktuara mirë dhe të detyrueshme për aktivitetet turistike,

Së treti, mungesa e klasifikimit, licencimit dhe certifikimit, të cilat mundësojnë standarde dhe cilësi më të lartë,

dhe e katërta, konkurrenca e padrejtë për shkak të nivelit të lartë të informalitetit.

Ne gjithashtu duhet të shikojmë edhe gjatësinë e sezonit turistik. Ekziston një domosdoshmëri e qartë për t’i diversifikuar ofertat turistike, për të zgjeruar sezonin dhe për të integruar një gamë më të larmishme të atraksioneve, aktiviteteve dhe shërbimeve gjatë gjithë vitit. Objektivi që duhet arritur është zgjatja e qëndrimit, rritja e shpenzimeve dhe sigurimi i kthimit të turistëve në Shqipëri.

Përmes "Programit të Zhvillimit të Turizmit", do t’i adresojmë të gjitha këto sfida duke filluar në katër zona: Berat, Korçë, Fier dhe Shkodër.

BE-ja dhe BERZH-i po sjellin investime unike dhe ekspertizë për të rritur fuqinë tërheqëse të vendit. Por unë jam plotësisht i bindur se ky program do të jetë i suksesshëm vetëm nëse zgjidhjet e qëndrueshme për sfidat e listuara do të dalin nga niveli vendor. Këto zgjidhje duhet të hartohen dhe të konsultohen me ata që janë të interesuar drejtpërsëdrejti dhe që i kuptojnë nevojat dhe potencialet e rajonit të tyre. Prandaj, pjesëmarrja e qeverive vendore është në qendër të këtij programi. Qeveritë vendore janë shtysa të rëndësishme për ne, duke përfshirë edhe rolin që ato luajnë në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Pjesa më e madhe e acquis e BE-së do të zbatohet në nivel vendor. Dhe niveli vendor duhet të fuqizohet dhe të ndiejë përgjegjësinë e këtij procesi historik.

Promovimi i trashëgimisë kulturore të Shqipërisë është shtylla tjetër e investimit tonë.

Trashëgimia kulturore është ura jonë drejt së shkuarës dhe së ardhmes. Dhe kjo jo vetëm sepse ne duam të lidhim brezat dhe komunitetet, duke krijuar një ndjenjë të përbashkët përkatësie, por edhe sepse trashëgimia shpesh ka zgjidhje për ekonomitë vendore dhe në përgjithësi, për cilësinë e jetës sonë.

27 vende pune indirekte krijohen për çdo punë të vetme në sektorin e trashëgimisë. Për ta krahasuar, raporti për industrinë e makinave është vetëm 6 vende pune indirekte për çdo vend pune të drejtpërdrejtë.

Për të garantuar që ta shfrytëzojmë sa më mirë këtë potencial, programi do të rrisë dhe ruajë aftësitë tërheqëse të pasurive kulturore, natyrore dhe të tjera, si për komunitetet vendore ashtu dhe për turistët. Për 70% të evropianëve, prania e trashëgimisë kulturore ndikon në preferencat e tyre kur vendosin për destinacionin e pushimeve.

Zonja dhe zotërinj,

Jam krenar që BE-ja po investon 40 milionë Euro, në bashkëpunim të shkëlqyer me BERZH-in, për të nxitur rigjenerimin dhe zhvillimin ekonomik në Shqipëri.

Zhvillimi turistik është sigurisht një mjet për të rritur përvojën e vizitorëve dhe cilësinë e jetës së komuniteteve pritëse. Por nëse planifikohet keq ose zhvillohet në mënyrë të tepërt, mund të shkatërrojë pikërisht ato cilësi që e bëjnë Shqipërinë unike.

Kjo është sfida e sotme: të ndihmojmë ndërtimin e një sektori turizmi që forcon strukturën sociale dhe zhvillimin ekonomik, duke u dhënë vlerë bukurive natyrore dhe pasurive kulturore të këtij vendi të bukur.

Një industri e turizmit që nuk shkatërron, por ndërton për të ardhmen.

Faleminderit!

Kategoria
Speeches of the Ambassador
Location

Tirana, Albania

Editorial sections
Albania