THIS CONTENT HAS BEEN ARCHIVED

Mogherini për procesin e anëtarësimit, intervistë për RTV Slloven

12.09.2017
Text

Mojca Širok: Ndalimi i procesit të zgjerimit në BE duket se ka ringjallur tensione të vjetra mes vendeve. Çfarë po bën BE-ja dhe çfarë duhet të bëjë në Ballkanin Perëndimor?

 

Federica Mogherini: Procesi i zgjerimit në BE nuk është ndalur. Para disa vitesh Presidenti Juncker tha se nuk do të kishim anëtarë të rinj së shpejti, ky është realiteti i situatës. Asnjëri nga shtetet e Ballkanit Perëndimor nuk ishte gati për t’u bërë pjesë e BE-së para tre vjetësh.

 

Ne po punojmë çdo ditë, çdo javë dhe muaj me secilin prej shteteve të Ballkanit Perëndimor për t’u siguruar që procesi i anëtarësimit të tyre në BE të jetë i pakthyeshëm. Kjo kërkon reforma ekonomike, gjyqësore dhe institucionale, si dhe bashkëpunim me fqinjët, ngase të gjithë e dimë se pikërisht në Ballkan u bëmë dëshmitarë të luftës së fundit në Evropë 20 vjet më parë.

 

Kjo është përpjekja e BE-së, synimi im personal është të përfundoj këtë mandat të Komisionit të BE-së, kemi edhe dy vjet, duke siguruar që të gjashtë partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor të jenë në një pikë të tillë në procesin e integrimit në BE që procesi të jetë i pakthyeshëm.

 

Në BE pas dy vjetësh?

 

Kjo do të ishte e pamundur, procesi i reformave i nisur në të gjitha këto vende është ende në stade të hershme.

 

Jeni e shqetësuar se mos dy fuqi të mëdha si SHBA  dhe Rusia mund të përpiqen të ushtrojnë ndikim në Ballkan?

 

Jo, nuk jam e shqetësuar për një arsye të thjeshtë. Fuqia tërheqëse e BE-së në Ballkan është shumë e fuqishme. Rreth 70-80% e njerëzve në Ballkan e mbështesin BE-në, shifra që vetëm mund t’i ëndërrojmë brenda BE-së. Ka një energji shumë pozitive, sidomos te brezat e rinj, ndaj të qenit evropianë që i shtyn njerëzit në qeveritë e këtyre vendeve drejt BE-së. Nëse ne si BE dhe shtetet tona anëtare do të jemi koherentë në dhënien e mbështetjes për këto vende, nuk ka Turqi, Rusi apo shtete të Gjirit që të maten me ne. Fuqia tërheqëse në terma të ekonomisë, të të drejtave, reformave dhe integrimit rajonal që mund të ofrojë BE-ja nuk ka rivalë.

 

Kategoria
News clippings - in the press
Location

Tirana

Editorial sections
Albania