THIS CONTENT HAS BEEN ARCHIVED

Bashkimi Evropian forcon mbështetjen për qeverisjen vendore në Shqipëri

05.12.2016
Text

Bashkitë për Evropën është projekti i ri i financuar nga Bashkimi Evropian në Shqipëri me synim mbështetjen e ngritjes së një zyre evropiane lokale në secilën prej 61 bashkive. Nisma, që pritet të nisë zbatimin në pranverë 2017, pritet të jetë e dobishme për të sjellë më pranë qytetarëve shqiptarë dhe administratave vendore më shumë informacion mbi BE-në, politikat dhe programet e saj. Ndërsa fokusi do të jetë sigurimi i njohurive mbi BE-në, veçanërisht si të rritet kapaciteti përthithës i autoriteteve të qeverisjes vendore në Shqipëri për fondet dhe programet evropiane, do të ketë aktivitete që synojnë të lehtësojnë ndërlidhjen dhe ndarjen e përvojave mes bashkive dhe dialogun me qeverinë qendrore dhe Delegacionin e BE-së. Lidhur me këtë, sot u nënshkrua një Memorandum Mirëkuptimi mes kryebashkiakëve dhe anëtarëve të qeverisë shqiptare.
Projekti i financuar nga Bashkimi Evropian u prezantua gjatë punimeve të konferencës Roli i qeverisjeve vendore në procesin e integrimit në BE, organizuar nga Instrumenti i BE-së për Asistencë Teknike dhe Shkëmbim Informacioni (TAIEX) së bashku me Ministrin shqiptar të Shtetit për Çështjet Vendore. Synimi i seminarit, me pjesëmarrjen e gjithë bashkive, ishte rritja e ndërgjegjësimit dhe shtimi i njohurive të autoriteteve vendore shqiptare mbi rolin e tyre në procesin e integrimit në BE, përfshirë zbatimin e legjislacionit të BE-së. Seminari u fokusua te masat për zhvillimin ekonomik vendor dhe politika fiskale decentralizuese. Ekspertët nga Gjermania dhe Polonia prezantuan praktikat më të mira dhe dhanë rekomandime që synonin zbatimin strategjik të procesit të decentralizimit. U organizuan dy seanca paralele mbi planifikimin strategjik, sistemet financiare, si dhe promovimin e biznesit dhe strategjive vendore të punësimit.
"Niveli vendor është aty ku qytetarët dhe autoritetet janë më pranë njëri-tjetrit. Pjesa më e madhe e zbatimit të legjislacionit të BE-së ndodh në nivel vendor. Politikisht, afrimi i BE-së me qytetarët dhe qeveritë vendore është kyç për aspiratën e Shqipërisë për në BE", tha Ambasadorja e BE-së në Shqipëri Romana Vlahutin gjatë fjalës së saj të hapjes.
“Kam qenë gjithmonë i bindur se integrimi europian fillon më së pari nga qytetari dhe familja e tij, e pastaj vijon tek lagjia ku banon, qyteti ku jeton, bashkia, e më tej, tek vendi si një i tërë. Në këtë kuptim, bashkia si autoriteti qeverisës më pranë qytetarit bëhet edhe nyja lidhëse e tij në procesin e integrimit në familjen e madhe europiane”, u shpreh Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi.
Ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha theksoi në fjalën e saj se janë mesatarisht 10 milionë Euro në vit të mundshme të përthithen direkt nga njësitë e qeverisjes lokale në Shqipëri nëse aplikojnë dhe paraqesin projekt-propozime në kuadër të Programeve të Bashkëpunimit Territorial.
“Për këtë qëllim është thelbësore ngritja e njësive të Integrimit dhe projekteve pranë secilës Bashki, përcaktimi i koordinatorëve, vendosja e kontakteve të vazhdueshme mes këtyre personave dhe Ministrisë së Integrimit Europian e cila informon, orienton dhe koordinon procesin e thirrjeve për projekt propozime në kuadër të këtyre Programeve”,tha Ministrja Gjosha.
BE-ja është e gatshme të sigurojë ndihmë të mëtejshme lidhur me ngritjen e kapacitetit të qeverisjeve vendore përmes seminareve në terren që janë me rëndësi si për bashkitë dhe për vetë qytetarët.
Bashkimi Evropian është gjithashtu ofruesi i donacionit më të madh për projektin që zbatohet nga UNDP "Mbështetje për Reformën Territoriale dhe Administrative", STAR. Në fazën e dytë të këtij projekti që sapo ka nisur, BE-ja mbështet zbatimin e legjislacionit mbi shërbimin civil në nivel vendor, rritjen e efikasitetit të sigurimit të shërbimeve, si dhe përfshirjen e qytetarëve në vendim-marrjen vendore. Qytetarët do të mund t’i ndjejnë konkretisht përmirësimet, veçanërisht përmes ngritjes së zyrave me një ndalesë.

Kategoria
Joint Statements
Location

Tirana

Editorial sections
Albania