Western Balkans

Fjalimi i Ambasadores Nataliya Apostolova në publikimin e Raportit për Kosovës për vitin 2018

17/04/2018 - 17:31
Voices and views

Me paketën e zgjerimit të këtij viti dhe raportet për vendin, Komisioni Evropian rikonfirmon angazhimin e tij të vazhdueshëm ndaj perspektivës evropiane të Kosovës dhe vlerave themelore të BE-së si elemente thelbësore të zgjerimit

Check against delivery

Të nderuar ambasadorë,

Përfaqësues të shtypit,

Zonja dhe Zotërinj,

  • Me paketën e zgjerimit të këtij viti dhe raportet për vendin, Komisioni Evropian rikonfirmon angazhimin e tij të vazhdueshëm ndaj perspektivës evropiane të Kosovës dhe vlerave themelore të BE-së si elemente thelbësore të zgjerimit.
  • Këto janë: sundimi i ligjit, duke përfshirë sigurinë, të drejtat themelore, institucionet demokratike dhe reforma e administratës publike, si dhe zhvillimi dhe konkurrueshmëria ekonomike. Forcimi i rolit më të gjerë të shoqërisë civile dhe palëve të interesit mbetet i rëndësishëm për të gjitha përpjekjet për reforma.
  • Në vazhdën e raporteve të mëparshme të vitit të kaluar, raporti ofron krahasueshmëri më të madhe mes vendeve, duke lejuar një vlerësim të përgjithshëm të nivelit që kanë arritur vendet e Zgjerimit në përgatitje për sfidat e anëtarësimit në BE.
  • Gjithashtu, kjo do të thotë se standardet kundrejt të cilave vlerësohet Kosova janë të njëjta si për të gjithë rajonin.
  • Raporti ofron dy lloje të analizave: përparimin e Kosovës që nga raporti i fundit i nëntorit 2016 dhe harmonizimin e përgjithshëm të Kosovës me legjislacionin dhe praktikën e BE-së, siç përfshihet në Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit mes BE-së dhe Kosovës. Raporti tregon ku është arritur përparim, ku vazhdojnë të hasen problemet dhe cilat hapa mbeten të domosdoshëm për ta çuar përpara reformën.
  • Këto 17 muaj, që nga raporti i fundit, situata në Kosovë është shënuar nga zgjedhjet parlamentare dhe lokale dhe një polarizim i vazhdueshëm mes partive politike. Kjo ka ndikuar negativisht në rolin e Kuvendit dhe ka ndikuar në efektivitetin e qeverisë për të realizuar reforma të qëndrueshme.
  • Ka pasur edhe suksese. Ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit kufitar me Malin e Zi në mars 2018 ishte një përparim i rëndësishëm, një hap i pritur gjatë dhe vendimtar drejt liberalizimit të vizave.
  • Më tej, krahasimi i raportit të vitit 2016 me raportin aktual tregon një numër fushash në të cilat nuk janë ndjekur rekomandimet e dhëna në vitin 2016, të cilat përsëriten në këtë raport. Vlerësimi nuk është aq pozitiv sa unë dhe ju do të kishim shpresuar se do të ishte, por pasqyron një vlerësim të sinqertë të gjendjes së zhvillimit të Kosovës drejt përmbushjes së kritereve të anëtarësimit, dhe të përparimit të arritur që nga raporti i fundit i nëntorit 2016. Ju këshillojmë fuqimisht t’i shqyrtoni veçanërisht ato rekomandime dhe të filloni t'i trajtoni.

Sundimi i Ligjit dhe Liberalizimi i Vizave

  • Kosova ka forcuar kornizën ligjore që rregullon menaxhimin e migracionit të rregullt dhe të parregullt me ligje të reja për të huajt, azilin dhe kufirin shtetëror. Është shënuar përparim edhe në lidhje me rezultatet e hetimit dhe ndjekjes penale ndaj korrupsionit të nivelit të lartë dhe lëndët e krimit të organizuar. Ky vlerësim është ende në vazhdim, duke pasur parasysh edhe përditësimin e informatave më të fundit të ofruara nga autoritetet e Kosovës. Për të kryer këtë vlerësim të zhvillimeve të fundit, një mision ekspertësh do të vizitojë vendin gjatë dy javëve të ardhshme .
  • Raporti për Kosovën shqyrton luftën e përgjithshme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në të gjitha sferat e shoqërisë kosovare të adresuara nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit. Raporti ndërmerr një vlerësim më të gjerë dhe më afatgjatë të aftësisë së Kosovës për të siguruar sundimin efektiv të ligjit, duke përfshirë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kjo mbetet në fazë të hershme dhe duhet bërë shumë më tepër për të plotësuar detyrimet që rrjedhin nga procesi i anëtarësimit në BE, duke marrë parasysh edhe nivelin relativisht të ulët prej nga e filloi Kosova rrugën e saj - veçanërisht në lidhje me një gjyqësor funksional. Ndonëse ka pasur disa përmirësime në legjislacion - për shembull, ligji për parandalimin e konfliktit të interesit - korrupsioni dhe krimi i organizuar ende mbeten endemikë në Kosovë, dhe kërkohet veprimtari më efektive e gjyqësorit.
  • Sa i përket Gjyqësorit, Kosova mbetet në një fazë të hershme të përafrimit me legjislacionin e BE-së dhe ndërtimit të një gjyqësori efektiv. Raporti vlerëson zbatimin e mëtejshëm të paketës gjyqësore të vitit 2015 dhe veçanërisht integrimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në veri. Sidoqoftë, ka ende sfida të rëndësishme që duhen trajtuar: administrimi i drejtësisë është i ngadalshëm dhe joefikas, ka shqetësime për cilësinë e disa aktgjykimeve, cenueshmërinë e sistemit gjyqësor ndaj ndikimit të papërshtatshëm politik si dhe mungesës së fondeve dhe burimeve njerëzore, si dhe të vullnetit të brendshëm për të trajtuar rastet e krimeve të luftës (UÇK). Miratimi i kohëve të fundit i Ligjit për Prokurorinë e Shtetit është një hap i mirë që lejon forcimin e Prokurorisë Speciale.

Deportimi i qytetarëve turq dhe Dhomat e Specializuara

  • Për fat të keq, ka pasur vendime të caktuara të lidhura me sundimin e ligjit, siç është deportimi i shtetasve turq, i cili ngriti shumë pikëpyetje në Bruksel në lidhje me zbatimin e procesit të duhur ligjor. Përpjekjet e anëtarëve të Kuvendit në dhjetor 2017 për të shfuqizuar Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Prokurorinë e Specializuar kanë ngritur shqetësime serioze lidhur me angazhimin e Kosovës për të përmbushur detyrimet e saja ndërkombëtare.

Reforma e Administratës Publike

  • Për reformën e administratës publike, raporti vë në dukje disa përparime të arritura me shqyrtimin e bërë në vitin 2016 dhe punën e vazhdueshme për të trajtuar fragmentimin, llogaridhënien e kufizuar dhe përgjegjësitë e mbivendosura të agjencive dhe organeve. Për më tepër, është bërë një punë e mirë për të hartuar një paketë gjithëpërfshirëse të reformave legjislative për organizimin e administratës publike, shërbimit civil dhe pagave. Shpresojmë që së shpejti Kosova të hedhë hapa të mëdhenj përpara me miratimin e një pakete të mirë ligjesh, deri në fund të këtij viti. Kjo bazohet në vitet e punës plot durim dhe përparimit të arritur - nga qeveria aktuale dhe ajo e mëparshme.
  • Shprehim shqetësimin e vazhdueshëm për disa emërime (dhe për disa raste shkarkimesh) në shërbimin e lartë civil, institucione dhe agjenci të pavarura, të cilat nuk janë të bazuara në merita dhe duken se i detyrohen ndikimit të papërshtatshëm politik. Kjo vazhdon të dëmtojë funksionimin dhe menaxhimin efektiv të sektorit publik dhe ndërmarrjeve publike. BE-ja ka ngulur këmbë dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë, që emërimet e tilla të bëhen në bazë të meritës, dhe jo për favore.

 

Ekonomia

  • Kosova ka arritur përparim të mirë në vendosjen e sistemeve, rregullave dhe infrastrukturës cilësore për zhvillimin e një ekonomie funksionale tregu. Është përmirësuar mjedisi i biznesit. Në këtë drejtim, vërehet veçanërisht rritja e qasjes në financa (Fondi për Garantimin e Kredive!) dhe procedurat e thjeshtëzuara të regjistrimit. Qeveria i është përmbajtur rregullës fiskale për deficitin buxhetor; sidoqoftë, përfitimet e veteranëve të luftës vazhdojnë të përbëjnë një sfidë për financa publike të qëndrueshme në të ardhmen. Teksa është rritur pjesëmarrja në tregun e punës, përfitimet në punësim ende nuk janë të njëjta. Baza vazhdimisht e dobët e prodhimit, mbështetja në remitanca dhe investimet shumë të ulëta në sektorët prodhues mbeten sfidë për periudhën afatmesme, dhe raporti vazhdon të theksojë reformat dhe punën e nevojshme për ta trajtuar këtë çështje, dhe se është e rëndësishme të ruhet disiplina financiare.

Energjia

  • Ka pasur disa përparime në lidhje me zbatimin e pjesëve të Pakos së Tretë të Energjisë të acquis të BE-së. Megjithatë, çështjet kyçe, si mbyllja e Kosovës A dhe pyetjet rreth pavarësisë së Rregullatorit të Energjisë, mbeten ende të hapura.
  • E dimë se në rastin e Kosovës përparimi në çështjet kyçe si energjia ndikohet nga vonesa në zbatim, nga Serbia, të marrëveshjes për energjinë që i lejon Kosovës të jetë pjesë e mekanizmave rajonale të transmetimit të energjisë elektrike.

Kapitujt kyç që përbëjnë shqetësim dhe ku nuk vërehet përparim:

Për fat të keq, raporti gjithashtu vë në dukje se nuk ka pasur përparim në fusha kyçe si Arsimi dhe Mjedisi e Ndryshimet Klimatike:

  • Për Arsimin, mbetet absolutisht e nevojshme të përmirësohet cilësia e arsimit, i cili është një nxitës kyç i konkurrueshmërisë dhe rritjes afatgjatë. Kërkohet një ligj i ri për arsimin e lartë dhe përpjekje të mëtejshme në reformat e kurrikulave (përfshirë AAP-në), për një reformë të bazuar në standardet më të mira, duke përfshirë sigurimin e autonomisë dhe funksionimin e pavarur të institucioneve të arsimit të lartë dhe të mekanizmave të sigurimit të cilësisë.
  • Ende ka probleme serioze mjedisore, të cilat janë të patrajtuara dhe vazhdojnë të ndikojnë në jetesën dhe shëndetin e qytetarëve. Këtyre duhet t’u jepet prioritet më i lartë nga të gjithë aktorët në Kosovë. Sistemet e inspektimit nuk funksionojnë dhe gjobat mjedisore e legjislacioni penal nuk zbatohen. Mbetjet e rrezikshme të minierave dhe depozitimet industriale vazhdojnë të përbëjnë rrezik serioz për tokën dhe ujin. Nivelet e ndotjes së ajrit janë të rrezikshme dhe kërkohen masa urgjente, në veçanti për të zvogëluar mbështetjen e amvisërive në ngrohjen me linjit. Menaxhimi i mbetjeve, një kompetencë e qeverisjes vendore, mbetet ende i paqëndrueshëm dhe paraqet rreziqe të konsiderueshme afatgjata.

Rruga përpara/Udhëzime

  • Çështjet që kam përshkruar janë vetëm një radiografi e tërë raportit. Është e rëndësishme të mbani mend se ne mbulojmë gjithë gjerësinë dhe thellësinë e marrëdhënieve tona BE-Kosovë, duke përfshirë edhe shumë fusha teknike. Siç thashë në fillim, ka fusha ku është arritur përparim dhe ka fusha ku kërkohet shumë më tepër që Kosova të përmbushë kërkesat e anëtarësimit në BE. Kjo është rrugë e gjatë.
  • Nuk ka dyshim që në rastin e Kosovës, herë pas here, puna e ardhshme mund të duket e rëndë, por nëse përdoret momentumi i strategjisë së BB-së, angazhimi i përtërirë dhe fokusi i BE-së në rajon, atëherë Kosova mund të mbyllë distancën.
  • Raporti ofron udhëzime kyçe dhe konkrete për Kosovën për 12 muajt e ardhshëm, të cilat duhet të trajtohen me urgjencë nga institucionet. Ky duhet kuptuar si një udhëzim pozitiv për të ndihmuar Kosovën që të ecë përpara. BE-ja do të vazhdojë ta përkrahë Kosovën aty ku ka gatishmëri për të arritur përparim.
  • Në shkurt të vitit 2018, Komisioni publikoi Strategjinë e tij për Ballkanin Perëndimor, çka dërgon një sinjal shumë të fortë dhe të qartë për perspektivën evropiane të të gjithë rajonit të Ballkanit. Megjithatë, Komisioni e bëri të qartë se nuk ka rrugë të shkurtër për anëtarësimin: kjo kërkon një proces të ashpër transformimi. Përparimi varet tërësisht nga meritat objektive dhe rezultatet konkrete të arritura nga secili partner, përfshirë edhe për Kosovën.
Seksionet editoriale: