European Union External Action

Fjala e Ambasadorit të BE-së Luigi Soreca gjatë dorëzimit të një skaneri të teknologjisë së lartë në Spitalin “Nënë Tereza”

Tirana, Albania, 10/03/2021 - 14:24, UNIQUE ID: 210310_7
Speeches of the Ambassador

Kam kënaqësinë të jem me ministren Manastirliu për të dorëzuar një skaner CT të teknologjisë më të lartë plotësisht të pajisur për të mbështetur diagnostikimin e pacientëve të shtruar në spital me COVID-19.

Ky do të jetë tani skaneri CT më i efektshëm në Shqipëri. Hulumtimet e përparuara tregojnë se skaneri CT zbulon mbi 97% të infeksioneve me COVID-19.

Do të jetë një element shtesë thelbësor në luftën kundër COVID-19, pasi mund të përdoret për të shqyrtuar raste komplekse, por edhe për të monitoruar individë me një dyshim të lartë klinik për infeksion.

Ky dhurim është i 6-ti dhe i fundit në kuadrin e projektit tonë EU4Health për të ofruar pajisje të specializuara mjekësore për parandalimin dhe trajtimin e COVID-19.

4.2 milion euro janë dhuruar nga BE-ja në këtë projekt për të blerë pajisje mjekësore shumë të specializuara për shpëtimin e jetës, si ambulanca, shtretër spitalorë, ventilatorë, përveç sigurimit të pothuajse 80.000 testeve dhe pajisjeve mbrojtëse për stafin e kujdesit shëndetësor.

Ky program e ka rritur thellësisht gatishmërinë e spitaleve shqiptare ndaj pandemisë COVID, por, në fakt, e ka bërë sistemin shëndetësor shqiptar më të përgatitur për të trajtuar çdo çështje tjetër shëndetësore me rëndësi.

Unë do të doja që ky dhurim të shihej si një shprehje e mbështetjes evropiane për përpjekjet mbresëlënëse të stafit mjekësor dhe ndihmësmjekësor për diagnostikimin, mbrojtjen dhe trajtimin e pacientëve të prekur nga koronavirusi.

Siç e dini, unë vetë kalova një përvojë mjaft të vështirë m COVID-in. Unë u mjekova këtu në Tiranë dhe ajo që përjetova ishte ndihma e madhe dhe profesionalizmi i mjekëve dhe infermierëve shqiptarë.

Prandaj, dua të përfitoj nga rasti të falënderoj të gjithë mjekët dhe infermierët që më ndihmuan në këtë moment. Dhe i ftoj të gjithë ta marrin COVID-in me shumë seriozitet. Të gjithë duhet të ndiejnë përgjegjësinë e të qenurit pjesë e një komuniteti. Është një përgjegjësi kolektive, është një përgjegjësi personale.

Ndërsa epidemia COVID-19 vazhdon të përhapet në të gjithë rajonin, BE-ja do të vazhdojë të jetë përkrah Shqipërisë.

Së pari, ne jemi duke negociuar dhe së shpejti do të nënshkruajmë një marrëveshje për t'i dhënë Shqipërisë më shumë se 11 milionë euro për të blerë pajisje për të mbështetur fushatat e vaksinimit dhe për të blerë vaksinat e rishitura nga Shtetet Anëtare.

Së dyti, Shqipëria do të përfitojë nga një projekt i ri rajonal i BE-së, i zbatuar nga OBSH-ja, mbi emergjencat shëndetësore dhe gatishmërinë (7.3 milionë euro), si dhe për të shoqëruar ardhjen e vaksinave COVID-19.

Para se ta mbyll fjalën time, do të doja të falënderoja UNOPS-in, Zyrën e Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projektit për menaxhimin e shpejtë dhe me efikasitet të këtij projekti në emër të BE-së. Ata kanë siguruar që Shqipëria të ketë pajisjet më të mira për të trajtuar nevojat emergjente shëndetësore.

Tani kam kënaqësinë të ftoj ministren Manastirliu të thotë disa fjalë në emër të qeverisë shqiptare.

Faleminderit, Ministre, për bashkëpunimin tonë të shkëlqyer në dobi të popullit shqiptar dhe të prekurve nga COVID-19!

Kriza epidemiologjike e përjetuar deri më tani ka treguar se nuk ekzistojnë kufij të vërtetë: bashkëpunimi dhe solidariteti janë ato çka na duhen për të kapërcyer këto momente të vështira.

Këto janë kohëra shumë të vështira në të gjitha vendet e botës, sigurisht edhe në BE. Por edhe në këto kohëra të vështira, BE-ja dhe Shtetet Anëtare të saj e kanë mbajtur angazhimin dhe mbështetjen e tyre për Shqipërinë, dhe ky dhurim është një tjetër shembull konkret i kësaj lidhjeje të fortë.

Më lejoni të theksoj se jemi ende duke përjetuar një prag të lartë të transmetimit. Për të rrafshuar kurbën e infeksioneve të reja, dëshiroj të kujtoj edhe një herë rëndësinë e angazhimit individual për:

  • Mbajtjen e maskës

  • Distancimin social

  • Politikat e synuara për të kufizuar turmat në vendet publike dhe në ambientet e brendshme

 

Ne ende mund ta zvogëlojmë ndikimin e pandemisë në Shqipëri, të parandalojmë vdekjet dhe vuajtjet. Dua t’i inkurajoj edhe një herë qytetarët të marrin në duart e tyre, të bëjnë pjesë të zakoneve dhe rutinës së tyre, mbrojtjen e familjeve dhe vendit të tyre, duke i kujtuar njëri-tjetrit se lufta kundër COVID-19 është një punë në ekip dhe një përgjegjësi e përbashkët.

Languages:
Seksionet editoriale: