European Union External Action

Intervista e Ambasadorit të BE-së Luigi Soreca për News 24

Tirana, 06/03/2021 - 14:34, UNIQUE ID: 210306_1
Press releases

Gazetari: Faleminderit, z. Ambasador, për intervistën me News24.

Ambasadori: Faleminderit!

Gazetari: Ju vini nga Brukseli. Keni pasur disa takime të rëndësishme me drejtuesit e lartë të Bashkimit Evropian, në të cilat mori pjesë edhe kryeministri Edi Rama. Çfarë mendoni se prodhuan këto takime për shqiptarët dhe politikën shqiptare?

Ambasadori: Së pari, ishte takimi i parë i nivelit të lartë me Komisionin e ri, sepse duke pasur parasysh pandeminë, tërmetin në vitin 2019, nuk ka pasur takime mes Komisionit të ri që filloi funksionimin para dy vitesh dhe Qeverisë së Shqipërisë. Ishte një takim shumë i suksesshëm, si në seancat e hapura ashtu dhe në ato të mbyllura dhe besoj se marrëdhënia mes liderëve ishte shumë konstruktive. Mendoj se pozicioni i BE-së u përmblodh më së miri nga Presidentja Von der Leyen, kur tha se e ardhmja e Shqipërisë është në Bashkimin Evropian dhe negociatat duhet të nisin sa më shpejt. Nga ana e Shqipërisë, isha shumë i kënaqur kur dëgjova kryeministrin të thoshte se nuk ka alternativë për integrimin e Shqipërisë në BE. Dhe kjo sigurisht konfirmohet nga niveli ende shumë i lartë prej 85% i shqiptarëve që duan të pranohen në Bashkimin Evropian. Nga ky pikëvështrim ishte një takim i rëndësishëm ku u bënë deklarata të forta për çka do të bëjmë së bashku në të ardhmen. Sigurisht që bëmë një përmbledhje të progresit të madh të bërë nga Shqipëria gjatë dy viteve e gjysmë, çka e bëri Komisionin Evropian, sic e dini, të konsiderojë se Shqipëria i ka përmbushur kushtet për të thirrur Konferencën e parë Ndërqeveritare. Ishte gjithashtu e rëndësishme që Zëvendëspresidenti / Përfaqësuesi i Lartë Borrell e bëri të qartë që Shqipëria duhet të vazhdojë të jetë partnere e qëndrueshme për BE-në në Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë. Ka një linjëzim 100% në atë çka Shqipëria dhe BE-ja bëjnë së bashku në politikën e jashtme. Dhe pasja e një partneri kaq të qëndrueshëm në Shqipëri, e bën Shqipërinë një shembull pozitiv në një moment kur rajoni po kalon gjithë këto ndryshime. Ta kemi Shqipërinë të vendosur 100% është shumë e rëndësishme për BE-në.

Gazetari: Sigurisht, rruga e Shqipërisë është drejt BE-së, por kjo rrugë fillon zyrtarisht me Konferencën e parë Ndërqeveritare, e cila ende nuk është mbledhur. Është përmendur disa herë, por gjërat nuk shkuan siç ishin planifikuar. A do të ketë një konferencë në qershor, siç u tha, apo ndoshta rrezikojmë të shtyhet?

Ambasadori: Shpresoj të keni të drejtë. Ky është objektivi ynë, qershori është periudha për Konferencën e parë Ndërqeveritare. Siç e thashë, pozicioni i Komisionit Evropian i shprehur në takim është që kushtet për konferencën e pare janë përmbushur. Komisioni Evropian propozon, Shtetet Anëtare vendosin në Këshill. Prandaj është e rëndësishme tani që ndërsa Shqipëria vazhdon të bëjë punën që është e nevojshme, edhe gjatë fushatës elektorale, në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, vazhdimit të ndërtimit të gjyqësorit, Shtetet Anëtare e shohin këtë angazhim të vazhdueshëm dhe prandaj do të duhet të vendosin dhe shpresojmë që vendimi për qershorin të jetë pozitiv. Mendoj se është një periudhë shumë e rëndësishme. Shqipëria ka zgjedhjet, ndaj është shumë e rëndësishme të jepet sinjali se pavarësisht debatit të pashmangshëm që do të sjellin zgjedhjet, Shqipëria të vazhdojë të punojë. Shtetet Anëtare po i shohin pozitivisht rezultatet e Shqipërisë deri tani. Mendoj se është shumë e rëndësishme të vazhdohet në këtë drejtim dhe shpresa ime, sigurisht, është si gjithë shqiptarët dhe shumë të tjerë, se qershori është objektivi për të mbajtur këtë hap shumë të rëndësishëm.

Gazetari: Edhe një herë, për të qëndruar te takimi i mbajtur në Bruksel. Një nga temat e diskutuara ishte ajo e kandidatëve me të kaluar të pastër kriminale për zgjedhjet e ardhshme, të cilat, siç thatë edhe ju, janë shumë të rëndësishme. E njëjta deklaratë u bë nga Ambasada e SHBA-së në Tiranë. A ka tregues konkretë, keni ndonjë informacion që diçka po ndodh dhe shqiptarët mund të rrezikojnë që të kenë në parlamentin e ardhshëm persona me të kaluar?

Ambasadori: Për Bashkimin Evropian standardi më i lartë i integritetit për kandidatët është përparësia kryesore. Ne kemi mbështetur ligjin e dekriminalizimit, po mbështesim institucionet shqiptare me një program shumë të madh kundër korrupsionit, duam financim të qartë të partive, pra këto janë përparësitë kryesore për ne. Prandaj vazhdojmë t’i bëjmë këto deklarata, së fundmi këtu në Shqipëri edhe Komisionerja Johanson i bëri këto deklarata, po ashtu edhe unë, edhe në Bruksel. Ka një dimension ligjor, ligji i dekriminalizimit duhet të zbatohet plotësisht, por më lejoni të them se ka edhe një dimensioni tjetër, ky është integriteti që shkon përtej ligjit të dekriminalizimit. Pse? Sepse jemi në pikën e nisjes së negociatave dhe parlamenti i ri duhet t’u nënshtrohet reformave në fusha të tilla si lufta kundër krimit të organizuar, korrupsioni, dhe për ta bërë këtë duhet të keni standarde të larta integriteti të anëtarëve të parlamentit. Prandaj ne vazhdojmë ta përmendim këtë. E hëna është afati për prezantimin e kandidaturave. Presim me padurim të shohim listën dhe ne sigurisht do të bëjmë vlerësimin tonë. Për këtë unë kam qenë në kontakt të vazhdueshëm me Komisionerin Celibashi. E takova përsëri javën e kaluar. Ramë dakord mbi nevojën për të qenë shumë të qartë për këto standarde kur bëhet fjalë për listën e kandidatëve.

Gazetari: AFET ka ngritur shqetësimin e pastrimit të parave në raportin e vet dhe mungesën e ndëshkimit për njerëzit e përfshirë në shitblerjen e votave. Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar të njëjtën gjë në raportin e vet, duke e konsideruar pastrimin e parave në Shqipëri një shqetësim të madh. Si ish-prokuror, çfarë mendoni për këto deklarata dhe për zhvillimet e fundit?

Ambasadori: Vitin e kaluar Shqipëria u vendos nga FATF në listën gri. Ky ishte qartazi një zhvillim me rëndësi që ne e theksuam, në kuptimin që ne duam që Shqipëria të dalë sa më shpejt nga ajo listë. Është përgatitur një Plan Veprimi dhe ajo që mund të them është se raporti që kemi marrë nga FATF në dy javët e fundit është që Shqipëria po përparon drejt përmbushjes së hapave të nevojshëm për të arritur në pikën e daljes nga kjo listë. Kjo është një përpjekje afatgjatë, nuk ndalet në momentin kur bëhet Plani i Veprimit, është pjesë e punës që duhet të bëjë Shqipëria në periudhën afatmesme deri afatgjatë. Prandaj, do të vazhdojmë të monitorojmë nga afër që këta hapa të vazhdojnë muajt e ardhshëm, para dhe pas Konferencës së parë Ndërqeveritare.

Gazetari: Reforma në drejtësi është kthyer në një betejë politike midis opozitës dhe qeverisë. Kryeministri Rama thotë se nëse opozita vjen në pushtet, reforma do të zhbëhet, nga ana tjetër Basha thotë se nuk do ta prekë kurrë reformën. Si e shihni mënyrën sesi dy kampet po e përdorin politikisht reformën, të cilën populli shqiptar e dëshiron aq shumë?

Ambasadori: Shpresa ime sinqertë është që reforma në drejtësi nuk do të preket nga fushata zgjedhore. Sepse për shqiptarët ajo nuk është një çështje ndarëse. 80% e shqiptarëve, sipas sondazhit të fundit të Delegacionit tonë, janë në favor të reformës në drejtësi. Të mos harrojmë se në korrik 2016, 140 parlamentarë votuan për reformën në drejtësi, gjithë spektri politik. Ndaj, është shumë e rëndësishme sipas mendimit tim që fokusi të mbetet te bërja më efikase e reformës në drejtësi, më përmbushëse. Dhe po shohim disa rezultate interesante. Më lejoni të përmend vendimin e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut lidhur me vetingun, që e bën të qartë që ai është i drejtë, proporcional, dhe e përforcon rëndësinë e tij. Pastaj kemi një hetim shumë të rëndësishëm të kryer nga SPAK, lidhur me këtë grup të organizuar magjistratësh që vepronin në mënyrë të korruptuar. Kjo është shumë e rëndësishme për të treguar konkretisht. Sigurisht që reforma në drejtësi nuk është e përkryer. Ajo është një reformë komplekse me efekt të largët, që siç e thashë duhet të bëhet më efikase. Unë e di rëndësinë e drejtësisë në çdo vend. Në Shqipëri mund t’ju them se pasi të nisin negociatat Shqipëria do t’i arrijë menjëherë negociatat, falë reformës në drejtësi. Kapitulli 24 që është aq i vështirë dhe i rëndësishëm për gjithë vendet kandidate, nuk do të jetë edhe aq i vështirë për Shqipërinë për shkak të reformës në drejtësi. Shqipëria mund ta përshpejtojë ritmin e negociatave falë përpjekjes së jashtëzakonshme që gjithë institucionet e drejtësisë dhe sistemi politik kanë vendosur të ndërmarrin.

Gazetari: Sa të rëndësishme janë zgjedhjet e 25 prillit për shqiptarët dhe të ardhmen e Shqipërisë drejt BE-së?

Ambasadori: Ato janë të rëndësishme së pari për shqiptarët, për shkak të momentit kur do të zhvillohen, për shkak të sensit historik të rotacionit në Shqipëri, për faktin se jemi në një moment kritik edhe për integrimin në BE. E përmendëm se sa i rëndësishëm është integrimi në BE për Shqipërinë. Prandaj shpresojmë se ashtu si draft raporti i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Evropian përmendte dje, para miratimit përfundimtar nga parlamenti, rëndësinë e zgjedhjeve. Është një draft me rëndësi që i vendos zgjedhjet në qendër, ashtu si dhe konceptin e transparencës dhe gjithëpërfshirjes. Presim që fushata të jetë e drejtë, po ashtu edhe zgjedhjet. Raporti AFET ishte gjithashtu i rëndësishëm për të treguar se Shqipëria duhet të vazhdojë punën, para dhe pas konferencës së parë ndërqeveritare. Pra, zgjedhjet janë me rëndësi për Shqipërinë, janë me rëndësi për BE-në dhe ne presim me padurim që zgjedhjet të zhvillohen sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it.

Gazetari: Ka gati një vit tashmë që e gjithë bota po jeton një periudhë të vështirë për shkak të pandemisë Covid19. Cila ishte përvoja juaj me të?

Ambasadori: Në nivelin personal ishte një eksperiencë e vështirë, për të qenë i sinqertë. Ky është virus serioz. Mesazhi që dua të jap për të gjithë është që duhet të merret shumë seriozisht. I ftoj të gjithë, shqiptarë dhe më gjerë, të zbatojnë rregullat e rrepta të protokollit të sigurisë dhe masat që kërkohen nga autoritetet. Të gjithë duhet të ndiejnë përgjegjësinë e të qenit pjesë e një komuniteti. Është një përgjegjësi kolektive, është përgjegjësi personale. Çdo ditë njerëzit duhet të jenë të kujdesshëm për veten, për familjet, për miqtë, për komunitetin. Është e rëndësishme të zbatohen rregullat. Përvoja ime më tregoi se kisha ndihmë shumë të mirë nga mjekët dhe infermierët shqiptarë. U kurova këtu në Tiranë. Përjetova angazhimin e tyre, disiplinën e tyre, ata më mësuan disiplinën gjithashtu, dhe profesionalizmin e tyre. Ndaj dua të përfitoj nga rasti këtu për të falënderuar gjithë mjekët dhe infermierët që më ndihmuan në këtë moment. I ftoj të gjithë, siç thashë, ta marrin këtë shumë seriozisht. Shqipëria është e përgatitur, Shqipëria ende po lufton, të gjithë po e luftojmë virusin. Mos e ulni tani nivelin e kujdesit.

Gazetari: Çështja e vaksinave është bërë tashmë një shkak për grindje, ku secili vend po përpiqet të sigurojë sa më shumë vaksina që të jetë e mundur. Kohët e fundit kemi dëgjuar deklaratën e z. Rama, edhe në Bruksel, se BE-ja e ka lënë pas Ballkanin Perëndimor. Çfarë mendoni për deklaratat e tij?

Ambasadori: Po flisnim për Këshillin e MSA-së që u zhvillua në Bruksel dhe pala shqiptare e pranoi atje solidaritetin e jashtëzakonshëm të Bashkimit Evropian kundrejt Shqipërisë në vitin 2020 për të luftuar Covidin, për t’u rimëkëmbur nga tërmeti. Kjo ka qenë një përpjekje e jashtëzakonshme që ka bërë Bashkimi Evropian dhe ishte e rëndësishme që kjo të pranohej nga pala shqiptare në takimin e lartë mes dy palëve. Kjo asistencë do të vazhdojë. Të martën unë do t’i dorëzoj ministres Manastirliu objektet e fundit të ndihmës me pajisje mjekësore që nisëm prillin e kaluar. Të martën do të dorëzohet një skaner CT me standard të lartë dhe ky është dorëzimi i tetë që unë personalisht i kam dhënë ministres. Sapo mora konfirmimin, para se të vija këtu se për të ndihmuar rimëkëmbjen sociale dhe ekonomike të Shqipërisë, 90 milionët e parë të asistencës makro-financiare, që Bashkimi Evropian ka premtuar dhe kontraktuar me Shqipërinë do të jepen më 1 prill. Transhi i dytë i 90 milionë eurove do të jepet në verë, brenda një periudhe kohore të shpejtë, duke pasur parasysh shumën për të cilën po flasim. Nuk dua të përmend ndihmën për tërmetin. E kemi diskutuar asistencën për kulturën dhe arsimin në Bruksel. Të gjitha po përpiqemi të sigurojmë mjaftueshëm vaksina. Brenda Bashkimit Evropian ka një situatë të vështirë. Mund ta keni dëgjuar dje se Italia ka vendosur të aplikojë një rregullore të re lidhur me ndalimin nga ana e BE-së së transferimit të dozave të AstraZeneca-s një vendi të tretë, Australisë. Kjo tregon sa i vështirë është për momentin sigurimi i vaksinave. Ne po bëjmë më të mirën. Siç e dini, ne jemi donatorët më të mëdhenj për Covax-in, drejtuar nga OKB. Në Bruksel u njoftua se transhi i parë i vaksinave të Covax-it i sponsorizuar nga BE-ja do të mbërrijë në Shqipëri në fund të muajit. Mund t’ju them edhe një herë lajmin se sapo patëm një takim me ministren e Shëndetësisë. Ditët e ardhshme do të nënshkruajmë një grant për 11 milionë euro që Bashkimi Evropian do ta vërë në dispozicion të Shqipërisë për të blerë vaksina dhe pajisje për të përfunduar planin e vaksinimit. Siç e kam thënë para disa javësh, e kuptoj zhgënjimin, por kjo nuk e errëson asistencën e jashtëzakonshme që Shqipëria ka marrë dhe do të vazhdojë të marrë. Ne si Bashkim Europian shqetësohemi për Shqipërinë dhe këtë e kemi treguar shumë qartë gjatë dy viteve të fundit.

Gazetari: Fillimisht, kur u pyet për vaksinat ruse dhe kineze, kryeministri Rama tha se për sa kohë që BE-ja nuk e bën këtë hap, as ne nuk do ta bëjmë. Por disa ditë më parë, i pyetur nga News24 nëse ka ndonjë kontratë apo diskutim në vazhdim për marrjen e këtyre vaksinave, ai tha se nuk do të komentonte. A ndikon kjo në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe BE-së? Është edhe shembulli i Serbisë, e cila i ka marrë tashmë ato.

Ambasadori: Siç e thashë, shumë vende po përpiqen. Shqipëria po ndihmohet nga Bashkimi Evropian, dhe siç e dini, tani Agjencisë Mjekësore Evropiane i është kërkuar të vlerësojë përputhshmërinë e vaksinës ruse Sputnik me standardet e BE-së. Kjo do të kërkojë disa javë. Nëse ndodh, mendoj se është sinjal shumë i rëndësishëm që u japim partnerëve tanë, duke thënë se ka vaksina të tjera, përveç atyre që janë siguruar dhe kualifikuar tashmë nga Agjencia, të cilat mund të përdoren. Mendoj se është shumë e rëndësishme dhe objektivi është që popullsia të vaksinohet sa më shpejt të jetë e mundur. Ky është objektivi ynë. Duhet të sigurojmë që në Bashkimin Evropian, në vendet fqinje mike, të vaksinohen të gjithë sa më shpejt të jetë e mundur. Ky është objektivi.

Gazetari: Një pyetje të fundit. Kam parë që jeni shumë i pasionuar pas ecjeve sportive dhe udhëtimeve nëpër Shqipëri. Ju e shijoni kohën tuaj të lirë. Çfarë keni mësuar jashtë Tiranës, ku situata në qytetet e tjera është krejt ndryshe? Çfarë mund të thoni për përvojën tuaj?

Ambasadori: Gjithnjë e kam thënë që kur Shqipëria t’i bashkohet Bashkimit Evropian do të jenë të 61 bashkitë e Shqipërisë, jo vetëm Tirana. Një nga objektivat e mia kryesore ka qenë të njoh dhe të shoh gjithë Shqipërinë, në male, në fshat, të takoj njerëzit aty ku jetojnë, edhe në vendet më të largëta. Mund t’ju them se do të vazhdoj ta bëj këtë javët e ardhshme dhe kam ndërmend të bëj një tur nëpër Shqipëri, në muajin maj, në Ditët e Evropës. Këtë do ta bëj falë punës së Njësive të Integrimit në BE, që e kemi në çdo bashki, së bashku me Ambasadorët e Rinj Evropianë, për të takuar të rinjtë. Kam përshtypjen se Shqipëria ka nevojë ta zgjerojë punën nga Tirana te bashkitë, prandaj po investojmë kaq shumë, që të ngremë një rrjet që shkon përtej Tiranës. Mendoj se ka njerëz të jashtëzakonshëm që punojnë dhe jetojnë në komunitet, njerëz që po bëjnë ndryshimin në komunitetin e tyre. Mendoj se jashtë Tiranës, Shqipëria është një shembull për t’u ndjekur nga shumë njerëz. Mezi pres të vazhdoj të njoh edhe zonat më të largëta që nuk kam pasur rastin t’i vizitoj deri tani.

Gazetari: Z. Ambasador, shumë faleminderit për këtë intervistë.

Ambasadori: Shumë faleminderit dhe mirupafshim.

Languages:
Seksionet editoriale: