European Union External Action

Fjalimi i Amabsadorit Luigi Soreca në konferencën "Qeverisje për ndryshim: Propozime nga shoqëria civile"

Tirana, 23/02/2021 - 11:38, UNIQUE ID: 210223_28
Speeches of the Ambassador

Të dashur përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile,

Të dashur miq,

Në aktivitetin e sotëm është hera e parë që organizatave civile shqiptare u ofrohet një platformë e gjerë për të paraqitur përparësitë e tyre para partive politike përpara zgjedhjeve.

Jam shumë krenar që Bashkimi Evropian e bëri të mundur këtë konferencë, së bashku me angazhimin e mirëfilltë dhe të pasionuar të shumë organizatave të shoqërisë civile.

Gjatë ditës, ju do të diskutoni dhe do t’u prezantoni partive politike rekomandimet tuaja të politikave për manifestet e tyre elektorale.

Platformat e politikave duhet të jenë në zemër të fushatës elektorale. Shqiptarët meritojnë debate të informuara dhe propozime serioze që trajtojnë shqetësimet e tyre të vërteta. Një fushatë nuk ka të bëjë me politikanë që flasin me njëri-tjetrin. Ajo ka të bëjë me të folurit dhe të dëgjuarit e njerëzve.

Kjo është arsyeja pse konferenca e sotme është kaq e rëndësishme. Ne duam të dëgjojmë rreth temave që nuk paraqiten në fushatë: kërkimi, media, demokratizimi, kultura, ndryshimi klimaterik, siguria e ushqimit. Duam të dëgjojmë zëra që nuk janë paraqiten në fushatë: ekspertë, akademikë, artistë, gazetarë, të rinj.

Kërkesat e të rinjve dhe pjesëmarrja e tyre në zgjedhje është një çështje që unë jam veçanërisht i prirë ta promovoj. Në mars, së bashku me Ambasadorët tanë të Rinj Evropianë, ne do të angazhohemi me të rinjtë në të gjithë vendin për të kuptuar se çfarë duan ata për të ardhmen e Shqipërisë.

Në këtë dialog, organizatat e shoqërisë civile kanë një rol vendimtar për të luajtur. Ju veproni si një urë për t’u angazhuar me qytetarët.

Fryma e dialogut konstruktiv, e cila është lajtmotiv i forumit të sotëm, është një shtyllë e vlerave demokratike të BE-së.

Shoqëria civile duhet të jetë pjesë aktive e procesit të vendimmarrjes dhe do të jetë gjithnjë e më e rëndësishme në vitet e ardhshme. Ne presim që qeveria t’u japë organizatave të shoqërisë civile vendin e rëndësishëm dhe legjitim që ato duhet të zënë në procesin e negociatave.

Organizatat e shoqërisë civile janë po ashtu thelbësore për mobilizimin e njerëzve, duke inkurajuar ata që tradicionalisht i nuk votojnë për shkak të mosbesimit apo sepse nuk e shohin ndikimin e kontributit të tyre.

Për të forcuar këtë rol, ne po financojmë një projekt të zbatuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit, Mbrojtësit e të Drejtave Civile dhe Instituti për Studime Politike. Projekti synon të fuqizojë qytetarët dhe OJQ-të vendore për t'u angazhuar në zgjedhjet e ardhshme. Jam i kënaqur që po punojmë edhe me një numër OJQ-sh vendore përmes nën-granteve.

Ditën e zgjedhjeve, disa prej jush mund të jenë duke e vëzhguar zyrtarisht procesin, si dhe duke siguruar që të drejtat e grave, personave me nevoja të veçanta, të burgosurve, pakicave, dhe në fakt të të gjithë qytetarëve, të respektohen.

Faleminderit për këtë punë të rëndësishme. Unë ju inkurajoj që t’i ndihmoni qytetarët të sigurohen se mund të votojnë, si dhe t'i ndihmoni të refuzojnë dhe raportojnë çdo shkelje, mashtrim apo kërcënim që mund të ndodhë. Ditën e zgjedhjeve, BE-ja do të bëjë gjithashtu përpjekjet e veta të monitorimit me ekipet e vëzhgimit të vendosura në të gjithë vendin.

Integriteti i zgjedhjeve përcaktohet ditën e zgjedhjeve dhe më parë. Këtu dua t'i bëj jehonë thirrjes së bërë nga Komisionerja Johansson këtë fundjavë në Tiranë: udhëheqësit e partive kanë një përgjegjësi ligjore dhe morale për të siguruar që listat e kandidatëve të përbëhen nga njerëz me integritetin më të lartë. Vendi meriton ligjvënës që do të mbështesin agjendën e reformave të BE-së në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Të dashur miq,

Zgjedhjet duken ndryshe në secilin prej Shteteve Anëtare të BE-së. Por thelbësore është që qytetarët vendosin në bazë të një oferte politike. Madje është edhe më e thjeshtë. Bëhet fjalë për qytetarët, për cilësinë e jetës së tyre, për të ardhmen dhe aftësinë e tyre për të ndikuar tek ajo përmes votës. Diskutime si ato të sotmet janë thelbësore për të drejtuar votuesit dhe kandidatët në këtë proces demokratik.

Unë pres të lexoj konkluzionet e sotshme, por më e rëndësishmja, unë pres që të shoh partitë politike të angazhohen me ato rekomandime dhe të mos lejojnë që iniciativa demokratike e sotme shumë e shëndetshme të mbetet e padëgjuar.

 

Languages:
Seksionet editoriale: