European Union External Action

Komisioni harton kornizat e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

Tirana, Albania , 01/07/2020 - 20:43, UNIQUE ID: 200701_17
Press releases

Sot, Komisioni Evropian i paraqiti Këshillit draftin e kornizave të negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke përcaktuar udhëzimet dhe parimet për bisedimet e tyre të anëtarësimit. Komisioni u ftua t'i paraqiste këto propozime në mars 2020 nga Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme kur mori vendimin për hapjen e negociatave me të dy vendet.

Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin Olivér Várhelyi komentoi: “Dita e sotme shënon një tjetër hap të rëndësishëm në rrugën e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian. Duke mbajtur angazhimin tonë, ne përcaktojmë korniza konkrete për zhvillimin e negociatave të anëtarësimit. Propozimet tona bazohen në metodologjinë e rishikuar të zgjerimit që kemi paraqitur në shkurt për ta bërë procesin e anëtarësimit më të besueshëm, me një orientim më të fortë politik, më dinamik dhe të parashikueshëm. Pres me padurim diskutimet me Shtetet Anëtare dhe mbajtjen sa më shpejt të konferencave të para ndërqeveritare me dy vendet. E ardhmja e tyre qëndron qartazi në Bashkimin Evropian dhe unë jam i sigurt se ato do të vazhdojnë të zbatojnë reformat në rrugën e tyre drejt BE-së, ashtu siç kanë bërë deri më tani”.

Shefi i Delegacionit të BE-së në Shqipëri, Ambasadori Luigi Soreca tha: "Tani është thelbësore që qeveria shqiptare dhe institucionet e tjera përkatëse shqiptare të vazhdojnë ta përqendrojnë veprimin e tyre në trajtimin  e të gjitha kushteve të përcaktuara nga Këshilli marsin e kaluar, me vullnet të fortë politik, me frymë bashkëpunimi dhe në një mënyrë gjithëpërfshirëse dhe të koordinuar.

 

Një kornizë për negociatat e anëtarësimit

Kornizat e negociatave përcaktojnë udhëzimet dhe parimet për negociatat e anëtarësimit me secilin vend kandidat. Draft kornizat ndahen në tri pjesë: 1) parimet që rregullojnë negociatat e anëtarësimit, 2) përmbajtja e negociatave, dhe 3) procedura e negociatave. Objektivi i negociatave është që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut ta miratojnë në tërësinë e tij legjislacionin e BE-së dhe të sigurojnë zbatimin e plotë dhe futjen në fuqi të tij pas anëtarësimit.

Draft kornizat e negociatave mbështeten në përvojën e zgjerimeve të kaluara dhe në negociatat e anëtarësimit në vazhdim. Ato integrojnë metodologjinë e rishikuar të zgjerimit, marrin në konsideratë legjislacionin në evoluim të BE-së, si dhe pasqyrojnë në mënyrën e duhur vlerat e vetë vendeve dhe situatat specifike.

Besueshmëria forcohet përmes një përqendrimi edhe më të fortë te reformat themelore, duke filluar me sundimin e ligjit, funksionimin e institucioneve demokratike dhe administratës publike, si dhe ekonominë e dy vendeve. Propozimet parashikojnë gjithashtu një orientim më të fortë politik të procesit, si dhe më shumë dinamizëm, duke i organizuar kapitujt negociues në grupime tematike. Parashikueshmëria e procesit të anëtarësimit mund të përmirësohet nga një qartësi më e madhe mbi pasojat pozitive që mund të sjellë progresi me reformat, si dhe mbi pasojat e mundshme negative në rast mungese së progresit, amullisë së zgjatur apo kthimit pas në zbatimin e reformës dhe përmbushjen e kërkesave të procesi të anëtarësimit.

Hapat e tjerë

Ashtu siç u angazhua në mars, kur u mor vendimi i Këshillit, Komisioni Evropian po ua paraqet draft kornizat e negociatave Shteteve Anëtare të BE-së, bashkë me një përditësim të progresit nga të dy vendet që nga momenti i vendimit. Pasi Shtetet Anëtare t’i kenë miratuar kornizat e negociatave, Presidenca e radhës e Këshillit të Bashkimit Evropian do të paraqesë Pozicionin e Përgjithshëm të dakortësuar  të BE-së në konferencën e parë ndërqeveritare me secilin vend, duke shënjuar kështu fillimin zyrtar të negociatave të anëtarësimit. Kjo është faza në të cilën kornizat e negociatave do të bëhen publike.

Për më shumë informacion

Skedë informative: Procesi i anëtarësimit në BE – hap pas hapi

Faktograf Shqipëria

Faktograf Maqedonia e Veriut

 

Languages:
Seksionet editoriale: