European Union External Action

BE-Shqipëri Marrëveshja e Stabilizimit dhe Asocimit - NËNKOMITETI i 12-të PËR DREJTËSI, LIRI DHE SIGURI

Tirana, Albania, 01/07/2020 - 16:07, UNIQUE ID: 200701_16
Press releases

Takimi i 12-të i Nënkomitetit për Drejtësi, Liri dhe Siguri mes BE-së dhe Shqipërisë u mbajt më 30 qershor dhe 1 korrik 2020. Përfaqësuesit e Komisionit Evropian dhe autoritetet shqiptare diskutuan mbi zhvillimet më të fundit në fushën e reformës në drejtësi, të drejtave themelore, antikorrupsionin, azilin dhe migracion, pastrimin e parave, luftën kundër krimit të organizuar, trafikut të drogës dhe luftën kundër terrorizmit. Takimi u bashkëkryesua nga znj. Michela Matuella, shefe e Njësisë për Shqipërinë dhe Bosnje dhe Hercegovinën në Drejtorinë e Përgjithshme për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit të Komisionit Evropian (Komisioni) dhe znj. Fjoralba Caka, zëvendësministre e Drejtësisë.

Komisioni mirëpriti faktin që përparimi në procesin e vetingut ka vazhduar përgjatë izolimit për shkak të Covid-19, dhe se seancat kanë rifilluar plotësisht në qershor 2020. Komisioni njohu përparimin e arritur në fusha të tjera kyçe të reformës në drejtësi, përfshirë emërimin e Prokurorit të Përgjithshëm, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, si dhe të anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese. Emërimet e mëtejshme në Gjykatën Kushtetuese duhet të vazhdojnë pa vonesë për të siguruar funksionimin e saj të plotë. Komisioni nënvizoi se çdo rishikim i procedurave të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi duhet të ketë parasysh pavarësinë e tij. Komisioni mirëpriti gjithashtu faktin që Zyra e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka nisur të funksionojë. Në lidhje me të drejtat themelore, Komisioni mirëpriti miratimin e ligjit mbi përfundimin e proceseve të pronësisë kalimtare dhe theksoi nevojën për të siguruar zbatimin e tij. Ai kërkoi gjithashtu miratimin e legjislacionit dytësor të mbetur për mbrojtjen e pakicave kombëtare. Paketa antishpifje duhet gjithashtu të rishqyrtohet në përputhje me rekomandimet e opinionit të fundit të Komisionit të Venecias.

Komisioni theksoi nevojën për përpjekje të vazhdueshme në luftën kundër korrupsionit në të gjitha nivelet dhe luftën kundër krimit të organizuar. Ai njohu rezultatet konkrete të arritura për trajtimin e kultivimit dhe trafikimit të kanabisit dhe përshëndeti operacionet e intensifikuara të policisë, të cilat kërkojnë ndjekje gjyqësore.

Shqipëria duhet të vazhdojë të përparojë në zbatimin e planit të veprimit të Grupit të Punës së Veprimit Financiar (FATF). Komisioni përshëndeti raportin e parë të Shqipërisë për përparimin në përfundimin e veprimeve prioritare të përcaktuara në marrëveshjen kundër terrorizmit me BE-në. Komisioni përshëndeti përpjekjet konkrete të bëra për të përmirësuar dialogun dhe bashkëpunimin me vendet më të prekura të BE-së nga aplikimet e pabaza për azil të shtetasve shqiptarë. Shqipëria dhe Komisioni ranë dakord që Shqipëria të vazhdojë të sigurojë bashkëpunim efektiv dhe të punojë ngushtësisht me Shtetet Anëtare të destinacionit.

Languages:
Seksionet editoriale: