European Union External Action

Të drejtat e fëmijëve janë universale, të pandashme dhe të patjetërsueshme

20/11/2019 - 15:39
Lajmet

Fjala e Shefes së Zyrës së BE-së/Përfaqësueses së Posaçme të BE-së, Nataliya Apostolova në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve

Check against delivery
 

Kam kënaqësinë të jem këtu sot dhe të flas në këtë shënim. Sinqerisht, kjo ngjarje më pëlqen më shumë se çdo ngjarje tjetër në të cilën kam qenë kohëve të fundit, pasi audienca këtu është ndryshe. Kjo sallë është plot me të rinj, fëmijë, gra e burra të rinj, djem e vajza. Energjia në këtë sallë është thjesht mahnitëse!

Sot po shënojmë Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve – pra ditën kur është miratuar Konventa për të Drejtat e Fëmijëve, saktësisht 30 vjet më parë.

30-vjetori i saj është mundësi për ta vlerësuar përparimin e bërë dhe për të reflektuar në sfidat që mbesin. Të drejtat e fëmijëve janë universale, të pandashme dhe të patjetërsueshme, dhe çdo fëmijë ka të drejtë të rritet në një mjedis të sigurt dhe inkurajues.

Sot, shumë fëmijë janë të prekur nga luftërat, varfëria dhe dhuna. Shumë fëmijë nuk kanë mundësi të shkojnë në shkollë e të shkollohen, nuk kanë qasje në ujë të pastër apo në strehim të duhur.

Shumë vajza dhe djem të rinj janë shpërngulur anembanë botës, shiten në skllavëri dhe janë viktima të punës së detyruar. Kjo është shumë e trishtueshme për ta dëshmuar dhe kjo është duke ndodhur në mbarë botën.

Kosova nuk bën përjashtim nga të gjitha këto fenomene negative. Dua të theksoj që, kohëve të fundit, dhuna në shkolla po paraqitet si çështje shumë shqetësuese. Ka edhe çështje të tjera me përfshirje sociale, posaçërisht për fëmijët me aftësi të kufizuara.

Rritja e braktisjes së shkollës është gjithashtu shqetësuese. Shohim shumë fëmijë duke kërkuar lëmoshë në rrugë, shumë fëmijë që janë viktima të dhunës në familje dhe që janë lënë pas dore nga familjet dhe institucionet.

Dëshiroj t’i shfrytëzoj këto mundësi për t’ua rikujtuar institucioneve detyrimet që rrjedhin nga Ligji për mbrojtjen e fëmijës, i miratuar në korrik të këtij viti.

Zyra e BE-së/PPBE në Kosovë ka bërë thirrje për miratimin e këtij Ligji dhe jemi të lumtur që është miratuar me shumicën e rekomandimeve tona, përfshirë ndalimin e ndëshkimit trupor. Tani, Qeveria ka në dispozicion një vit për t’i miratuar të gjitha aktet nënligjore. Do ta monitorojmë nga afër progresin në këtë drejtim.

Jam e sigurt që familjet po bëjnë ç’është e mundur që ju të keni jetë më të mirë. Familjet tuaja po investojnë në shkollimin tuaj dhe investimi në shkollim është investim në të ardhmen, veçanërisht në Kosovë, që është një vend me një popullsi të re.

Zyra jonë në Kosovë punon shumë në përmirësimin e cilësisë së arsimit, në ndërtimin e shkollave dhe të kopshteve për ju. Zyra jonë është duke investuar edhe në programe të ndryshme arsimore për të rinjtë që studiojnë jashtë vendit dhe që kthehen në Kosovë për të punuar në institucione të ndryshme.

Shpresoj që, kur të jeni pak më të vjetër, do të keni mundësi të jeni pjesë e Programeve për studim dhe shkëmbim Erasmus ose të Skemës Young Cell, të përshtatura enkas për Kosovën.

Kosova ka shumë njerëz të rinj, inteligjentë e të suksesshëm, që janë shembuj për fëmijë. Këta njerëz kanë treguar që çdo gjë është e mundur me punë të zellshme dhe sukses. Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Uta Ibrahimi, Dua Lipa dhe Rita Ora ose Aro Muriqi janë shembuj të kësaj.

Shumë prej këtyre që i përmenda janë të rinj. Gratë dhe vajzat e reja përballen me më shumë sfida sesa burrat dhe djemtë në shumicën e shoqërive të botës.

Do ta shfrytëzoj këtë rast që t’u drejtohem edhe familjeve, që t’i respektojnë njëlloj djemtë dhe vajzat. T’u ofrojnë mundësi të barabarta shkollimi për ngritje personale e profesionale. T’i mbështesin njëlloj për t’i realizuar ëndrrat dhe ambiciet e veta.

Sepse fëmijët ëndërrojnë shumë! Dhe duhet të jemi atje për të bërë gjithçka që është në mundësinë tonë për t’u mundësuar fëmijëve që t’i ndjekin ëndrrat, qëllimet dhe ambiciet e tyre.

Pa ju marrë më tepër kohë, dua t’ju përgëzoj për organizimin e kësaj ndodhie shumë të suksesshme dhe të ritheksoj që BE-ja do të mbetet partneri juaj i besueshëm në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të fëmijëve në Kosovë.

Ju faleminderit shumë!

Seksionet editoriale: