European Union External Action

Forumi i Dytë Rajonal për Promovimin e Konventës së Stambollit në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi “Politika të integruara, partneritete gjithëpërfshirëse” Projekt rajonal i financuar nga BE: Zbatojmë Normat, Ndryshojmë Mendjet

Tirana, Albania, 09/10/2019 - 17:31, UNIQUE ID: 191009_13
Speeches of the Ambassador

Kryeministër,

Miq të shquar,

 

Është kënaqësi për mua të marr pjesë në këtë forum të dytë rajonal për promovimin e Konventës së Stambollit.

 

Dhuna me bazë gjinore është një nga format më të përhapura të shkeljes së të drejtave të njeriut. Është një fenomen i rrënjosur thellë në pabarazinë gjinore dhe prek gratë dhe vajzat e të gjitha prejardhjeve social-ekonomike.

 

Dhuna me bazë gjinore është një shqetësim serioz në Ballkanin Perëndimor dhe në Turqi, ashtu si në BE dhe në pjesën tjetër të botës. Kjo është arsyeja pse barazia midis grave dhe burrave është një nga parimet themelore të legjislacionit dhe politikës së jashtme të BE-së.

 

Sondazhi i drejtuar nga OSBE-ja në vitin 2019 mbi dhunën ndaj grave zbulon se shtatë nga dhjetë gra kanë përjetuar ndonjë formë dhune apo abuzimi gjatë jetës së tyre si të rritura, qoftë nga një partner apo jo-partner. 

 

Pasojat e dhunës me bazë gjinore janë shkatërrimtare: ajo dëmton shëndetin, sigurinë, dinjitetin dhe lirinë e grave dhe vajzave, megjithatë mbetet e mbuluar në një kulturë heshtjeje, pasi dhuna është pak e raportuar dhe ankesat nuk regjistrohen sistematikisht.

 

BE-ja është angazhuar fuqimisht për të përmirësuar barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave dhe vajzave. Në vitin 2015, ne miratuam një Plan Veprimi Gjinor për marrëdhëniet e jashtme - një nga tri shtyllat e tij është integriteti fizik dhe psikologjik. Kjo zonë është identifikuar nga të gjitha Delegacionet e BE-së në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi për t'u përqendruar, dhe projekti rajonal i financuar nga BE-ja dhe i vënë në zbatim nga UN WOMEN, të cilin po e diskutojmë sot, kontribuon fuqimisht për këtë objektiv.

 

Projekti i kushton vëmendje performancës së vendeve në lidhje me detyrimet e përcaktuara si nga OKB-ja ashtu dhe nga korniza ligjore ekzistuese e BE-së. Ai mundëson shkëmbimin dhe bashkëpunimin rajonal. Si dhe mbështet masa konkrete dhe praktike duke punuar me organizata të shoqërisë civile dhe me pushtetin vendor në nivelin e komunitetit.

 

Gjatë fazës së parë të projektit, janë përfshirë mbi 60 organizata të shoqërisë civile dhe të gjitha vendet pjesëmarrëse kanë arritur piketa të rëndësishme:

·       në nivelin e rajonit, u arritën mbi 2.000 individë përmes aktiviteteve të ndërgjegjësimit;

·       mbi 650 grave iu sigurua ndihmë juridike falas, asistencë psikologjike dhe / ose referim në masat e shërbimit publik;

·       mbi 700 ofrues të shërbimeve publike në sektorin e shëndetësisë / drejtësisë / ligjit u trajnuan për çështje juridike në lidhje me dhunën ndaj grave.

 

Vetëm në Shqipëri, mbi 300 ofrues të shërbimeve u trajnuan për ofrimin e shërbimeve për të gjitha format e dhunës ndaj grave. Këtu përfshiheshin oficerë policie, ofrues të kujdesit shëndetësor, staf i shërbimeve sociale dhe mësues.

 

Në këtë kuptim, unë do të doja të shprehja mirënjohjen dhe admirimin tim të fortë për punën që po bëjnë organizatat e shoqërisë civile për të çuar përpara përpjekjet e përbashkëta për të luftuar dhunën me bazë gjinore.

 

Do të doja, gjithashtu, të vlerësoja përpjekjet e qeverive pjesëmarrëse për zbatimin e Konventës së Stambollit - instrumenti më i gjerë ligjor i detyrueshëm për parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje.

 

Në të njëjtën kohë, duhet të ndërmarrim veprime urgjente për sfidat e mbetura, si:

·       zbatimi i dobët i legjislacionit ekzistues,

·       burimet e kufizuara njerëzore dhe financiare,

·       interpretimet e shumëfishta të legjislacionit,

·       pengesat ndaj qasjes në ndihmën juridike, dhe

·       nevoja për të zhvilluar mekanizma funksionale të raportimit.

 

Delegacioni i BE-së në Shqipëri mbështet fuqimisht agjendën e barazisë gjinore në Shqipëri përmes asistencës teknike për qeverinë dhe grantet e shumta për organizatat vendore të shoqërisë civile dhe partnerët e tjerë. Këto përpjekje kolektive duhet të kontribuojnë për forcimin e mekanizmit kombëtar të barazisë gjinore, punën në terren dhe mbështetjen për qeverinë vendore.

 

Ne do të vazhdojmë ta mbështesim këtë çështje të rëndësishme dhe të përtërijmë mbështetjen tonë për këtë projekt rajonal. Faza tjetër do të përqendrohet në ndryshimin e mendësisë dhe luftën ndaj stereotipave që mund ta parandalojnë vërtet një dhunë të tillë. Ne kemi nevojë për të gjitha palët e interesuara, udhëheqësit vendorë, burrat dhe djemtë, mësuesit, personelin shëndetësor, avokatët që të bashkohen me ne në këtë përpjekje.

 

Fuqizimi i grave dhe vajzave është gjëja e duhur që duhet bërë; gjëja njerëzore që duhet bërë; dhe është gjithashtu gjëja me mend që duhet bërë. Ne dëshirojmë të sigurojmë që gratë dhe vajzat të marrin pjesë plotësisht në të gjitha aspektet e shoqërisë - politike, sociale dhe ekonomike. Pa ato, ne kurrë nuk do të arrijmë zhvillim vërtet të qëndrueshëm për të gjithë.

 

Ju falënderoj për vëmendjen tuaj.

Languages:
Seksionet editoriale: