European Union External Action

Fjalimi i Ambasadorit të BE-së Luigi Soreca për përmirësimin e mundësive arsimore për fëmijët që nuk dëgjojnë në Shqipëri

Tirana, Albania , 07/05/2019 - 17:52, UNIQUE ID: 190507_12
Speeches of the Ambassador

E dashur Ambasadore Sourani (Eleni),

Të dashur miq,

Arsyeja për të cilën ndodhemi sot këtu është rritja e ndërgjegjësimit për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, dhe në veçanti të fëmijëve që nuk dëgjojnë dhe e drejta e tyre për një arsim të mirë.

Çdo ditë ne bëhemi dëshmitarë të diskriminimit, barrierave strukturore dhe formave të ndryshme të përjashtimit të grupeve të cenueshme nga gëzimi i të drejtave të tyre themelore. Barrierat dhe kufizimet shtrihen nga qasja fizike, duke përfshirë ndërtesat publike, deri te qasja në informacion, arsim, punësim dhe shërbime.

Ndër format më të ashpra të margjinalizimit dhe diskriminimit është ajo që përjetohet nga njerëzit, dhe veçanërisht fëmijët me dëmtime të dëgjimit, duke filluar nga e drejta për arsim.

Për shkak të mungesës së mësuesve të specializuar të gjuhës së shenjave, shumë fëmijë që nuk dëgjojnë janë të privuar nga e drejta e komunikimit me botën e jashtme dhe ndonjëherë edhe me familjen e tyre. Ka shumë pak qasje në njohuri meqë ata nuk mund të shkojnë në shkollë dhe nuk mund të mësojnë si të lexojnë dhe si të shkruajnë. Ata janë plotësisht dhe trishtueshëm të përjashtuar nga shoqëria.

Ne nuk mund të mbetemi indiferentë ndaj kësaj.

Ekziston një nevojë urgjente për masa në shërbimin publik, duke përfshirë pajisjen e sistemit arsimor me mjete dhe staf për të rritur nivelet e arsimit. Cikli i margjinalizimit, i cili në periudhën afatgjatë bëhet papunësi dhe varfëri, duhet të thyhet.

Angazhimi i autoriteteve për të rritur burimet për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe njerëzve me aftësi të kufizuara do të ishte një sinjal i fortë. Do të ishte gjithashtu një hap i rëndësishëm dhe inkurajues në kuadrin e agjendës së anëtarësimit në BE.

Delegacioni i Bashkimit Evropian do të fokusohet gjithnjë e më shumë në çështjet sociale. Në të ardhmen e afërt do të trajtojmë përfshirjen dhe mbrojtjen sociale të personave më të cenueshëm, duke përfshirë komunitetin e personave që nuk dëgjojnë.

Me miratimin e Strategjisë së Komisionit për Ballkanin Perëndimor në shkurt 2018, BE-ja është zotuar të rrisë përpjekjet në sektorin social, duke përfshirë përmes investimeve në arsim dhe shëndetësi për të mbështetur përfshirjen sociale. Kjo do të përkthehet në mundësi të reja financimi përmes programit tonë IPA 2019. Qëllimi ynë është të dedikojmë burime për të përmirësuar qasjen në shërbime, punësim dhe arsimim, edhe për njerëzit që nuk dëgjojnë.

Këtë do ta bëjmë duke forcuar bashkëpunimin me qeveritë dhe shoqërinë civile. Roli i shoqërisë civile është themelor. Në veçanti, do të doja të shfrytëzoja rastin për të përshëndetur punën dhe përkushtimin e Florjanit dhe Shoqatës Kombëtare Shqiptare të Personave që nuk Dëgjojnë.

Ata duhet të përgëzohen për punën e tyre, veçanërisht pasi shumë shpesh ata janë bashkëbiseduesi i vetëm për njerëzit në nevojë. Është gjë e mirë mirë që organizatat e shoqërisë civile ofrojnë shërbime në emër të shtetit apo në vend të tij, por kjo duhet të jetë rezultat i ndarjes së përbashkët të përgjegjësive, jo rezultat i mungesës së shtetit.

Faleminderit!

Tani kam kënaqësinë t’ia lë fjalën Ambasadores Sourani (Eleni) me të cilën jam shumë i lumtur që organizuam së bashku këtë veprimtari.

 

 

 

 

 

 

 

Languages:
Seksionet editoriale: