European Union External Action

Fjalimi i Ambasadorit të BE-së Luigi Soreca gjatë aktivitetit të çeljes së Javës së Evropës 2019 të hënën më 6 maj 2019 në Shtëpinë e Evropës

Tirana, Albania, 06/05/2019 - 15:57, UNIQUE ID: 190506_10
Speeches of the Ambassador

Mirëserdhët të gjithë në Shtëpinë e re të Evropës!

Nuk mund ta fsheh lumturinë time për çeljen e Javës së Evropës 2019 sot këtu, në mjediset tona të reja.

Që kur mbërrita në Shqipëri shtatorin e kaluar, kam dashur t'i jap Shtëpisë së Evropës një mjedis më të hapur, mikpritës dhe modern. Një mjedis që të jetë në lidhje të drejtpërdrejtë me jetën e qytetit dhe që nderon rëndësinë e Bashkimit Evropian për shqiptarët.

Ekipet e mia, Komunikimi dhe Operacionet, si dhe ekipi i shkëlqyer i Shtëpisë së Evropës, kanë punuar shumë gjatë dy muajve të fundit, me afate pothuajse të pamundura, për të siguruar që të gjithë të ishim këtu sot.

Falë punës së tyre të madhe, tani kemi këtë hapësirë ​​fantastike për të na ndihmuar të mbështesim integrimin në BE në zemër të Tiranës.

Ekipi im dhe unë duam që kjo godinë të jetë një "shtëpi" e vërtetë: plot jetë, pasion dhe debat.

Një "shtëpi" ku mund t'i gëzojmë plotësisht vlerat e Bashkimit Evropian: solidaritetin, demokracinë dhe të drejtat themelore.

Komunikimi rreth BE-së nuk është proces i njëanshëm, nga BE-ja tek shqiptarët. Është një dialog të barabartësh dhe ne jemi këtu për të dëgjuar.

Shtëpia e Evropës është hapësira e Delegacionit të BE-së, e Shteteve Anëtare, por para së gjithash, dëshiroj që ajo të bëhet shtëpia e të gjithë qytetarëve shqiptarë.

Një vend ku organizatat e shoqërisë civile, grupet e të rinjve dhe të fëmijëve, grupe të tjera të cenueshme që nuk gjejnë vend ku të mblidhen, të mund të ndihen të qetë të vijnë në Shtëpinë e Evropës për të diskutuar për shpresat dhe shqetësimet e tyre, për të shkëmbyer ide, për të pirë një kafe, si dhe për të folur për Evropën apo ndonjë gjë tjetër.

Ekipi im dhe unë duam që kjo shtëpi të bëhet një qendër e vërtetë kulturore - një pikë referimi për jetën kulturore të Tiranës me koncerte, ekspozita si ajo që do të gëzojmë sot, klube librash dhe diskutime në të gjitha formatet. Ne do të promovojmë bashkëpunimin kulturor midis Shqipërisë dhe BE-së - duke luftuar stereotipat me mendje të hapur, dinjitet dhe respekt të ndërsjellë.

Shpresoj që shumë shkëmbime kuptimplota të zhvillohen në këtë sallë konferencash dhe në pjesën tjetër të Shtëpisë.

Siç ka thënë Përfaqësuesja jonë e Lartë / Zëvendëspresidentja Federica Mogherini, e cila do ta vizitojë këtë Shtëpi pas dy ditësh, kur BE-ja miratoi strategjinë e saj për marrëdhëniet kulturore ndërkombëtare: "Diplomacia kulturore duhet të jetë në thelb të marrëdhënies sonë me botën e sotme. Kultura është një mjet i fuqishëm për të përforcuar mirëkuptimin e ndërsjellë dhe për të ndërtuar ura mes njerëzve, veçanërisht të rinjve".

"Veçanërisht të rinjtë". Unë insistoj në këtë pjesë të citimit. Nuk i ka shpëtuar vëmendjes suaj se Java e Evropës 2019 i kushtohet Fuqisë së Rinisë.

Me Strategjinë e tij të re të Rinisë 2019, Bashkimi Evropian ka nisur një ushtrim masiv për të arritur tek të rinjtë në të gjithë Evropën.

Ka një kuptim të qartë se BE-ja duhet të përfshijë të rinjtë në veprimet, politikat dhe projektet e saj. Brukseli gjithnjë e më shumë po krijon hapësirë ​​që të rinjtë të bashkohen dhe të ndërtojnë marrëdhënie afatgjata me BE-në.

Me Javën e Evropës 2019, synimi ynë është që të fillojmë ta zbatojmë plotësisht këtë program këtu në Shqipëri dhe t'i fuqizojmë të rinjtë që të bëhen partnerët tanë.

Sigurisht që nuk po e bëjmë këtë vetëm sepse është program i Brukselit. Ne po e bëjmë këtë sepse 40% e popullsisë shqiptare është më e re se 30 vjeç. Ata janë e ardhmja e këtij vendi dhe janë qytetarë të ardhshëm të Bashkimit Evropian.

Për të përgatitur Javën e Evropës 2019, Delegacioni i BE-së është angazhuar me shkollat, universitetet, organizatat e të rinjve dhe të fëmijëve për të krijuar hapësirat e dialogut.

Ne kemi përfshirë 18 institucione akademike, që nga Shkolla e Mesme "Sabah Sinani" në malet e Pukës, deri tek universitetet në të gjithë vendin dhe te Grupi Zëri 16+, i mbështetur nga  Save the Children.

Çdo takim me ta ka qenë ndërkaq  i pasur me zbulime dhe shkëmbime. U impresionova shumë nga angazhimi, njohuritë dhe zgjuarsia që të rinjtë dhe fëmijët shfaqën në këto takime.

Pres me padurim zhvillimin e aktiviteteve aktuale tani, ku mund të diskutohen idetë për Bashkimin Evropian, shpresat dhe shqetësimet.

Shpesh thuhet se të rinjtë nuk janë të interesuar. Kjo nuk është ajo që kam parë që kur kam ardhur në Shqipëri. Çdo ditë unë takoj të rinj shqiptarë të cilët janë aktivë, shumë të përkushtuar dhe plot me iniciativa. Java e Evropës 2019 do t'u japë meritat të rinjve që dalin vullnetarë dhe janë të përkushtuar për ta ndihmuar komunitetin e tyre. Ky altruizëm është i paçmuar dhe autoritetet shqiptare duhet të bëjnë shumë më tepër për të lehtësuar vullnetarizmin dhe pjesëmarrjen.

Kemi më shumë se 25 veprimtari në program, kështu që unë nuk do të flas për secilën prej tyre tani, por më lejoni t'ju jap disa nga pikat kryesore.

Nesër, BE-ja kthehet në shkollë, me panele diskutimesh të shkolla të ndryshme të mesme, duke bashkuar Delegacionin e BE-së, Ambasadat e Shteteve Anëtare dhe organizatat vendore të të rinjve. Ne veçanërisht duam të diskutojmë përfshirjen e të rinjve në procesin e integrimit në BE në nivel vendor, si dhe në zonat më të izoluara dhe rurale.

Nesër do të festojmë gjithashtu përvjetorin e Programit “Jean Monnet”, i cili ka mbështetur studime mbi BE-në dhe lëvizshmërinë e profesorëve për 30 vjet. Çdo vit, më shumë se 500,000 studentë përfshihen në aktivitete arsimore të mbështetura nga programi, duke i mësuar të rinjtë mbi Evropën, duke i bërë të kryejnë hulumtime për institucionet tona dhe të mendojnë në mënyrë kritike se si mund të përmirësohemi.

Ne, gjithashtu, do të kemi një veprimtari shumë të rëndësishme për mundësitë arsimore për fëmijët e shurdhër - sepse çdo fëmijë ka të drejtë për arsimim të mirë. Gjendja aktuale e fëmijëve të shurdhër në Shqipëri sot është fare thjesht e papranueshme.

Më parë ju thashë se si Përfaqësuesja e Lartë / Zëvendëspresidentja jonë fokusohet shumë tek aktivitetet kulturore. E pra, unë jam shumë i lumtur t’ju njoftoj se Federica Mogherini do të jetë pjesë e programit tonë për Javën e Evropës të mërkurën në mbrëmje, kur do të hapë një produksion të ri të operës “Il Trovatore” nga Xhuzepe Verdi, në Pallatin e Kongreseve.

E enjtja është Dita e Evropës. Në Liceun Artistik do të kemi atë që unë pres të jetë një shkëmbim i madh midis 150 të rinjve shqiptarë dhe Ambasadorëve të BE-së dhe Shteteve Anëtare. Ekziston një nevojë kritike për përfshirjen e të rinjve në një mënyrë kuptimplote në vendime që do të ndikojnë mbi ta. Për ne, kjo do të thotë t’i përfshijmë më shumë në procesin transformues që është integrimi në BE. Ky takim do të synojë pikërisht arritjen e një marrëveshjeje mbi një format konkret për një dialog të strukturuar me të rinjtë shqiptarë.

Së fundi, të premten, do të pushtojmë rrugën “Toptani” në Tiranë me Fshatin e BE-së. Kjo do të jetë një ditë e plotë me debate, prezantime, muzikë dhe aktivitete kulturore të të gjitha llojeve. Fshati do të ketë 30 stenda të Shteteve Anëtare dhe të projektit të financuar nga BE-ja.

Sigurisht që Java e Evropës është këtu për të kremtuar Bashkimin Evropian, vlerat dhe arritjet e tij, si dhe rolin që mund të luajë ai për të rinjtë. Por Java e Evropës është më së shumti këtu për të na mundësuar të trajtojmë disa çështje mjaft thelbësore për të rinjtë këtu në Shqipëri: migracionin, arsimin, të drejtat LGBTI, trajtimin e sjelljes kriminale, duke bërë më shumë për fëmijët me aftësi të kufizuara. Siç e thashë më parë, qëllimi ynë është të krijojmë hapësirë ​​të sigurt ku të rinjtë të mund të sjellin shqetësimet dhe aspiratat e tyre reale, me fjalët e tyre, pa ndërmjetësim.

Faleminderit të gjithëve që ishit këtu sot dhe ndatë me ne lumturinë për inaugurimin e Shtëpisë së re të Evropës!

Tani është koha për ta nisur zyrtarisht Javën e Evropës 2019!

Le ta çlirojmë Fuqinë e Rinisë!

 

Languages:
Seksionet editoriale: