European Union External Action

Drejt ngritjes dhe funksionimit të sistemit elektronik të deklarimit dhe publikimit të interesave private të personave të zgjedhur dhe disa nëpunësve publik

Tirana, Albania , 08/04/2019 - 14:28, UNIQUE ID: 190408_14
Press releases

Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI) prezantoi sot në Tiranë rrugën drejt ngritjes dhe funksionimit të sistemit elektronik të deklarimit dhe publikimit të interesave private të personave të zgjedhur dhe disa nëpunësve publik. Proceset reformuese të ILDKPKI-së të mbështetura nga partnerët ndërkombëtarë, përfshirë ndryshimet ligjore në vitet 2017-2018, i hapën rrugë ngritjes së sistemit elektronik të deklarimit dhe publikimit të interesave private. Që prej shkurtit 2018, “Veprimi kundër Krimit Ekonomik në Shqipëri”, i cili është pjesë e programit “Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë” bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës dhe zbatuar nga Këshilli i Evropës, Agjensia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri janë bashkuar në një përpjekje të koordinuar për të ndihmuar ILDKPKI-në për të ngritur sistemin e ri, si një mjet për të luftuar korrupsionin në sektorin publik. 

ILDKPKI shpreh vlerësimin maksimal për të gjithë partnerët ndërkombëtarë USAID, BE, Këshilli i Evropës, të cilët kanë qenë dhe mbeten partnerët kryesor në rritjen e kapaciteteve të institucioneve shqiptare në përgjithësi, me një mbështetje të veçantë dhënë gjatë këtyre viteve edhe për ILDKPKI.

Rrugëtimi drejt ngritjes dhe funksionimit të sistemit elektronik të deklarimit të interesave private, është një proces i rëndësishëm për përmirësimin dhe forcimin e mëtejshëm të mekanizmit kontrollues dhe verifikues të interesave private të zyrtarëve të lartë. Në të njëjtën kohë, ky është një proces kompleks, i cili e vendos institucionin në një fazë shumë të rëndësishme reformuese, që do të kërkojë kohën e nevojshme për testimin, pilotimin dhe rritjen e kapaciteve të përdoruesve të sistemit, me qëllim vënien në funksion të tij. ILDKPKI, mbetet tërësisht e angazhuar për të çuar përpara këtë reformë, me seriozitet dhe përkushtim, ashtu siç ka qenë e angazhuar gjatë kësaj periudhe në përmbushjen e shumë proceseve të rëndësishme, ku duhet theksuar kontributi në ecurinë e procesit të vettingut në sistemin e drejtësisë, si dhe vettingut në rradhët e policisë së shtetit.

Ambasadori Luigi Soreca, kreu i Delegacionit të BE-së në Shqipëri theksoi se ngritja e një sistemi elektronik të deklarimit të pasurive është hapi i parë për të kryer verifikimet më shpejt, në mënyrë më efikase dhe më transparente. Ai gjithashtu theksoi që deklarimi i pasurive është bërë një standard i Bashkimit Evropian për vendet kandidate për të parandaluar korrupsioninin dhe në këtë aspekt, Shqipëria është në kohë. Në përfundim, ai tha se pret me padurim ushtrimin e parë të deklarimit elektronik të pasurisë në janar 2020.

Në emër të qeverisë së SHBA-së, Drejtoresha e USAID-it për Shqipërinë, zj. Mikaela Meredith nënvizoi rëndësinë e një partneriteti  të frytshëm midis institucioneve mbikëqyrëse dhe shoqërisë civile e medias, të cilat kanë një qëllim të përbashkët për të përmirësuar transparencën, forcuar parimet e qeverisjes së mirë dhe për të mbrojtur burimet publike nga shpërdorimi.

Kreu i Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë zj. Jutta Gützkow tha se sistemi elektronik i deklarimit të pasurive mundëson për herë të parë në Shqipëri deklarimin elektronik, përpunimin dhe publikimin e interesave private të personave të zgjedhur dhe disa nëpunësve publikë. Ai është një mjet instrumental në adresimin e rekomandimeve të GRECO-s, për mbështetjen e reformave kyçe institucionale në vend si dhe në rritjen e kontrollit dhe besimit të qytetarëve tek institucionet e tyre.

 

Sistemi elektronik është ndërtuar sipas parimeve të mëposhtme për të mundësuar:

  1. Thjeshtimin e procesit të plotësimit, dorëzimit dhe publikimit të deklaratës.
  2. Automatizimin e procesit të mbledhjes, përpunimit dhe ruajtjes së të dhënave të deklarimit dhe kontrollit të interesave private.
  3. Shmangien e gabimeve gjatë plotësimit të deklaratës së interesave private si dhe përpunimit të të dhënave të deklarimit.
  4. Garantimin e konfidencialitetit dhe mbrojtjen e të dhënave personale që përmban deklarata e interesave private.
  5. Publikimin në kohë reale të deklaratës së interesave private.

 

Procesi i ngritjes së sistemit të ri elektronik të deklarimit dhe publikimit të interesave private do të pasohet nga një seri aktivitetesh trajnuese për përdoruesit dhe publikun.

 

 

Languages:
Seksionet editoriale: