European Union External Action

Gjetjet kryesore të Raportit për Shqipërinë 2021

Tirana, Albania, 19/10/2021 - 17:11, UNIQUE ID: 211019_10
Press releases

Bazat e procesit të pranimit

Sa u përket kritereve politike, më 25 prill 2021 u mbajtën zgjedhjet e përgjithshme, pas marrëveshjes ndërpartiake të 5 qershorit 2020 që çoi në një reformë të gjerë zgjedhore, në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it. Identifikimi elektronik i votuesve u zbatua në 97% të qendrave të votimeve, ndërsa votimi elektronik dhe numërimi elektronik u pilotuan me sukses në 32 qendra votimi në Tiranë. Vlerësimi përfundimtar i OSBE/ODIHR-it vuri në dukje se zgjedhjet në përgjithësi ishin të organizuara mirë. Administrata e re zgjedhore fitoi besimin e shumicës së palëve të interesit. Shqetësimet mbeten lidhur me keqpërdorimin e burimeve publike apo funksioneve zyrtare, pretendimeve për blerjen e votës, si dhe rrjedhjes së të dhënave të ndjeshme personale që mbulojnë preferencat politike të qytetarëve. Këto raste po hetohen. Parlamenti ka vazhduar të punojë nën kufizimet e krijuara për shkak të pandemisë. Lidhur me reformat e orientuara drejt BE-së, Parlamenti miratoi një numër ligjesh të rëndësishme, në fusha të tilla si azili, regjistrimi i popullsisë dhe efikasiteti i gjyqësorit. Gjatë gjithë periudhës raportuese, qeveria e mbajti fokusin te reformat e kërkuara për rrugën e vendit drejt BE-së, pavarësisht sfidës së trajtimit të ndikimit negativ social dhe ekonomik të pandemisë COVID-19. Në legjislaturën e re, shumica dhe opozita do të duhet të përmirësojnë dialogun politik dhe të punojnë së bashku me gjithë segmentet e shoqërisë për të çuar përpara agjendën e reformave të BE-së dhe negociatat e pranimit. Koordinimi brenda administratës duhet përmirësuar, veçanërisht në lidhje me integrimin në BE. Reforma administrative territoriale duhet të konsolidohet më tej si pjesë e agjendës më të gjerë të decentralizimit. Kjo është veçanërisht e nevojshme për të garantuar autonominë fiskale vendore dhe për të fuqizuar bashkitë për ofrimin e shërbimeve publike me cilësi të mirë. Lidhur me zbatimin e udhërrëfyesit për krijimin e një mjedisi të përshtatshëm për shoqërinë civile është bërë përparim i kufizuar. Sidoqoftë, shoqëria civile shqiptare ka mundur të ofrojë mbështetje dhe shërbime për personat më të cenueshëm të prekur nga pandemia COVID-19. 

Shqipëria është mesatarisht e përgatitur me reformën e administratës së saj publike. Është bërë njëfarë përparimi për ngritjen e kapaciteteve në ministritë e linjës për të zbatuar vlerësimet e ndikimit rregullator, me miratimin e udhëzimeve për konsultimet publike, ngritjen e sistemeve të TI-së për planifikimin e integruar, rritjen e shkallës së zbatimit të Planit Kombëtar të Integrimit Evropian, rritjen e numrit të shërbimeve elektronike, si dhe përfundimin e fazës së testimit për automatizimin e sistemit të pagave. Zbatimi i strategjive të reformës së administratës publike 2015-2022 (RAP) dhe reformës së menaxhimit të financave publike 2014-2022 (MFP) ka vazhduar, pavarësisht ndikimit të pandemisë. 

Sistemi gjyqësor i Shqipërisë është gjithashtu mesatarisht i përgatitur. Shqipëria ka vazhduar të zbatojë reformën gjithëpërfshirëse në drejtësi, që ka rezultuar me përparim të mirë. Në veçanti, ka arritur një etapë të rëndësishme historike në fund të vitit 2020, me emërimin e tre gjyqtarëve të rinj në Gjykatën Kushtetuese. Me shtatë gjyqtarë në detyrë, Gjykata Kushtetuese rifitoi kuorumin e nevojshëm prej së paku gjashtë anëtarësh për të mbajtur seanca plenare, duke qenë kështu plotësisht funksionale dhe duke plotësuar kushtin e rëndësishëm në lidhje me Konferencën e parë Ndërqeveritare, që vazhdon të përmbushet. Gjykata Kushtetuese ka nisur t’i ushtrojë plotësisht funksionet e saj, përfshirë gjykimin e mosmarrëveshjeve kushtetuese mes institucioneve shtetërore për kompetencat përkatëse. Përparimi ka vazhduar edhe me emërimet në Gjykatën e Lartë. Gjykata e Lartë rifitoi kuorumin e saj në mars 2020. Me promovimin nga Këshilli i Lartë Gjyqësor i gjashtë gjyqtarëve të rinj në mars dhe korrik 2021, ka arritur në nëntë gjyqtarë në detyrë, çka e bën atë plotësisht funksionale - një kusht për Konferencën e parë Ndërqeveritare që vazhdon të përmbushet. Në Gjykatën e Lartë priten emërime të mëtejshme. Parlamenti miratoi ndryshime për dhjetë ligje, duke synuar të forcojë më tej efikasitetin e sistemit gjyqësor dhe kapacitetin e tij për të trajtuar korrupsionin dhe krimin e organizuar. 

Rivlerësimi i përkohshëm i të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve (procesi i vetingut) ka përparuar në mënyrë të qëndrueshme, duke vazhduar të japë rezultate të prekshme - një kusht për Konferencën e parë Ndërqeveritare që vazhdon të përmbushet. Nën patronazhin e Komisionit Evropian, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ka vazhduar të mbikëqyrë procesin. Deri më 15 shtator 2021, institucionet e vetingut kishin përfunduar 437 raste në shkallë të parë, duke përfshirë të gjitha dosjet me përparësi. Nga 437 vendimet, 298 janë përfundimtare (pra, pas apelimit). Në përgjithësi, 62% e dosjeve të vetingut të përpunuara deri tani kanë rezultuar me shkarkime dhe largime nga detyra, kryesisht për shkak të dorëheqjeve nga të vlerësuesit. Institucionet e vetingut pritet që të vazhdojnë t'i referojnë shërbimeve të prokurorisë të gjitha rastet për të cilat ka tregues për vepra penale. 

Struktura e Specializuar për Antikorrupsionin dhe Krimin e Organizuar (SPAK), që përfshin Zyrën e Prokurorit të Posaçëm (ZPP) dhe Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH), janë në gjendje pune - një kusht për Konferencën e parë Ndërqeveritare që vazhdon të përmbushet. Ndërsa buxheti i vitit 2021 parashikon emërimin e 20 prokurorëve, ZPP-ja ka arritur objektivin e parë të 15 prokurorëve, përfshirë Kryeprokurorin e Posaçëm. Raundi i parë i rekrutimit për hetuesit e BKH-së përfundoi me emërimin e 28 hetuesve, të cilët, pas një programi intensiv trajnimi, tashmë janë në punë. Një raund i dytë, për të rekrutuar 32 hetues të tjerë, u hap në prill 2021 dhe pritet të përfundojë para fundit të vitit. 

Shqipëria ka njëfarë niveli përgatitjeje në luftën kundër korrupsionit. Ajo ka bërë njëfarë përparimi në forcimin e luftës kundër korrupsionit – një kusht për Konferencën e parë Ndërqeveritare që vazhdon të përmbushet. Në përgjithësi, zbatimi i Strategjisë Ndërsektoriale kundër Korrupsionit është në rrugën e duhur. Edhe pse vetingu i anëtarëve të gjyqësorit është një proces administrativ, ai po jep rezultate në luftën kundër korrupsionit, pasi gjyqtarët dhe prokurorët e shkarkuar si rezultat i vetingut po nxirren para drejtësisë. Shqipëria ka bërë përpjekje të mëtejshme për të krijuar një historik të qëndrueshëm në luftën kundër korrupsionit, megjithëse mbetet një objektiv që kërkon vullnet politik dhe veprime të mëtejshme të strukturuara dhe të vazhdueshme. Dënimet në rastet që përfshijnë zyrtarë të nivelit të lartë mbeten ende të kufizuara, duke nxitur një kulturë mosndëshkimi brenda niveleve më të larta të shtetit. Strukturat e specializuara kundër korrupsionit (SPAK dhe gjykatat kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar) duhet të forcojnë ndjeshëm kapacitetin e përgjithshëm të vendit për ta hetuar dhe ndjekur penalisht korrupsionin. Në përgjithësi, korrupsioni është i përhapur në shumë fusha të jetës publike dhe të biznesit dhe mbetet një çështje shqetësuese serioze. 

Shqipëria ka njëfarë niveli përgatitjeje në luftën kundër krimit të organizuar. Ajo ka bërë përparim të mirë për përmbushjen e rekomandimeve të vitit të kaluar. Shqipëria ka arritur rezultate të prekshme në luftën kundër krimit të organizuar, përfshirë përmes rritjes së bashkëpunimit me Shtetet Anëtare të BE-së dhe Europolin - një kusht për Konferencën e parë Ndërqeveritare që vazhdon të përmbushet. Vendi ka vazhduar të zbatojë gjatë gjithë vitit Planin e Veprimit të Task-Forcës së Veprimit Financiar (FATF) për përmirësimin e efektivitetit në fushën e luftës kundër pastrimit të parave dhe paketën e masave të përkohshme parandaluese për rritjen e kapacitetit për të luftuar organizatat kriminale (Operacioni Forca e Ligjit). Shkëmbimi i informacionit cilësor dhe operacionet e përbashkëta policore që përfshijnë partnerë ndërkombëtarë u intensifikuan më tej. Shqipëria ka vazhduar të shfaqë angazhimin e saj për të luftuar prodhimin dhe trafikimin e drogës, ndërsa ka vazhduar monitorimi i ajrit nga shërbimet e zbatimit të ligjit të Shteteve Anëtare të BE-së. Sistemi i ri i specializuar kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit mundëson bashkëpunim të përforcuar mes policisë dhe shërbimeve të prokurorisë. Hetimet financiare duhet t’i shoqërojnë ndjekjet penale në mënyrë sistematike. Duhet të vazhdojnë përpjekjet për rritjen e numrit të ndjekjeve penale dhe dënimeve përfundimtare, veçanërisht në nivel të lartë. Në dhjetor 2020 Shqipëria miratoi një strategji të re kombëtare ndërsektoriale kundër terrorizmit dhe planin e veprimit, si dhe ka bërë përparim shumë të mirë në zbatimin e marrëveshjes dypalëshe me BE-në mbi vënien në punë të Planit të Përbashkët të Veprimit kundër terrorizmit për Ballkanin Perëndimor. Nevojiten më shumë përpjekje për të trajtuar krimin kibernetik, trafikimin e qenieve njerëzore dhe rastet e pastrimit të parave. 

Për të drejtat themelore, Shqipëria u përmbahet instrumenteve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe ka ratifikuar shumicën e konventave ndërkombëtare që lidhen me mbrojtjen e të drejtave themelore. Shqipëria ka vazhduar përpjekjet për të përmbushur detyrimet e saj sipas këtyre instrumenteve. Sa i përket miratimit të legjislacionit zbatues të mbetur në lidhje me ligjin kuadër të vitit 2017 për mbrojtjen e pakicave kombëtare, në dhjetor 2020 vendi miratoi një akt nënligjor shtesë për arsimin e pakicave, çka e çoi në tetë numrin e akteve nënligjore të miratuara. Legjislacioni zbatues i mbetur, përfshirë mbi vetë-identifikimin dhe përdorimin e gjuhëve të pakicave, nuk është miratuar ende. Vazhdojnë përpjekjet për të zbatuar një reformë gjithëpërfshirëse të sektorit të tokës dhe për të konsoliduar të drejtat e pronësisë. Është miratuar një ligj për regjistrimin e popullsisë. Shqipëria ka njëfarë niveli përgatitjeje / është mesatarisht e përgatitur në fushën e lirisë së shprehjes. Gjatë periudhës raportuese nuk ka pasur përparim. Atmosfera e sulmeve verbale, fushatave shpifëse dhe akteve të frikësimit ndaj gazetarëve nuk është përmirësuar. Tensionet mes aktorëve politikë dhe gazetarëve janë rritur gjatë krizës COVID-19 dhe në kontekstin e zgjedhjeve parlamentare. Sulmet e raportuara kundër gazetarëve nuk kanë rezultuar me asnjë dënim përfundimtar. Duhet të sigurohet vetë-rregullimi në mediet online. Duhet të ndërmerren hapa për ta bërë plotësisht funksional autoritetin rregullator audio-vizual, në mënyrë që të sigurohet pavarësia dhe legjitimiteti i tij. Pavarësia, standardet profesionale dhe qëndrueshmëria financiare e transmetuesit të shërbimit publik duhet të forcohet. Pas opinionit të pafavorshëm të Komisionit të Venecias dhe kritikave të gjera mbi projekt-ndryshimet në ligjin për median, që synonin rregullimin e medieve online dhe disa aspekte të shpifjes, përfaqësuesit e shumicës qeverisëse u angazhuan publikisht për të siguruar që çdo legjislacion i ri mbi median do të jetë në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe do të paraqitet për konsultim me organizatat e medias. Qeveria e rishqyrtoi problemin dhe Kuvendi nuk iu rikthye çështjes. Parlamenti dhe qeveria që dolën nga zgjedhjet e 25 prillit duhet të respektojnë angazhimin për të siguruar që çdo ndryshim i mundshëm në ligjin për median të jetë në përputhje me Opinionin e Komisionit të Venecias dhe t'i nënshtrohet konsultimeve të duhura. 

Për barazinë gjinore, zbatimi i strategjisë kombëtare dhe planit të veprimit 2016-2020 për barazinë gjinore u pengua nga një hendek i vazhdueshëm financimi. Në qershor 2021 u miratua një strategji e re për barazinë gjinore 2021-2030. Shqipëria duhet të bëjë përpjekje për të siguruar financimin e duhur shtetëror për ta zbatuar atë në nivelet qendrore dhe vendore. Kërkohen gjithashtu përpjekje për të siguruar që të gjitha strategjitë kombëtare në nivelin qendror dhe vendor të përfshijnë aspektin gjinor dhe të zbatojnë buxhetimin e përgjegjshëm gjinor. 

Për migracionin, kuadri ligjor për migracionin është gjerësisht i përafruar me acquis e BE-së, por ka nevojë të përditësohet në përputhje me zhvillimet e fundit. Në shkurt 2021, Shqipëria miratoi një ligj të ri për azilin. Në vitin 2020 u miratuan strategjitë për menaxhimin e integruar të kufirit dhe për diasporën. Zbatimi i strategjisë kombëtare të migrimit dhe planit të veprimit për periudhën 2019-2022 ka vazhduar, duke siguruar një kuadër të qartë për menaxhimin dhe koordinimin e flukseve të migrimit dhe Komisioni ka nxjerrë katër raporte monitorimi. Me gjithë mbylljen e kufirit gjatë periudhës mars-maj 2020, Shqipëria vazhdoi të përjetonte një fluks në rritje të migrantëve të parregullt, kryesisht nga Greqia, të cilët largoheshin nga Shqipëria pas disa ditësh drejt vendeve të tjera të BE-së. Numri i migrantëve të parregullt të kapur në Shqipëri në vitin 2020 u rrit me 13% krahasuar me vitin 2019. 

Numri i qytetarëve shqiptarë që bëjnë kërkesa për azil në Shtetet Anëtare të BE-së u ul me 66% në vitin 2020 në krahasim me vitin 2019, nga 20,415 në 6,935 aplikime, sipas të dhënave të Eurostatit. Pandemia COVID-19 kontribuoi në pjesën më të madhe për këtë rënie të mprehtë, por mund të vërehet se rënia mesatare e aplikimeve nga pjesa tjetër e botës drejt BE-së është shumë më e vogël (-33%). “Shkalla e pranimit” në vitin 2020 ishte rreth 4.4% krahasuar me 5.3% në vitin 2019. Që kur aplikimet arritën kulmin në vitin 2017 në Shtetin Anëtar më të prekur, numri i aplikimeve ka rënë nga 12,130 në vitin 2017 në 2,985 në vitin 2020. Tre oficerë ndërlidhës të policisë shqiptare janë vendosur në BE dhe një oficer ndërlidhës nga BE-ja punon në Tiranë për të ndihmuar me kontrollet e daljeve. Çështja e shtetasve shqiptarë që bëjnë kërkesa të pabazuara për azil në Shtetet Anëtare të BE-së dhe vendet e lidhura me Shengenin kërkon ende përpjekje thelbësore nga autoritetet shqiptare. Përveç fushatave informative, kanë vazhduar kontrollet e plota kufitare, ndërgjegjësimi mbi të drejtat dhe detyrimet në kuadrin e regjimit pa viza, identifikimi dhe trajtimi i arsyeve themelore, dialogu dhe bashkëpunimi me vendet më të prekura. Komisioni po e monitoron trendin nga afër në kuadrin e mekanizmit të monitorimit të vizave pas liberalizimit. 

Për sa i përket kritereve ekonomike, Shqipëria ka bërë njëfarë përparimi dhe është mesatarisht e përgatitur në drejtim të zhvillimit të një ekonomie tregu funksionale. Goditur nga tronditja e dyfishtë nga tërmeti i nëntorit 2019 dhe pandemia COVID-19, PBB-ja u tkurr në vitin 2020, megjithëse më pak nga sa pritej fillimisht. Mbyllja e brendshme për shkak të pandemisë dhe kufizimet e udhëtimeve ndërkombëtare shkaktuan humbje të konsiderueshme për sektorët e turizmit dhe prodhimit, por ekonomia filloi të rimëkëmbet në gjysmën e dytë të vitit. Brenda hapësirës së kufizuar të politikës fiskale dhe monetare në dispozicion, qeveria dhe banka qendrore ndërmorën veprime të shpejta dhe të përshtatshme për të mbështetur biznesin, familjet dhe sektorin e shëndetësisë. Kjo zbuti ndikimin mbi tregun e punës dhe ruajti stabilitetin e sektorit makroekonomik dhe financiar. Kjo rriti gjithashtu borxhin publik dhe raportet e deficitit, si dhe rriti ndjeshmërinë e vendit ndaj goditjeve të jashtme. Ballafaqimi me goditjen e dyfishtë e tendosi kapacitetin e administratës, por e ruajti gjerësisht vazhdimësinë e biznesit dhe puna vazhdoi me shumicën e reformave në vazhdimësi, si dhe me nismat legjislative. 

Shqipëria ka bërë njëfarë përparimi dhe ka njëfarë niveli përgatitjeje në kapacitetin e saj për të përballuar presionin konkurrues dhe forcat e tregut brenda BE-së. Ajo ka bërë përmirësime në energji dhe infrastrukturën e transportit, përdorimin e komunikimit digjital dhe rezultatet e arsimit, por mbeten boshllëqe të konsiderueshme në krahasim me vendet e ngjashme rajonale dhe evropiane. Aftësia konkurruese e Shqipërisë pengohet nga mungesa e njohurive sipërmarrëse dhe teknologjike, nivelet e konsiderueshme të informalitetit, nevojat e paplotësuara për investime në kapital njerëzor dhe fizik, si dhe nga shpenzimet e ulëta për kërkim dhe zhvillim. Boshllëqet para-ekzistuese dhe të mëdha në aftësim dhe arsim ndoshta janë zgjeruar për shkak të mbylljeve të lidhura me COVID-19 dhe mësimit në distancë, i cili nuk është i arritshëm për të gjithë. Integrimi rajonal dhe eksportet u rritën, por mbetën nën potencialin. Mungesa e produktit dhe diversifikimi gjeografik në eksportet e Shqipërisë e rrisin cenueshmërinë e saj ndaj goditjeve të jashtme. 

Për prokurimin publik, ku Shqipëria është mesatarisht e përgatitur, vendi ka bërë përparim të mirë, veçanërisht me miratimin e ligjit të ri për prokurimin publik. Për statistikat, ku Shqipëria është gjithashtu mesatarisht e përgatitur, ajo ka bërë njëfarë përparimi në përafrimin me standardet ESA 2010, publikimin më të shpejtë dhe miratimin e Ligjit për Regjistrimin e Popullsisë. Shqipëria është mesatarisht e përgatitur në shumicën e fushave në kontrollin financiar, ku vendi ka bërë njëfarë përparimi, veçanërisht me kontrollin e brendshëm financiar publik dhe auditimin e jashtëm. 

Shqipëria është mesatarisht e përgatitur në shumicën e fushave të tregut të brendshëm, përkatësisht lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve dhe kapitalit, politikën e konkurrencës dhe shërbimet financiare. Vendi ka bërë njëfarë përparimi, veçanërisht me miratimin e një ligji mbi sigurimin e detyrueshëm në transport dhe me harmonizimin e mëtejshëm të legjislacionit të tij bankar, por Komisioni i Ndihmës Shtetërore duhet të bëhet i pavarur dhe të ketë burime të mjaftueshme. Lidhur me mbrojtjen e konsumatorit dhe shëndetit përgatitjet janë në një fazë të hershme, pasi vendi nuk bëri përparim në shëndetësi, përveç reagimit ndaj COVID-19. Shqipëria duhet të zbatojë qasjen “One Health” dhe të sigurojë që të gjithë të kenë mbulim cilësor me kujdes shëndetësor. Ky grupim politikash është kyç për përgatitjet e Shqipërisë për të përmbushur kërkesat e tregut të brendshëm të BE-së, si dhe është me rëndësi të madhe për integrimin e hershëm dhe zhvillimin e Tregut të Përbashkët Rajonal. 

Shqipëria ka arritur një nivel mesatar të përgatitjes në shumë fusha të lidhura me konkurrencën dhe rritjen përfshirëse, përkatësisht shoqërinë e informacionit dhe median, taksat, politikën ekonomike dhe monetare, sipërmarrjen dhe politikën industriale, arsimin dhe kulturën, si dhe bashkimin doganor. Vendi ka njëfarë niveli përgatitjeje në politikën sociale dhe punësim, si dhe në shkencë dhe kërkim. Shqipëria ka bërë njëfarë përparimi, veçanërisht me Strategjinë e Specializimit të Zgjuar dhe me pjesëmarrjen e saj në programin kërkimor “Horizont 2020”, por përparimi ka qenë i kufizuar në politikën ekonomike dhe monetare, si dhe në bashkimin doganor, gjatë periudhës raportuese. Duhen ndjekur reforma socio-ekonomike për të ndihmuar trajtimin e dobësive ekzistuese strukturore, konkurrencën e ulët, papunësinë e lartë dhe ndikimin e pandemisë. 

Shqipëria është mesatarisht e përgatitur në shumicën e fushave që lidhen me Agjendën e Gjelbër dhe ndërlidhjen e qëndrueshme, përkatësisht rrjetet transevropiane, energjia, si dhe mjedisi dhe ndryshimet klimatike. Ajo ka njëfarë niveli përgatitjeje në fushën e politikës së transportit. Vendi ka bërë njëfarë përparimi në shumicën e fushave, veçanërisht përmes planifikimit të rishikuar të transportit dhe ndërlidhjes së energjisë. Nevojiten më shumë përpjekje për të përmirësuar performancën e anijeve nën flamurin shqiptar, si dhe për të zbatuar legjislacionin energjetik dhe mjedisor, veçanërisht në zonat e mbrojtura. Tranzicioni i gjelbër dhe ndërlidhja e qëndrueshme janë çelësi për integrimin ekonomik brenda rajonit dhe me Bashkimin Evropian, duke lehtësuar tregtinë ndërkufitare brenda rajonit dhe duke krijuar përfitime reale për bizneset dhe qytetarët. Ky grupim dhe reformat përkatëse kanë lidhje të rëndësishme me Programin e Reformës Ekonomike të Shqipërisë, Planin Ekonomik dhe të Investimeve të Komisionit dhe Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor të miratuar nga Shqipëria në dhjetor 2020. 

Shqipëria ka njëfarë niveli përgatitjeje në shumicën e fushave që lidhen me burimet, bujqësinë dhe kohezionin, përkatësisht bujqësinë dhe zhvillimin rural, sigurinë ushqimore, politikën veterinare dhe fitosanitare, peshkimin, si dhe masat financiare dhe buxhetore. Vendi është mesatarisht i përgatitur në lidhje me politikën rajonale dhe koordinimin e instrumenteve strukturorë. Shqipëria ka bërë përparim të mirë në fushën e peshkimit, duke riaktivizuar sistemin e monitorimit të anijeve (SMA). Vendi ka bërë njëfarë përparimi me masat financiare dhe buxhetore, në bujqësi dhe zhvillimin rural, si dhe në sigurinë ushqimore, politikën veterinare dhe fitosanitare, por duhet krijuar regjistri i fermave. Vendi ka bërë përparim të kufizuar në politikën rajonale dhe koordinimin e instrumenteve strukturorë të financimit. Në këtë aspekt, koordinimi ndërinstitucional për ndihmën para anëtarësimit ka nevojë për përmirësim, si dhe duhen trajtuar çështjet që lidhen me planifikimin strategjik, kapacitetin zbatues dhe monitorues të projekteve të infrastrukturës në kuadrin e Planit Ekonomik dhe të Investimeve. 

Shqipëria ka arritur një nivel të mirë përgatitjeje në lidhje me marrëdhëniet e jashtme, sigurinë e jashtme dhe mbrojtjen. Sa i përket kapitullit të negociatave për marrëdhëniet e jashtme, Shqipëria ka bërë përparim të mirë dhe ka arritur një nivel të mirë përgatitjeje, edhe përmes miratimit dhe ratifikimit të protokolleve shtesë të Marrëveshjes për Tregtinë e Lirë të Evropës Qendrore, si dhe certifikimit të operatorëve të parë ekonomikë të autorizuar (OEA). Shqipëria ka punuar për shtrirjen e Korsive/Korridoreve të Gjelbra me Shtetet Anëtare të BE-së. Vendi ka ndërmarrë gjithashtu masa politike për ndihmën humanitare dhe ndihmën për zhvillim. Vendi ka mbajtur një kryesi të suksesshme të CEFTA-s. Sa i përket Politikës së Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, ka vazhduar të ruajë përafrimin e plotë me të gjitha vendimet dhe deklaratat përkatëse të BE-së. Në vitin 2020 vendi mbajti kryesinë e OSBE-së, duke demonstruar angazhimin e tij për bashkëpunim shumëpalësh. Shqipëria ka vazhduar të marrë pjesë në misionet dhe operacionet e BE-së për menaxhimin e krizave. 

Datat kyçe 

Qershor 2003: Samiti i Selanikut BE-Ballkani Perëndimor konfirmon perspektivën e BE-së për Ballkanin Perëndimor. 

Qershor 2006: Nënshkruhet Marrëveshja e Stabilizimit dhe Asociimit BE-Shqipëri. 

Prill 2009: Marrëveshja e Stabilizimit dhe Asociimit BE-Shqipëri hyn në fuqi. Shqipëria paraqet kërkesën e saj për anëtarësim në BE. 

Nëntor 2010: Komisioni Evropian nxjerr Opinionin e tij mbi kërkesën e Shqipërisë për anëtarësimin në BE, duke përfshirë një grup prej 12 përparësish kyçe që duheshin përmbushur në funksion të hapjes së negociatave të pranimit. 

Dhjetor 2010: Udhëtim pa viza në zonën Schengen për qytetarët e Shqipërisë. 

Qershor 2014: Këshilli Evropian i jep Shqipërisë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. 

Shkurt 2018: Komisioni Evropian miraton strategjinë e tij për “Një perspektivë të besueshme zgjerimi dhe angazhimin e shtuar të BE-së me Ballkanin Perëndimor”. 

Prill 2018: Komisioni Evropian rekomandon që Këshilli të vendosë që negociatat e pranimit të hapen me Shqipërinë në dritën e përparimit të arritur, duke ruajtur dhe thelluar vrullin aktual të reformës. 

Qershor 2018: Këshilli përcakton rrugën drejt hapjes së negociatave të pranimit me vendin, në varësi të përparimit të arritur. 

Maj 2018: Samiti i Sofjes BE-Ballkani Perëndimor konfirmon perspektivën evropiane të rajonit dhe përcakton një numër veprimesh konkrete për të forcuar bashkëpunimin në fushat e ndërlidhjes, sigurisë dhe sundimit të ligjit. 

Maj 2019: Komisioni Evropian rekomandon hapjen e negociatave të pranimit. 

Shkurt 2020: Metodologjia e rishikuar, e paraqitur nga Komisioni, për të çuar përpara procesin e zgjerimit me një drejtim politik më të fortë dhe në një mënyrë më të besueshme, më të parashikueshme dhe më dinamike. 

Mars 2020: Anëtarët e Këshillit Evropian miratuan vendimin e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme për të hapur negociatat e pranimit me Shqipërinë. 

Korrik 2020: Prezantimi i draft kornizës negociuese Shteteve Anëtare. 

Tetor 2020: Komisioni propozon Planin Ekonomik dhe të Investimeve për ta mbështetur dhe për ta sjellë Ballkanin Perëndimor më pranë BE-së. 

Maj 2021: Komisioni informon Këshillin se Shqipëria e ka plotësuar kushtin e mbetur që duhej përmbushur para mbajtjes së Konferencës së parë Ndërqeveritare të negociatave të pranimit. 

Tetor 2021: [(të përshtatet me konkluzionet përfundimtare) Komisioni konfirmon se Shqipëria vazhdon të përmbushë kushtet dhe pret që Konferenca e parë Ndërqeveritare të mbahet sa më shpejt që të jetë e mundur] 

 

Për më shumë informacion 

Raporti për Shqipërinë 2021  

Paketa e Zgjerimit 2021  

Shqipëria Faktograf  

 

Languages:
Seksionet editoriale: