European Union External Action

KOMUNIKATË PËR SHTYP: Zgjedhje të organizuara mirë me fushatë dinamike në internet por mangësitë e vjetra në kornizën ligjore mbesin të pa-adresuara

PRISHTINË, 19/10/2021 - 12:31, UNIQUE ID: 211019_3
Press releases

PRISHTINË, 19 tetor 2021 – Shefi i Misionit, Z Lukas Mandl, deputet i Parlamentit Evropian, paraqiti sot gjetjet preliminare të Misionit të Bashkimit Evropian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve (EU EOM) për zgjedhjet lokale të 17 tetorit në Kosovë.

Këto ishin zgjedhje të organizuara mirë dhe liritë themelore u respektuan gjatë fushatës,” tha Z. Mandl sot në konferencën për shtyp në Prishtinë. Shefi i Misionit të EU EOM-së shtoi se: Shumësia e garuesve u dha votuesve mundësi të vërtetë për të zgjedhur me përjashtim të komunave me shumicë serbe ku konkurrenca politike ishte e kufizuar. Fatkeqësisht, gratë nuk ishin të përfaqësuara sa duhet në garat për kryetarë të komunave dhe përgjithësisht në strukturat e partive.”

Votimi i qetë dhe i rregullt u vlerësua shumë pozitivisht nga vëzhguesit e BE-së, edhe pse u shënuan disa shqetësime lidhur me numrin e konsiderueshëm të rasteve të votimit të asistuar dhe rregullat për pranimin e dokumenteve të skaduara të identifikimit për identifikim të votuesve nuk u ndoqën sistematikisht. Për dallim nga kjo, numërimi i votave disi nuk u vlerësua aq pozitivisht për shkak të mos-konsistencës në respektimin e procedurave. Z Mandl shtoi se: “Procesi zgjedhor ishte organizuar në mënyrë efikase nga administrata profesionale e zgjedhjeve e cila po ashtu u perceptua si e pavarur dhe e besueshme nga palët e interesuara në zgjedhje.”

“Derisa fushata tradicionale ishte e profilit të ulët për shkak të masave që lidheshin me pandeminë COVID-19, një fushatë dinamike në internet dhe debatet në mediat e transmetuara u ndihmuan votuesve që të bëjnë zgjedhje të informuara,” tha Z. Mandl.

“Mangësitë e vjetra në kornizën ligjore mbesin të pa adresuara, siç mbesin edhe pothuajse të gjitha rekomandimet e mëhershme të BE-së për zgjedhjet. Është shumë me rëndësi që përfundimisht të adresohet ky problem,” tha Z. Mandl, duke shtuar se “Mungesa e transparencës në financimin e fushatës është një prej çështjeve kyçe që duhet të adresohet.

Viola von Cramon-Taubadel, udhëheqëse e delegacionit të Parlamentit Evropian tha: “Dua t’ju falënderoj ju, votues të Kosovës, për shprehjen e bindjeve tuaja politike në mënyrë kaq demokratike. Me pjesëmarrjen tuaj pozitive në zgjedhje ju keni treguar lidhjen dhe besimin tuaj në institucionet lokale dhe në demokraci. Ne kemi parë një debat të mirëfilltë ndërmjet kandidatëve dhe partive politike që propozonin politika alternative. Ky është edhe një hap tjetër i rëndësishëm në konsolidimin e demokracisë së Kosovës.”

BE-ja ka angazhuar mbi 100 vëzhgues në tërë Kosovën në ditën e zgjedhjeve nga shtetet e saj anëtare, si dhe nga Norvegjia dhe Zvicra. EU EOM do të mbetet në Kosovë për të ndjekur procesin në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve dhe zgjidhjen e çdo parashtrese ose ankese. Misioni po ashtu do të vëzhgojë edhe rundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë të komunave.

EU EOM vepron në Kosovë sipas një mandati specifik dhe është i pavarur nga institucionet e BE-së, përfshirë edhe nga Zyra e BE-së/Përfaqësuesi Special të BE-së në Kosovë.

 

Për më shumë informata, ju lutem kontaktoni me zyrtarin për shtyp të misionit EU EOM Kosovo 2021.

Marek Mracka, Zyrtar për Shtyp, EU EOM Kosovo 2021,

marek.mracka@eueomkosovo2021.eu  +383 48 798 326

Seksionet editoriale: