BE dhe Shtetet Anëtare të saj vazhdojnë të mbështesin Shqipërinë në luftimin e zjarreve në pyje

17.08.2021

Delegacioni i BE-së, Ambasada e Holandës dhe Ambasada e Republikës Çeke mbajtën sot në aeroportin Nënë Tereza një takim të përbashkët me Ministrinë e Mbrojtjes dhe Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile mbi situatën e zjarreve në Shqipëri.

Përfaqësues të ekipeve të helikopterëve holandezë dhe çekë të pranishëm në aktivitet, ndanë vlerësimet e tyre dhe përvojat nga terreni. Gjatë javës së fundit, ekipet e Shteteve Anëtare të BE-së, me një personel të specializuar prej 50 anëtarësh, janë angazhuar në luftë kundër zjarreve në vend me shumë se 170 orë fluturim dhe 450 hedhje uji nga ajri.

Shqipëria është prekur nga zjarret në pjesë të ndryshme të territorit të saj që nga mesi i korrikut, dhe qindra hektarë pyje, kullota dhe mijëra rrënjë ullinj dhe dru frutorë të tjerë janë shkatërruar në një sërë zonash.

Shefi i Sektorit Politik të Delegacionit të BE-së, Alexis Hupin, theksoi se Bashkimi Evropian do të vazhdojë t’i qëndrojë në krah Shqipërisë në këto kohë të vështira siç ka bërë edhe më parë. “Ndihma e BE-së për Shqipërinë ka qenë vendimtare; në të shkuarën gjatë përmbytjeve, më vonë kur vendi u përball me tërmetin dhe pandeminë, dhe tani për situatën me zjarret,” tha z. Hupin.

Ndihma nga ajri me helikopterë, të cilët ende po luftojnë flakët, u bë e mundur përmes Mbrojtjes Civile Evropiane dhe Operacioneve të Ndihmës Humanitare (EU ECHO). EU ECHO mundëson asistencë për vendet e prekura dhe popullatat përkatëse sa herë që ndodh një fatkeqësi apo emergjencë humanitare. Në përgjigje të kërkesës së Shqipërisë për ndihmë me zjarret, ky mekanizëm reagoi brenda një kohe të shkurtër.

Që prej datës 6 gusht, ekipet e helikopterëve kanë ndihmuar pa pushim në shuarjen e zjarreve kudo në Shqipëri, nga bregdeti i jugut dhe në malësitë e veriut, duke kontribuuar në shpëtimin e jetëve dhe në mbrojtjen e parqeve kombëtare dhe të natyrës së vendit.

Gjithashtu, që nga data 12 gusht, Shërbimi i Menaxhimit të Emergjencave Copernicus, i cili është ‘syri i BE-së mbi Tokë’, po siguron skanim të shpejtë satelitor përgjatë territorit shqiptar, për të evidentuar zjarret në kohën e duhur.

Bashkimi Evropian e ka mbështetur Shqipërinë përmes mekanizmave të emergjencës për një sërë krizash dhe çastesh të vështira, duke përfshirë tërmetin e 26 Nëntorit 2019, si dhe ka ofruar ndihmë për të adresuar pandeminë e COVID-19.