European Union External Action

Takimi i 18-të i Komitetit të Stabilizim-Asociimit midis Bashkimit Europian dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut

Bruksel, 29/06/2021 - 16:18, UNIQUE ID: 210629_29
Press releases

Takimi i 18-të i Komitetit të Stabilizim-Asociimit midis Bashkimit Europian dhe Maqedonisë së Veriut (Komiteti i SA-së), që duheshte të mbahet në Bruksel, u zhvillua në mënyrë virtuale më 29 qershor të vitit 2021. Takimi u bashkë-kryesua nga Znj. Kalinka Gaber, Sekretare shtetërore për Çështjet e BE-së të Maqedonisë së Veriut dhe Znj. Michela Matuella, Ushtruese e detyrës-Drejtoreshë për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Fqinjësi dhe zgjerim.

Takimi i Komitetit të SA-së përshëndeti vendimin e rëndësishëm të marrë njëzëri nga Shtetet Anëtare të BE-së në Mars të vitit 2020 për të hapur negociatat e pranimit me Maqedoninë e Veriut. Në takim u nënvizua ky hap i rëndësishëm në procesin e pranimit të Maqedonisë së Veriut, duke theksuar rëndësinë e miratimit të Kornizës Negociuese nga Këshilli dhe mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare sa më shpejt të jetë e mundur.

Komiteti i SA-së bëri një vlerësim të progresit të arritur dhe u bëri thirrje të gjitha partive politike dhe faktorëve kombëtarë të punojnë së bashku në mirëmbajtjen dhe forcimin e dialogut politik. Ai inkurajoi zbatimin e vazhdueshëm të axhendës europiane, përfshirë fushat kryesore si gjyqësori, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, shërbimet e inteligjencës, administrata publike, në një mënyrë gjithëpërfshirëse dhe transparente. Komiteti rikujtoi rolin e Parlamentit në këtë drejtim si forum për dialog politik konstruktiv. Adresimi i rekomandimeve të mbetura të OSBE / ODIHR-së, në një mënyrë transparente dhe gjithëpërfshirëse, do të jetë gjithashtu i rëndësishëm përpara zgjedhjeve të ardhshme. Komiteti i SA-së mirëpriti miratimin e strategjive të Burimeve Njerëzore për prokurorët dhe gjykatësit, duke theksuar nevojën për zbatimin e tyre. U nënvizuan miratimi i Strategjisë Kombëtare për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit dhe përpjekjet për të forcuar kapacitetet e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit. Komiteti i SA-së kujtoi rëndësinë që të gjitha institucionet e ngarkuara me luftën kundër korrupsionit të sigurohen me burimet e nevojshme për të kryer mandatin e tyre.

Komiteti i SA-së bëri një vlerësim të gjendjes në lidhje me kriteret politike dhe ekonomike, harmonizimin me legjislacionin e BE-së (Acquis), si dhe zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Komiteti i theksoi rrethanat e vështira të krijuara nga pandemia me COVID-19 dhe njohi progresin që ishte arritur gjatë vitit në avancimin e reformave të BE-së, veçanërisht në fushat themelore, rekomandimet në raportin e Komisionit për vitin 2020 dhe konkluzionet e nën-komiteteve të SA-së, si dhe udhëzimet e dhëna në kontekstin e Programit të Reformës Ekonomike.

Në përputhje me Konkluzionet e Këshillit të BE-së në Mars të vitit 2020, delegacionet rikonfirmuan se marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimi rajonal mbeten elemente thelbësore të procesit të zgjerimit, si dhe të Procesit të Stabilizim-Asociimit.