Delegacioni i BE-së zhvillon konsultime publike për përgatitjen e Raportit Vjetor të Komisionit Evropian 2021 për Shqipërinë

13.04.2021

Delegacioni i BE-së përmbylli sot dy ditë konsultimesh publike në internet me shoqërinë civile dhe organizatat e medias, si pjesë e punës përgatitore për Raportin Vjetor 2021 mbi Shqipërinë që synon të marrë pikëpamjet e shoqërisë civile mbi temat e përfshira në raport.

Afërsisht 100 pjesëmarrës, anëtarë të shoqërisë civile shqiptare, ndanë me Delegacionin e BE-së pikëpamjet e tyre dhe vlerësimin e performancës së vendit në fushat kyçe të demokracisë dhe të drejtave themelore, sundimit të ligjit, si dhe kapitujve të ndryshëm të acquis communautaire – korpusi i së drejtës së BE-së.

Këto konsultime publike janë veçanërisht të rëndësishme për mua në procesin e përgatitjes së Raportit Vjetor për Shqipërinë, për shkak të vlerës së madhe që sjell kontributi i shoqërisë civile në politikën e zgjerimit. Organizatat e shoqërisë civile, partnerët tanë thelbësorë në Shqipëri, luajnë një rol vendimtar për t’i dhënë zë gjithë qytetarëve shqiptarë dhe për të vënë para përgjegjësisë institucionet publike”, tha me këtë rast Ambasadori i BE-së Luigi Soreca.

Gjatë hartimit të Raportit Vjetor, Komisioni Evropian mbledh informacion nga Delegacioni i BE-së, Shtetet Anëtare të BE-së, organizatat e shoqërisë civile, autoritetet kombëtare, organizatat ndërkombëtare, bizneset, si dhe agjencitë dhe misionet e BE-së, ndër shumë të tjerë.

Struktura e Raportit Vjetor Shqipëria 2021 do të jetë e njëjtë me vitin e kaluar. Për secilin nga kriteret - kriteret politike, ekonomike dhe standardet evropiane (kapitujt) - do të bëhet një vlerësim i progresit të Shqipërisë që nga qershori i vitit 2020. Progresi do të matet në lidhje me vendimet konkrete të marra, legjislacionin e miratuar dhe shkallën e zbatimit.

Organizatat e shoqërisë civile janë ftuar gjithashtu të ofrojnë kontribut me shkrim para ditës së premte, 16 prill, për të kontribuar në analizën dhe vlerësimin e thelluar të raportit.

Çdo vit, Komisioni Evropian miraton dokumentin e tij strategjik për zonën e zgjerimit. Ai vlerëson progresin e secilit vend dhe përcakton rrugën e mëtejshme, si dhe rekomandimet për vitin e ardhshëm. Raporti i këtij viti nga Komisioni në Këshill do të botohet në vjeshtë 2021.

Shtetet Anëtare në Këshill do ta vlerësojnë progresin e bërë nga Shqipëria gjatë vitit të fundit në bazë të këtij Raporti Vjetor.