Rusi/Ukrainë: Deklaratë e dhënë nga Përfaqësuesi i Lartë Josep Borrell në emër të Bashkimit Evropian në mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit të Përhershëm të OSBE-së

24.02.2022

Zoti Kryesues, në emër të BE-së, dëshiroj t’ju falënderoj për thirrjen e shpejtë të kësaj mbledhjeje të jashtëzakonshme të Këshillit të Përhershëm. Këto janë orët më të errëta për Evropën që nga Lufta e Dytë Botërore.

Bashkimi Evropian e dënon në termat më të ashpra të mundshëm pushtimin e Ukrainës nga forcat e armatosura të Federatës Ruse.

Ne kërkojmë nga presidenti Putin t’i ndërpresë menjëherë operacionet ushtarake ruse dhe të tërheqë pa kushte të gjitha forcat dhe pajisjet ushtarake nga i gjithë territori i Ukrainës. Rusia mban përgjegjësi të plotë për këtë akt agresioni dhe të gjitha shkatërrimet dhe humbjet e jetëve që do të shkaktojë. Prej Rusisë do të kërkohet llogari për veprimet e saja.

Ne dënojmë edhe përfshirjen e Bjellorusisë në këtë agresion kundër Ukrainës, si dhe i bëjmë thirrje t’i respektojë detyrimet e veta ndërkombëtare.

Sulmi ushtarak i Rusisë kundër Ukrainës - një shtet i pavarur dhe sovran - është shkelje flagrante e ligjit ndërkombëtar dhe parimeve thelbësore mbi të cilat është ndërtuar rendi ndërkombëtar i bazuar në rregulla.

BE-ja me partnerët transatlantikë dhe ata që ndajnë të njëjtin mendim, kanë qenë të bashkuar në përpjekjet e tyre të palodhura për të arritur një zgjidhje diplomatike të krizës së sigurisë të shkaktuar nga Rusia. Rusia nuk i u është përgjigjur këtyre përpjekjeve, përkundrazi zgjodhi në mënyrë të njëanshme përshkallëzimin e rëndë dhe të paramenduar.

BE-ja e ka bërë të qartë që në fillim dhe në nivelin më të lartë politik se çdo agresion i mëtejshëm ushtarak kundër Ukrainës do të ketë pasoja masive dhe kosto të rënda.

Prandaj, përgjigja e BE-së do të përfshijë masa kufizuese sektoriale dhe individuale të koordinuara plotësisht me partnerët tanë transatlantikë dhe ata që ndajnë të njëjtin mendim.

Rusia nuk duhet të ketë asnjë dyshim se BE-ja do të mbetet e bashkuar me vendosmëri teksa ndërmerr hapat e ardhshëm në koordinim të ngushtë me partnerët.

BE-ja i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar që të kërkojë nga Rusia përfundimin e menjëhershëm të këtij agresioni, i cili rrezikon paqen dhe sigurinë ndërkombëtare në shkallë globale.

I bëjmë thirrje Rusisë që ta respektojë plotësisht ligjin ndërkombëtar humanitar dhe të lejojë qasje dhe ndihmë humanitare të sigurt dhe të papenguar për të gjithë personat në nevojë. Ne gjithashtu i bëjmë thirrje Rusisë që të garantojë sigurinë e Misionit të Posaçëm të Monitorimit të OSBE-së.

BE-ja përsërit mbështetjen dhe angazhimin e vet të palëkundur për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht. Ne qëndrojmë pranë popullit të Ukrainës dhe institucioneve dhe përfaqësuesve të saj të zgjedhur në mënyrë demokratike.

BE-ja përsërit gjithashtu mbështetjen dhe angazhimin e vet të palëkundur për sovranitetin dhe integritetin territorial të Gjeorgjisë dhe të Republikës së Moldavisë.

Do të kërkoja që kjo deklaratë t’i bashkëngjitet gazetës ditore.

Faleminderit!

Peter Stano
Lead Spokesperson for Foreign Affairs and Security Policy
+32 (0)460 75 45 53
Paloma Hall Caballero
Press Officer for Foreign Affairs and Security Policy
+32 (0)2 296 85 60
+32 (0)460 76 85 60