Saba

Historitë e suksesit të EIDHR-së: nxënësit dhe shoqëria civile e mbrojnë mjedisin jetësor në vepër

08/04/2021 - 15:52
News stories

Në një kohë kur Axhenda e Gjelbër është prioritet kryesor për Europën, gjashtë organizata të shoqërisë civile kanë bashkuar forcat me nxënës të shkollave të mesme për të zhvilluar zgjidhje praktike për sfidat lokale të mjedisit. Ky projekt i financuar nga BE-ja jo vetëm që thekson nevojën urgjente për të mbrojtur mjedisin - ai gjithashtu ilustron rolin thelbësor që të rinjtë mund të luajnë për ta bërë mjedisin tonë më të gjelbër dhe të shëndetshëm.

 

“Kur bën një ndryshim, hapi i parë është më i vështiri. Por, ne kemi guximin ta bëjmë atë hap”, thotë Adam Stojanovski, një gjimnazist nga Manastiri. Adami, së bashku me shokët e tij të klasës nga qyteti i dytë më i madh në Maqedoninë e Veriut dhe me bashkëmoshatarë nga pesë qytete të tjera, po punon për ndryshimin e zakoneve të njerëzve dhe praktikave të prodhuesve. Qëllimi është ta bëjnë vendin më të pastër dhe ekonominë të qëndrueshme.

 

Adam Stojanovski

 

Një projekt në kuadër të Instrumentit Europian për Demokraci dhe të Drejtat e Njeriut (EIDHR) i bëri bashkë këta nxënës me shoqërinë civile - në identifikimin e problemeve të mjedisit jetsor dhe në përpjekjen për t'i zgjidhur ato.

"Ne do të jemi syçelë, do të lëshojmë alarmin dhe do të pastrojmë - në mënyrë që ta bëjmë Manastirin një vend më të mirë për të jetuar", thotë Adami, i cili është i angazhuar në një fushatë për pastrimin e mbeturinave në Manastir dhe në vendet për piknik përreth qytetit. Këto aktivitete vijnë nga fushata e suksesshme që Delegacioni i BE-së ka bërë në vitet e fundit me moton 'Pastërti si në shtëpi'

Projekti drejtohet nga Instituti për Studime të Komunikimit (ICS), në partneritet me Shoqërinë Ekologjike Maqedonase (MES). Vitin e kaluar, përmes një thirrje publike, ata zgjodhën gjashtë nisma nga OJQ-të dhe shkollat ​​e mesme nga rajone me vlerë të lartë të natyrës dhe rajone që përballen me ndotje të konsiderueshme. Përveç aksioneve të pastrimit dhe fushatave kundër hedhjes së mbeturinave, iniciativat përfshijnë monitorimin e cilësisë së ujit në Liqenin e Prespës, promovimin e prodhimit organik në Tikvesh dhe Strumicë, eko-aktivizmin në Strugë, gjithashtu kur bëhet fjalë për deponitë e vogla ilegale pranë liqenit të Ohrit dhe largimi i mbetjeve të ndërtimit nga Gryka e Demir Kapisë. Përmes hapave shumë praktikë.

 

 

Ne kemi notuar në Liqenin e Prespës që kur kemi lindur. Kohët e fundit ne e bëjmë këtë rrallë, sepse thuhet se uji është i ndotur. Tani kemi mundësinë për ta zbuluar këtë nga dora e parë ”, thotë Natalija Vojdanoska, nxënëse e shkollës së mesme nga Resnja. Ajo merr pjesë në monitorimin e ujit të liqenit falë iniciativës së OJQ-së Eco Guerilla, e cila i bëri bashkë eko-aktivistë, studentë dhe institucione publike (Stacioni i Monitorimit të Cilësisë së Ujit në Stenje). Kjo iniciativë jo vetëm që përfshin nxënësit në aktivitete kërkimore me profesionistë por aktivistët dhe nxënësit do të përdorin mbetje organike të ricikluara për të rindërtuar hapësirën përreth ndërtesës së Stacionit.

 

 

Shndërrimi i mbeturinave në plehra është aktiviteti qendror i nxënësve të shkollave të mesme nga Strumica të cilët janë të përfshirë në iniciativën e drejtuar nga OJQ Horti Eko. “Unë dua të përvetësoj procesin e kompostimit dhe kështu të mbroj mjedisin. Fermerët hedhin materiale që nuk u duhen rreth shtretërve të lumenjve dhe kështu ndotin tokën pjellore. Me kompostimin, ne kemi një produkt organik që mund të ripërdoret në tokë ', thotë Tankica Goneva, një nga nxënëset më aktive në këtë proces.

Rajoni i Strumicës, një nga prodhuesit kryesorë të ushqimit në vend, thuhet se ka mbi 100 deponi të egra. Horti Eko dhe profesorët e shkollës i ndihmojnë nxënësit të mësojnë më shumë rreth bujqësisë së qëndrueshme - bujqësi e cila funksionon në harmoni me natyrën.

 

 

“Është një problem i madh që disa fermerë nuk i ripërdorin ose nuk i kompostojnë bio-mbeturinat; në vend të kësaj ata i djegin dhe kështu e ndotin ajrin ", thotë Tome Timov nga Horti Eko.

 

 

Urgjenca e ndryshimit të zakoneve ilustrohet më së miri nga profesori Dincho Krstev, "Ka ndotje të madhe të ujërave dhe mjedisit në përgjithësi për shkak të përdorimit të gabuar dhe të panevojshëm të kimikateve si herbicide (pesticide që përdoren për të hequr bimë të padëshiruara). Toka dhe uji janë aq të ndotur saqë paraqesin problem për prodhimin.

Por projekti nuk mbaron këtu.

Deri në muajin shkurt të vitit 2022, nxënësit e shkollave të mesme dhe organizatat e shoqërisë civile do të zhvillojnë aftësitë e tyre të lobimit për mbrojtjen më të mirë të mjedisit - përmes punëtorive interaktive dhe duke mësuar parimet e Konventës së Aarhusit, një dokument thelbësor për të drejtat në lidhje me mbrojtjen e mjedisit jetësor. Për më tepër, Instituti për Studime të Komunikimit dhe Shoqëria Ekologjike Maqedonase do të trajnojnë OSHC-të dhe nxënësit e shkollave të mesme se si të zhvillojnë dhe kryejnë fushata të ndërgjegjësimit publik. Në këtë mënyrë për të inkurajuar më tej pjesën tjetër të shoqërisë t’iu bashkangjitet atyre në promovimin e tranzicionit 'të gjelbër'.