Niue and the EU

Njoftim për shtyp me rastin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Financimit IPA 2018

Tirana, Albania, 13/09/2019 - 13:58, UNIQUE ID: 190913_8
Press releases

Bashkimi Evropian mbeshtet me 94 milion Euro procesin e anëtarësimit të Shqipërisë dhe konfirmon pozicionin e tij si donatori i parë për Shqipërinë

 

Sot, Bashkimi Evropian, i përfaqësuar nga Ambasadori i BE-së Luigi Soreca, dhe Shqipëria, e përfaqësuar nga Zëvendësministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Sokol Dedja, nënshkruan Marrëveshjen e Financimit IPA 2018.

 

Gjatë nënshkrimit, Ambasadori Soreca deklaroi: "BE-ja është krenare që është donatorja e parë në Shqipëri. Kjo mbështetje ka një qëllim dhe një arsye: ta ndihmojë Shqipërinë të bëhet një anëtare e plotë e familjes së Bashkimit Evropian. Marrëveshja që ne po nënshkruajmë sot pasqyron prioritetet tona kyçe: reforma në drejtësi dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit janë dhe do të mbeten në zemër të partneritetit tonë me Shqipërinë. Por mbrojtja e mjedisit dhe administrimi i ujërave gjithashtu do të mbështeten shumë nga programi i ri".

 

Programi IPA 2018 përmban dy veprime në sektorin e shtetit ligjor dhe të drejtave themelore. Objektivat e tyre janë të krijojnë një sistem efektiv dhe efikas të zbatimit të ligjit, i cili është në gjendje të prodhojë një historik të besueshëm në luftën kundër krimit të organizuar dhe të mbështesë krijimin e një sistemi gjyqësor të përgjegjshëm, të pavarur dhe efikas, të harmonizuar me legjislacionin e BE-së dhe me praktikat më të mira.

 

  1. Aksioni prej 19 milion Eurosh i BE-së për Shtetin Ligjor – Luftën kundër krimit të organizuar dhe drogave do të kontribuojë për një sistem efektiv dhe efikas të zbatimit të ligjit për të luftuar krimin e organizuar dhe trafikun e drogave, si dhe do të mbështesë zhvillimin socio-ekonomik në komunitetet e prekura. Ai synon të përmirësojë kapacitetin e Policisë së Shtetit Shqiptar dhe Prokurorisë së Përgjithshme, si dhe të agjencive përkatëse që merren me krimin e organizuar, përfshirë trafikimin e drogës dhe kultivimin e kanabisit, të mbështesë hetimet financiare dhe konfiskimet; administrimin efektiv të kufijve të gjelbër dhe kufijve blu; forcimin e Akademisë së Sigurisë, përmirësimin e kapacitetit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Institutit të Shëndetësisë për të analizuar përdorimin e drogës. Ai do të mbështesë komunat e zgjedhura për të ofruar shërbime dhe kushte jetese alternative për komunitetet e prekshme nga kultivimi dhe trafikimi i kanabisit.

 

  1. Veprimi BE-ja për Reformën në Drejtësi, me 42 milion Euro, synon të kontribuojë në forcimin e pavarësisë, transparencës, efikasitetit, përgjegjshmërisë dhe besimit të publikut në sistemin e drejtësisë shqiptare, në përputhje me standardet evropiane, si dhe do të forcojë mbrojtjen e të drejtave të njeriut në sistemin e burgjeve. Kjo shumë përfshin një zarf prej 34 milion Eurosh, i cili vihet në dispozicion posaçërisht për të kontribuar në buxhetin e Shqipërisë pas arritjes së rezultateve të zbatimit të strategjisë së drejtësisë. Kjo përfshin përmirësime në kornizën institucionale dhe efikasitetin operativ të sistemit gjyqësor, për të konsoliduar arsimin juridik dhe për të përmirësuar specializimin e magjistratëve dhe personelit gjyqësor, rritjen e efikasitetit të sistemit të drejtësisë penale dhe të masave antikorrupsion; përmirësimin e funksionimit të sistemit të drejtësisë duke përdorur procedurat e modernizuara, sistemet IT dhe pajisjet elektronike.

 

Veprimi BE për një mjedis më të pastër prej 24.1 milion Eurosh do të sigurojë mbështetje për trajtimin e ujërave të zeza. Ai synon të përmirësojë cilësinë e ujit dhe kështu do të kontribuojë në zhvillimin ekonomik, shoqëror, mjedisor dhe territorial, si dhe do të rrisë atraktivitetin e turizmit.

 

Kjo do të forcojë infrastrukturën e ujërave të zeza të bashkive dhe do të përmirësojë funksionimin e ndërmarrjeve ujore - për shërbime më të mira për qytetarët dhe më pak ndotje të natyrës. Aksioni do të mbështesë përafrimin progresiv me acquis të Bashkimit Evropian dhe gjithashtu kontribuon në arritjen e objektivave të Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit dhe Integrimit në lidhje me ujin për njerëzit.

 

Veprimi prej 6 milion Eurosh i BE-së për Zhvillimin Ekonomik - Zhvillimi ekonomik vendor i udhëhequr nga turizmi me fokus në trashëgiminë kulturore synon të rrisë kontributin e turizmit të qëndrueshëm dhe të përgjegjshëm në rritjen ekonomike të Shqipërisë, duke rigjeneruar kështu strukturën vendore ekonomike dhe mjedisin urban me rehabilitimin e Bylisit si një sit unik i trashëgimisë kulturore shqiptare dhe evropiane.

 

E fundit, por jo më pak e rëndësishme, 3 milion Euro do të lehtësojnë dhe mundësojnë pjesëmarrjen e institucioneve shqiptare në programet dhe agjencitë e Bashkimit Evropian, si Doganat 2020, Fiscalis 2020 - Programi për Punësim dhe Risi Sociale, Erasmus +, COSME, Evropa Krijuese, Nën-Programi Kultura dhe Media, Evropa për qytetarët, Horizont 2020, Drejtësia, Agjencia e BE-së për të Drejtat Themelore.

 

Për më shumë informacion, lutemi shihni:

 

https://ec.europa.eu/neighbourhood-enlargement/instruments/funding-by-country/albania_en

 

https://ec.europa.eu/neighbourhood-enlargement/sites/near/files/ipa_2018_0402011_040215_annual_action_programme_for_albania.pdf

 

 

 

 

Languages:
Seksionet editoriale: