Niue and the EU

Fjalimi i Ambasadorit të BE-së Luigi Soreca në konferencën e Binjakëzimit Kundër Korrupsionit - 26 prill 2019

Tirana, Albania , 26/04/2019 - 12:55, UNIQUE ID: 190426_6
Speeches of the Ambassador

E dashur Ministre Gjonaj,

I dashur Ministër Moser,

Të dashur miq,

Dita e sotme shënon finalizimin e një prej projekteve binjakëzues më sfidues që BE-ja ka financuar në Shqipëri gjatë viteve të fundit.

Ideja për këtë projekt binjakëzimi u zhvillua në vitin 2015 dhe që nga shtatori 2016, Austria dhe Gjermania kanë punuar brenda zyrës së Koordinatorit Kombëtar kundër Korrupsionit për të mbështetur formulimin, koordinimin dhe zbatimin e politikave anti-korrupsion.

Ka pasur shumë sfida përgjatë rrugës:

  1. kapaciteti i kufizuar i stafit të Ministrit të mëparshëm të Shtetit për Çështjet Vendore
  2. zgjedhjet e përgjithshme dhe
  3. ristrukturimi i qeverisë. Një Koordinator i ri Kombëtar e mori në dorë drejtimin në mes të projektit dhe vuajti nga një ndryshim i madh i stafit.

Por sfida më e madhe natyrisht ishte se si të trajtohej korrupsioni. Zhdukja e korrupsionit është një përpjekje e ndërlikuar, e cila kërkon mjete, vullnet politik nga autoritetet kompetente sigurisht, por edhe vendosmëri nga ata që në fund janë të ekspozuar ndaj tij si viktima të mundshme, që nga qytetarët e zakonshëm, deri te studentët apo sipërmarrësit.

Lufta kundër korrupsionit është e një rëndësie themelore për popullsinë, reputacionin dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Kostoja ekonomike është shumë e madhe, por kostot për shoqërinë janë edhe më të mëdha. Korrupsioni prek funksionimin e administratës publike dhe cilësinë e shërbimeve. Në terma konkretë kjo nënkupton më pak shkolla, spitale dhe vende pune. Korrupsioni është një vjedhje që u bëhet të gjithë qytetarëve shqiptarë.

Luftimi i korrupsionit në Shqipëri është gjithashtu thelbësor për ta çuar vendin përpara në udhën e tij drejt Bashkimit Evropian. Komisioni po finalizon raportin e tij vjetor, i cili do të përgatitet në bazë të përpjekjeve të bëra nga Shqipëria dhe do të formojë bazën për vendimin e Këshillit të Bashkimit Evropian më vonë gjatë këtij viti.

Shoqëria civile dhe mediet kanë një rol të rëndësishëm për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit, denoncimin, monitorimin e shërbimeve publike, rritjen e ndërgjegjësimit publik. Shoqëria civile duhet të jetë pjesë e një zgjidhjeje të qëndrueshme dhe afatgjatë për këtë sfidë dhe roli i të rinjve dhe i universiteteve është veçanërisht i rëndësishëm në këtë përpjekje. Po aq e rëndësishme është pasja e një mjedisi ku liria e medias mund të lulëzojë dhe ku veçanërisht gazetaria investigative të promovohet.

Gjatë rrjedhës së projektit të binjakëzimit kundër korrupsionit, BE-ja ka mbështetur fuqimisht përfshirjen e shoqërisë civile, qytetarëve dhe medias. Shembuj të këtyre përpjekjeve janë:

  1. Mbi 400 vrapues morën pjesë vitin e kaluar në garën e organizuar për herë të parë "Vrapo kundër Korrupsionit". Unë pres me padurim edicionin e ardhshëm që do të organizohet më vonë gjatë këtij viti.
  2. Me rastin e Ditës Ndërkombëtare kundër Korrupsionit, vitin e kaluar u organizua një festival filmi kundër korrupsionit, ku të rinjtë mund të shprehnin vetveten përmes dokumentarëve dhe të hedhin dritë mbi faktin se si korrupsioni po rrezikon të ardhmen e tyre.
  3. Janë organizuar forume konsultative me shoqërinë civile, partnerët e zhvillimit, ministritë e linjës dhe institucionet për të diskutuar sinjalizimin, rolin e institucioneve të auditimit në luftën kundër korrupsionit, lirinë e informacionit dhe konfliktin e interesit.

Por lufta nuk përfundon këtu. Tani është koha për të vazhduar punën gjithëpërfshirëse dhe tërësore me të gjithë përfituesit, përfshirë institucionet e pavarura. Zbatimi i strategjisë ndërsektoriale kundër korrupsionit duhet të rritet dhe duhet të instalohen procese reale të konsultimit për të dëgjuar zërin e shoqërisë civile.

Bashkimi Evropian, si dhe Shtetet Anëtare, do të vazhdojnë ta mbështesin luftën kundër korrupsionit përmes instrumenteve të ndryshme. Kemi një kontratë të vazhdueshme për reformën e sektorit prej 10 milionë Eurosh, e cila e çon përpara reformën. Ajo përfshin mbështetjen e synuar për t'i bërë rezultatet më të dukshme për qytetarët shqiptarë. Vazhdimi i projektit Horizontal Facility - Aksioni kundër Krimit Ekonomik, i cili ka kontribuar kohët e fundit për të ngritur një sistem online të deklarimit të pasurive, tashmë është i garantuar. Mbështetja jonë e ardhshme për Qeverisjen e Mirë (IPA2020), do të përfshijë gjithashtu luftën kundër korrupsionit si një prioritet kyç.

Ndërsa po i afrohemi fundit të këtij projekti binjakëzimi, dua të falënderoj institucionet shqiptare për përfshirjen e tyre në ndërmarrjen e kësaj lufte dhe për motivimin e tyre për të reformuar. Gjithashtu, do të doja të falënderoja përzemërsisht ekipin nga Austria dhe Gjermania që e zbatoi këtë projekt. Përkundër sfidave, binjakëzimi kontribuoi fuqishëm për të ndërtuar institucione më të forta dhe më të përgatitura në Shqipëri.

Faleminderit!

Languages:
Seksionet editoriale: