Greenland and the EU

Fjalimi i Ambasadorit të BE-së Luigi Soreca gjatë konferencës “Roli i institucioneve vetëqeverisëse të drejtësisë në forcimin e profesionalizmit dhe performancës së gjyqësorit”

Tirana, Albania, 01/10/2021 - 11:51, UNIQUE ID: 211001_4
Speeches of the Ambassador

Miratimi i reformës në drejtësi, pesë vjet më parë, nënkuptonte fillimin e një “epoke” të re për sundimin e ligjit në Shqipëri. Ajo shënoi një fillim vendimtar për një Shqipëri moderne dhe evropiane. 

Ata që e konceptuan këtë reformë e dinin se ajo nuk do të ishte kurrë një reformë e lehtë. Ka qenë një përpjekje e ndërlikuar që nga viti 2016. 

Megjithatë, pesë vitet e fundit vetëm sa kanë konfirmuar se reforma ishte e nevojshme. Ky është një proces i vështirë i luftës kundër mosndëshkimit, luftës për të rifituar besimin e publikut dhe më e rëndësishmja, luftës për të rivendosur integritetin si një vlerë thelbësore. 

Kjo reformë ka qenë thelbësore që Shqipëria të ecë përpara larg së kaluarës së saj, drejt një të ardhmeje evropiane. 

Reforma në drejtësi ka nisur të sjellë rezultate konkrete, të cilat do të kishin qenë të paimagjinueshme vetëm disa vite më parë. 

Për shembull, ndjekjet penale kundër 23 ish-magjistratëve të shkarkuar nga vetingu janë në zhvillim e sipër, përfshirë 10 ish-gjyqtarë të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese, ndërsa SPAK-u ka dërguar për gjykim çështjet e ish-kryetari të Gjykatës Kushtetuese dhe gjyqtarëve të dy gjykatave më të larta. Asetet e fituara falë korrupsionit janë konfiskuar dhe janë rikthyer në sferën e ligjshmërisë. 

Në mënyrë thelbësore, ne tani kemi institucione të pavarura dhe plotësisht funksionale të drejtësisë - Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli  i Lartë i Prokurorisë, Inspektorati i Drejtësisë, Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm dhe SPAK  - që po japin çdo ditë rezultate. 

Tani kemi hyrë në një fazë të re të reformës në drejtësi. Në këtë fazë, fokusi duhet të jetë te përfundimi i reformës në drejtësi. Kjo do të kërkojë forcë, dhe ndonjëherë pragmatizëm. Siç e kam thënë në rastet e mëparshme, do të kërkojë elasticitet, kompetencë dhe udhëheqje nga institucionet e reja të drejtësisë. 

Parlamenti i ri dhe qeveria e re kanë përgjegjësi të rëndësishme në këtë drejtim dhe BE-ja është e gatshme të mbështesë çdo përpjekje për këtë qëllim. 

Dje pata një takim të parë shumë të mirë me ministrin Manja dhe së shpejti do të takohem me deputetët kryesorë të Parlamentit nga shumica dhe opozita. 

Ka shumë dosje të rëndësishme që duhet të trajtohen me urgjencë. Është thelbësore të angazhohemi për garantimin e efikasitetit të gjykatave, përfshirë përmes përfundimit të punës në vazhdim për hartën gjyqësore dhe sistemin e ri të menaxhimit të rasteve. Është e rëndësishme të kihet parasysh roli themelor i Shkollës së Magjistraturës dhe burimet e saj. 

Është urgjente të garantojmë përfundimin e procesit të vetingut: është thelbësore që të gjitha rastet e vetingut në pritje të përfundojnë në periudhën më të shkurtër të mundshme kohore, duke ruajtur konsistencën dhe integritetin e procesit. 

Kjo kërkon një zgjatje të kufizuar kohore të mandatit të anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) dhe komisionerëve publikë. Sigurisht që i takon parlamentit dhe qeverisë të përcaktojë kufijtë e saktë kohorë të një zgjatjeje të tillë, në konsultim me palët përkatëse të interesit. 

Në përgjithësi, mantra e kësaj faze të dytë të reformës në drejtësi duhet të jetë “konsolidimi”. Për t’u siguruar që kjo reformë dhe përfitimet e saj janë të pakthyeshme. 

Forcimi i vazhdueshëm i profesionalizmit dhe performancës së sistemit të drejtësisë, fokusi i konferencës së sotme, është sigurisht një nga aspektet kyçe që duhet trajtuar. 

Një sistem i mirë i vlerësimit të performancës, inspektimi dhe bashkëpunimi i mirëfilltë mes institucioneve të pavarura të drejtësisë janë thelbësore për ruajtjen e standardeve të larta për të cilat Shqipëria është angazhuar në lidhje me reformën në drejtësi. Prandaj jam shumë i lumtur që kjo do të diskutohet sot, në prani të të gjithë aktorëve kryesorë. 

Në të njëjtën kohë, nuk duhet të humbasim kurrë nga sytë objektivin e përgjithshëm - domethënë, të ruajmë integritetin dhe pavarësinë e sistemit të drejtësisë. 

Një gjyqësor i pavarur është një nga shtyllat e demokracisë dhe një parakusht themelor për pranimin në BE. 

Duke parë rezultatet e vetingut deri tani, në shumicën e rasteve kur gjyqtarët dhe prokurorët janë shkarkuar, kjo nuk është bërë për arsye të mungesës së performancës apo profesionalizmit, por kryesisht për çështje që lidhen me integritetin. 

Për të forcuar integritetin dhe për të ruajtur pavarësinë, institucionet vetëqeverisëse të drejtësisë - në bashkëpunim të ngushtë me Shkollën e Magjistraturës dhe me mbështetjen e Ministrisë së Drejtësisë - duhet të tregojnë udhëheqje politike, si dhe të investojnë kohë dhe burime. 

Reforma në drejtësi është dhe do të mbetet një nga përparësitë kryesore për BE-në në Shqipëri. Investimi i BE-së në sektor flet vetë: 50 milionë euro janë investuar deri tani. 

Ndërsa po hyjmë në një fazë të re konsolidimi, është gjithashtu koha që BE-ja ta përshtatë ndihmën tonë. Një fazë e re ndihme më të shënjestruar për institucionet e ndryshme gjyqësore dhe për Ministrinë e Drejtësisë do të jetë funksionale në fillim të vitit të ardhshëm me një buxhet shtesë prej 9 milionë eurosh. 

Ndihma nga kolegët dhe shkëmbimet me homologët evropianë janë gjithashtu mjete vendimtare në këtë fushë. Dhe një shembull i mirë është bashkëpunimi me Rrjetin Evropian të Këshillave të Gjyqësorit, presidentin e të cilit, z. Filippo Donati, e kemi këtu sot. Sigurimi i praktikave më të mira të BE-së për institucionet e pavarura të drejtësisë së Shqipërisë është rruga e duhur. 

Afrimi i mëtejshëm i Shqipërisë me BE-në ka qenë angazhimi im personal që nga ardhja ime tre vjet më parë dhe do të jetë deri sa të largohem. Sinqerisht, shpresoj që bisedimet e pranimit do të fillojnë shumë shpejt, dhe bashkohem plotësisht me Presidenten Von der Leyen në optimizmin pragmatik që ka treguar gjatë vizitës së saj të rëndësishme në Tiranë, në fillim të kësaj jave, në lidhje me kohën për Konferencën e parë Ndërqeveritare. 

Më lejoni ta përfundoj duke falënderuar gjithë autoritetet e pranishme sot dhe t’ju uroj një diskutim të frytshëm.  

Languages:
Seksionet editoriale: