Shpallen fituesit e Çmimit të BE-së për Integrimin e Romëve në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi për vitin 2021

29.09.2021

Sot, Komisioni Evropian shpalli 14 fituesit e Çmimit të katërt të BE-së për Integrimin e Romëve në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi. Çmimi i këtij viti vlerëson Njerëz të jashtëzakonshëm që promovojnë barazinë përmes punësimit. Fituesit përfshijnë një biznes të pastrimit të dritareve në Shqipëri, Kryqin e Kuq të Malit të Zi dhe Bashkinë e Konakut në Turqinë Perëndimore. Ceremonia e ndarjes së çmimeve u zhvillua në kuadër të Javës së 55-të të BE-së për Romët (27 - 30 shtator 2021). 

Olivér Várhelyi, Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, tha: “Urime të gjithë fituesve për kontributin tuaj për një çështje kaq të rëndësishme! Ju morët nisma të guximshme duke kapërcyer paragjykimet për të nxitur punësimin e romëve. Me veprimet tuaja të shumëllojshme dhe rezultatet tuaja të suksesshme, ju tregoni se përparimi në punësimin e romëve është i mundur. Shpresoj që ky çmim do të ndihmojë për zgjerimin e nismave tuaja si modele për rritjen e punësimit të romëve dhe për t'i bërë shoqëritë tona më të barabarta dhe më të drejta.” 

Nisur në vitin 2014, Çmimi i BE-së për Integrimin e Romëve në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi synon të nxjerrë në pah rëndësinë e integrimit të romëve në procesin e Zgjerimit të BE-së, si dhe të tregojë vendosmërinë dhe angazhimin e BE-së për përmirësimin e përfshirjes sociale të romëve. Me çmimin, BE-ja njeh të gjitha përpjekjet për të fuqizuar romët për të arritur potencialin e tyre të plotë si anëtarë të barabartë të shoqërive ku jetojnë dhe punojnë. Çmimi do të ndihmojë për financimin e projekteve dhe mundësive të ardhshme në dobi të romëve. 

Nga 10-12 milionë romë që jetojnë në Evropë, rreth 1 milion jetojnë në Ballkanin Perëndimor dhe 2.8 milionë në Turqi. Integrimi dhe përfshirja e plotë e romëve është një përparësi kyçe për BE-në dhe nis me punësimin. Integrimi i romëve është një nga kushtet që partnerët e zgjerimit duhet të përmbushin për t'u bërë Shtete Anëtare të BE-së. 

Informacion  

Çmimi i këtij viti i BE-së për Integrimin e Romëve i kushtohet Njerëzve të Jashtëzakonshëm që Promovojnë Barazinë përmes Punësimit. Ai vlerëson nisma private dhe publike që ofrojnë mbështetje, njohje dhe publicitet për papunësinë në komunitetet rome, veçanërisht te gratë, dhe që mbështesin modele pozitive dhe ndihmë praktike. 

Nga 67 aplikimet e paraqitura, janë zgjedhur për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm 14 projekte që përfaqësojnë partnerët e Ballkanit Perëndimor dhe Turqinë. Kandidatët shpesh e vënë veten në rrezik duke qenë modele dhe duke thyer traditat e vendosura. Ata, për shembull: 

  • forcojnë punësueshmërinë e romëve dhe fuqizimin e grave; 

  • ofrojnë udhëzime karriere dhe mbështetje këshilluese për romët, duke ofruar trajnime profesionale dhe praktika pune; 

  • rrisin pjesëmarrjen e qytetarëve romë të informuar në proceset e vendimmarrjes; 

  • përmirësojnë qasjen në të drejtat shoqërore, punësimin cilësor dhe shërbimet publike, si arsimi, kujdesi shëndetësor dhe strehimi; 

  • luftojnë dhunën kundër grave dhe martesat e fëmijëve, duke u mundësuar grave rome të jenë të pavarura; 

  • punojnë me aktorët dhe bizneset e sektorit publik dhe privat për të ndryshuar perspektivën e tyre për romët dhe për të zvogëluar analfabetizmin; 

  • ndihmojë mikro-bizneset pa kolateral, dhe për këtë arsye të papërshtatshëm për kredi biznesi, për të blerë pajisje 

Angazhimi i këtyre organizatave dhe kompanive për të luftuar papunësinë përmes financimit, trajnimit dhe mbështetjes praktike ka përmirësuar perspektivat ekonomike të qindra burrave, grave dhe të rinjve romë, por gjithashtu ka çuar përpara integrimin e romëve në shoqëri në përgjithësi. Çmimi i BE-së për integrimin e romëve synon të rrisë angazhimin politik dhe mbështetjen për përfshirjen e romëve në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi, duke u fokusuar çdo vit në mënyra të ndryshme. Çmimi financohet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga Roma Active Albania. 

Për më shumë informacion