Falkland Islands and the EU

Edicioni i tretë i Ditëve të Medias BE-Ballkani Perëndimor: BE-ja ripohon mbështetjen gjithëpërfshirëse ndaj lirisë së medieve në rajon

Tirana, Albania, 13/09/2019 - 16:11, UNIQUE ID: 190913_11
Press releases

Në edicionin e tretë të Ditëve të Medias BE-Ballkani Perëndimor që po zhvillohet nga 12-13 shtator në Podgoricë, Mali i Zi, Komisioni Evropian konfirmoi mbështetjen e tij për rajonin me nisma të reja që përqendrohen në përgjegjshmërinë e medieve, njohuritë dhe qeverisjen, ekspertizën gjyqësore për lirinë e shprehjes dhe promovimin e pajtimit dhe bashkëpunimit rajonal. Kjo është pjesë e mbështetjes së vendosur të BE-së për lirinë e medias dhe pavarësinë e gazetarisë në Ballkanin Perëndimor dhe mbështet programet rajonale në vazhdim me vlerë prej 20 milion €.

 

Johannes Hahn, Komisioneri për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, komentoi: "Liria e shprehjes dhe liria e medias janë pjesë e vetë themelit mbi të cilin është ndërtuar Bashkimi ynë; ato janë gjithashtu tregues kyç politikë në procesin e anëtarësimit në BE. Duke pasur parasysh zhvillimet shqetësuese në të gjithë rajonin, që nga ndërhyrjet e panevojshme politike deri te përhapja e dezinformatave, Ditët e Medias të këtij viti vendosën në qendër të vëmendjes marrëdhëniet midis medieve dhe politikës dhe hapën rrugën drejt identifikimit të veprimeve konkrete dhe mundësive për të përmirësuar situatën aktuale".

 

Edicioni i tretë i Ditëve të Medias BE-Ballkani Perëndimor mblodhi rreth 350 përfaqësues të medias dhe organizatave të shoqërisë civile, si dhe politikëbërës nga Ballkani Perëndimor dhe BE-ja. Për herë të parë, përfaqësuesit politikë nga rajoni iu bashkuan gjithashtu diskutimeve për rolin thelbësor të medias në procesin e anëtarësimit, që synon zhvillimin e propozimeve dhe veprimeve të fokusuara tek e ardhmja për të përmirësuar situatën e gazetarëve, si dhe për të forcuar mediet e pavarura.

 

Mbështetja e BE-së për median në Ballkanin Perëndimor

Bashkimi Evropian ndjek një qasje strategjike afatgjatë për të mbështetur lirinë e medias në Ballkanin Perëndimor. Ndihma e vazhdueshme e BE-së përfshin një numër programesh dhe nismash të përqendruara në qëndrueshmërinë ekonomike, përgjegjshmërinë e medias dhe rrjetet rajonale që nxisin bashkëpunimin rajonal dhe pajtimin.

Mbështetja e vazhdueshme arrin në mbi 20 milion €, përfshirë 11.5 milion € përmes 5 programeve rajonale dhe 8.2 milion € për nisma në gjashtë vendet partnere të Ballkanit Perëndimor.

 

Programet rajonale:

  • Përforcimi i ekspertizës gjyqësore për lirinë e shprehjes dhe median (2.5 milion €): zbatuar në partneritet me Këshillin e Evropës (CoE), programi ofron mbështetje për gjyqësorin në zbatimin e sistemit gjyqësor të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe ofron trajnim për rregullat etike për autoritetet rregullatore të medieve.
  • Programi Rajonal i Trajnimit për të përmirësuar cilësinë dhe profesionalizmin e gazetarisë (2 milion €): mbështet një rrjet rajonal të udhëhequr nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative (BIRN) për të përmirësuar arsimimin e gazetarisë dhe për të promovuar shkëmbime midis gazetarëve dhe akademikëve nga BE-ja dhe Ballkani Perëndimor. Skema Rajonale e Çmimeve të BE-së për Gazetarinë Investigative është financuar në këtë kuadër.
  • Ndërtimi i Mirëbesimit në Media (1.5 milion €): zbatuar në partneritet me UNESCO-n, programi mbështet përgjegjshmërinë e medias, qeverisjen e brendshme të medias dhe njohuritë e medias për informacionin.
  • Grant i drejtpërdrejtë për Ndihmën Evropiane për Demokracinë (4 milion €): Skemë fleksibël e ri-granteve për median dhe mbështetje pro-demokracisë në mjedise që ndryshojnë me shpejtësi.
  • Programi i Asistencës Teknike për të mbështetur Median e Shërbimit Publik në Ballkanin Perëndimor (1.5 milion €): zbatuar nga një konsorcium i udhëhequr nga Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve dhe Bashkimi Evropian i Transmetimit. Projekti promovon modele të qëndrueshme për financim, zgjedhje transparente të organeve qeverisëse, redaksi të integruara, udhëzime editoriale, bashkëprodhim rajonal të programeve për rininë dhe gazetarinë investigative.

 

Ndër 8.2 milion Euro mbështetje në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor ne aktualisht po zbatojmë nisma të tilla si: Drejt marrëdhënieve të përmirësuara të punës dhe profesionalizmit në median shqiptare; Hartëzimi i të drejtave të njeriut në media duke respektuar pozicionet e qytetarëve, shtresat e cenueshme të shoqërisë dhe komunitetin e medias në Bosnjë dhe Hercegovinë; Mbështetja e medias dhe gazetarisë së pavarur me një perspektivë të të drejtave të njeriut në Kosovë; Drejt gazetarisë investigative më profesionale dhe më të besueshme në Malin e Zi; Lajmet dhe projekti i njohurive digjitale: Ku dështojnë lajmet e rreme (Maqedonia e Veriut); Kontratat e asistencës teknike për dy transmetuesit publikë në Serbi.

 

Për më shumë informacion:

Faqja e internetit Ditët e Medias BE-Ballkan Perëndimor

Të dhëna - Mbështetja e BE-së për Median në Ballkanin Perëndimor

Paketa e Zgjerimit 2019 e BE-së - Liria e shprehjes

Lidhje me video mesazhin e Komisionerit Hahn 

Lidhje me fjalën e hapjes të Drejtorit të Përgjithshëm Danielsson

Lidhje në faqen e internetit DG Near

Languages:
Seksionet editoriale: