Falkland Islands and the EU

Fjalimi i Ambasadorit të BE-së Luigi Soreca në konferencën "Krijimi i një të ardhme të përbashkët" në Ohër, Maqedonia e Veriut

Albania, 10/07/2019 - 20:19, UNIQUE ID: 190710_18
Speeches of the Ambassador

I dashur Ministër Milevski,

I dashur Kryebashkiak Georgieski,

I dashur Samuel,

Shkëlqesi,

Zonja dhe zotërinj,

Nuk mund të kishte moment më të mirë për mua që të mblidhesha këtu mes miqsh vetëm pak ditë pasi ana shqiptare e liqenit të Ohrit u shënua në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Duke e shtrirë nominimin në një të tretën e liqenit të Ohrit që ishte lënë jashtë përcaktimit, integriteti i liqenit tani përforcohet ndjeshëm.

BE-ja ka qenë një përkrahëse e fuqishme e ofertës me një projekt prej 1.7 milion € që mbështet të dy vendet në përpjekjet e tyre për të mbrojtur trashëgiminë kulturore dhe natyrore të rajonit të liqenit të Ohrit. Projekti ndihmoi gjithashtu për përgatitjen e dosjes së UNESCO-s të autoriteteve shqiptare. Ndaj, para se të nisim konferencën e sotme, dua të shpreh përgëzime të forta për të gjithë ata që u përfshinë në kandidaturën për këtë lajm dhe sukses të madh.

Historia dhe menaxhimi i liqenit të Ohrit tregon se kufijtë nuk duhet të jenë pengesa mes njerëzve, por vende ku zhvillohet dialogu dhe bashkëpunimi ndërmjet komuniteteve.

Bashkëpunimi territorial përtej kufijve është po aq i rëndësishëm për politikën tonë të zgjerimit sot sa ç’ka qenë edhe për ndërtimin e vetë Bashkimit Evropian. Ai i sjell njerëzit më afër, lehtëson ndarjen e ideve dhe aseteve, si dhe inkurajon bashkëpunimin strategjik drejt qëllimeve të përbashkëta politike dhe ekonomike.

Në Evropën Juglindore, bashkëpunimi ndërkufitar mbulon rreth 3.000 km të kufijve mes vendeve pjesëmarrëse. Zonat e pranueshme përfaqësojnë 35% të sipërfaqes së tyre dhe 36% të popullsisë së tyre. Si dëshmi për angazhimin e BE-së ndaj programeve ndërkufitare, buxheti ka vazhduar të rritet përgjatë viteve. Sot, financimi i përgjithshëm i BE-së për bashkëpunimin territorial në rajon arrin në 100 milion Euro. Ai arrin shumën prej 242 milionë Euro po të merren parasysh kontributet e Shteteve Anëtare.

Programi ndërkufitar mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë është shembull i një bashkëpunimi shumë të suksesshëm ndërkufitar që i bashkon vendet në nivel social dhe ekonomik.

Në Ohër është e lehtë të kuptohet pse bashkëpunimi ndërkufitar ka kaq përparësi. Në secilën anë të kufirit shqiptar dhe atij të Maqedonisë së Veriut janë disa nga pjesët më të bukura të të dy vendeve, që duhet të jenë në hartën e çdo turisti që viziton rajonin. Potenciali turistik i kësaj zone është ende i nënvlerësuar dhe do të rritet vetëm me lidhje më të mirë dhe bashkëpunim më të mirë.

Konferenca e sotme shënon gjithashtu një rast për të reflektuar se si ta bëjmë bashkëpunimin më efikas. Dallimet në institucionet politike, sistemet administrative dhe procedurat, strukturat ligjore ose standardet teknike dhe mjedisore mund ta bëjnë sfidues bashkëpunimin ndërkufitar. Teoritë flasin për nevojën për një "shtytje të madhe" dhe një "ngritje" të shpejtë. Ne e dimë tani se nuk është kaq e thjeshtë. Bashkëpunimi i mirë kërkon kohë dhe ka nevojë për përgjegjësi të fortë nga të gjithë aktorët e përfshirë.

Bashkëpunimi ndërkufitar është për ne instrumenti kryesor për të punuar në nivel vendor. Ai ka ndikime të drejtpërdrejta dhe të prekshme në komunitetet vendore dhe sjell burime financiare shtesë të nevojshme për nivelin vendor. Bashkëpunimi i ardhshëm ndërkufitar do të duhet të mbështetet gjithnjë e më shumë në përfshirjen e institucioneve vendore. Ato janë në pozicionin më të mirë për të garantuar vazhdimësinë dhe qëndrueshmërinë e rezultateve të projektit.

Zonja dhe zotërinj,

Thuhet shpesh se bashkëpunimi është bindja se askush nuk mund të arrijë atje nëse nuk arrijnë të gjithë. Ne e mirëpresim ngrohtësisht angazhimin e qeverive të Maqedonisë së Veriut dhe të Shqipërisë për zbatimin e këtyre programeve së bashku.

Bashkëpunimi ndërkufitar krijon lidhje mes njerëzve, i afron vendet më pranë standardeve të BE-së, ndërton besimin dhe fare thjesht,  e bën jetën jetën e përditshme të komuniteteve në secilën anë të kufirit më të mirë dhe më të lehtë.

Faleminderit!

Languages:
Seksionet editoriale: