Bermuda and the EU

Më shumë njohuri dhe aftësi për rrugë më të mira në Shqipëri

05/11/2019 - 09:56
News stories

Në mënyrë metaforike, rrjeti rrugor shpesh krahasohet me '' venat e një vendi ''. Kështu, një vend me një rrjet të dobët rrugor i ngjan një trupi që ka nevojë për kujdes urgjent. Dihet se ekzistenca e një infrastrukture me cilësi të lartë përbën një nga faktorët më të rëndësishëm për një zhvillim të shëndetshëm ekonomik. Ajo mundëson kushtet për tërheqjen e investitorëve dhe rritjen e bizneseve të reja, në mënyrë që dhe zonat më pak të zhvilluara të lulëzojnë.

albania transportation

Për Shqipërinë, transporti i mirë rrugor është çelësi për të patur një sektor të zhvilluar turizmi. Turistët e kanë të më të lehtë të udhëtojnë në rrugë cilësore nëpër Shqipëri, për të zbuluar perlat e fshehura: parqet arkeologjike e natyrore të mahnitshme, trashëgiminë e pasur kulturore, plazhet e paprekura, kuzhinën tradicionale mbresëlënëse dhe mikpritjen bujare të popullit shqiptar.

Qytetarët që shkojnë në punë dhe ata që drejtojnë ekonominë, gjithashtu kanë nevojë për rrugë të mira, dhe po kështu kanë nxënësit e studentët që duhet të shkojnë në shkollë çdo ditë. Rrugët i mbajnë komunitetet dhe njerëzit së bashku, duke krijuar atë lidhje që siguron përparimin e nje vendi.

Shqipëria, po bën hapa përpara drejt integrimit në Bashkimin Evropian, duke përmirësuar gjithashtu dhe standardet e transportit rrugor. Këto masa kontribuojnë në përmirësimin e lidhjes mes qyteteve dhe rrisin shkëmbimet ekonomike me vendet fqinje. Në të njëjtën kohë, po merren masa efikase për forcimin e institucioneve që janë përgjegjëse për transportin rrugor dhe për të përafruar ligjet shqiptare me legjislacionin e BE-së në fushën e transportit. Po bëhen përpjekje për të rritur kapacitetet e ekspertëve të përfshirë në planifikimin, zbatimin dhe monitorimin e ligjeve për transportin rrugor. Aktualisht, nëpunës civilë po trajnohen nga ekspertë të huaj për të menaxhuar kontratat në sektorin e ndërtimit të rrugëve, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe direktivat e BE-së.

Aktualisht, BE-ja po mbështet Qeverinë e Shqipërisë përmes programeve të ndryshme të zhvillimit dhe asistencës teknike. Aktualisht, po zbatohet një projekt i posaçëm, i financuar nga BE-ja për forcimin e kapaciteteve në sektorin e transportit, i cili fokusohet në nevojat kryesore në fushën e transportit. Ai mundëson një seri aktivitetesh trajnimi për 30 pjesëmarrës nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, specialistë nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave dhe Autoriteti Rrugor në Shqipëri, si përfituesit kryesorë. Përfaqësues të Kryeministrisë dhe Agjencisë së Prokurimit Publik po përfitojnë gjithashtu nga kjo nismë, e cila do të zgjasë deri në shkurt të vitit 2020.

Këto aktivitete janë të strukturuara në katër module trajnimi, të ofruara nga një ekip ekspertësh ndërkombëtarë gjatë periudhës maj-tetor 2019. Gjatë modulit të parë, pjesëmarrësit u njohën me parimet dhe elementët programatikë për hartimin dhe zbatimin e projekteve në sektorin e transportit rrugor. Tre modulet e tjera janë përqendruar në aspektet e ndryshme të projekteve të këtij sektori, si ato financiare, të prokurimit dhe ligjore, si dhe aspekte të monitorimit dhe zbatimit gjatë gjithë kohëzgjatjes së një kontrate. Po organizohen gjithashtu udhëtime studimore dhe trajnime në aspekte praktike të punës, për t'u dhënë pjesëmarrësve aftësi praktike dhe njohuri për praktikat më të mira në sektorin rrugor.

Pjesëmarrësit e përfshirë në këtë nismë theksojnë rëndësinë e këtij programi i cili kontribuon në rritjen e rezultateve në punë së tyre. Ata vlerësojnë metodologjinë e përdorur gjatë trajnimit, e cila bazohet në sesione gjithëpërfshirëse dhe në procesin e nxënies nëpërmjet praktikës. Vlera e shtuar e këtij trajnimi, bazuar në një metodë interaktive dhe mësimin nëpërmjet punës, qendron në mundësinë e ofruar që ata të zhvillojnë aftësi praktike për parashikimin, planifikimin dhe aspektet operative të kontratave në sektorin e transportit rrugor. Për më tepër, përmbajtja e trajnimit është përshtatur për nevojat e pjesëmarrësve. Ajo parashikon zhvillimin e aftësive përmes përfshirjes së tyre të drejtpërdrejtë në formulimin e përkufizimeve dhe zgjidhjeve të problemeve, të cilat do të shërbejnë si referencë në punën e tyre në të ardhmen.

 

Languages:
Seksionet editoriale: