Delegation of the European Union to Uzbekistan

Europe House në Shkup mbush dy vjet - dhe feston me një muaj aktivitete!

03/11/2021 - 18:17
News stories

Të rinjtë do të jenë në qendër të ngjarjeve që shënojnë ditëlindjen e dytë të Europe House në Shkup – një brend që në vitin 2021 u zgjerua me qendra edhe në Kriva Pallankë dhe Strumicë. Do të ketë muzikë, debate, shfaqe teatrale, aksione të gjelbra dhe më shumë.

 

Më 4 nëntor 2019, Kryetari i Parlamentit Evropian David Sassoli përuroi Europe House si një vend ku të rinjtë mblidhen, rrjetëzohen dhe luajnë një rol aktiv në formësimin e së ardhmes së tyre.

Me rastin e ditëlindjes së dytë të Europe House, Delegacioni i BE-së u jep të rinjve nga Maqedonia e Veriut një hapësirë ​​edhe më të madhe për të dëgjuar zërin e tyre – duke nisur një seri bisedimesh në kontekstin e Konferencës vijuese për Ardhmërinë e Evropës.

Në eventin e parë (që do të transmetohet drejtpërdrejt në https://www.facebook.com/EuropeHouseSkopje/), Ambasadorët e Rinj Evropian, aktivistët dhe Sekretari i Përgjithshëm i Federalistëve të Rinj Evropianë do t'i njohtojnë pjesëmarrësit e rinj me mënyrat si mund t'i bashkangjiten debatit dhe së bashku me moshatarët e tyre nga e gjithë Evropa, të ndihmojnë në gjetjen e përgjigjeve të duhura ndaj sfidave të përbashkëta. Konferenca për të Ardhmen e Evropës është një proces konsultimi që Parlamenti Evropian, Këshilli dhe Komisioni Evropian filluan pranverën e kaluar, në mënyrë që qytetarët evropianë nga të gjitha sferat e jetës të mund të paraqesin pikëpamjet e tyre mbi sfidat dhe prioritetet e Evropës. Qytetarët e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor ndajnë një histori, kulturë dhe një të ardhme të përbashkët – prandaj është e natyrshme që qytetarët e rajonit të jenë pjesë e debatit.

Por shënimi i përvjetorit nuk do të kufizohet vetëm në 4 nëntor - ai do të shtrihet gjatë gjithë muajit.

Marrëveshja e Gjelbër, një prioritet kryesor për BE-në, do të jetë tema e një ngjarjeje rrjetëzimi që përfshin ambasadorin Dejvid Gir dhe aktivistë vendas për mjedisin. Kjo do të mbahet më 20 nëntor në kopshtin e parë të komunitetit në Shkup, i zhvilluar nga Organizata qytetare Arka e Gjelbër dhe i kultivuar së bashku me banorët vendas.

Dita Ndërkombëtare kundër dhunës dhe bullizmit në shkollë, përfshirë bullizmin kibernetik, do të shënohet me një shfaqje tematike në Teatrin për fëmijë dhe të rinj të Shkupit. Shfaqjet në repertorin e nëntorit të Teatrit do të shfaqen si pjesë e programit të ditëlindjes së Europe House.

Ambasadori Gir do të takohet me operatorët kulturorë në Qendrën Kulturore Rinore më 17 nëntor, në një ngjarje që do të përfshijë gjithashtu një ekspozitë me punime të studentëve të dizajnit grafik dhe një performancë të Filip Bukrshliev, i cili u shpall muzikanti më i mirë i ri i xhazit në edicionin e fundit të Festivalit të Xhazit në Shkup.

Dhe do të ketë edhe më shumë muzikë. Dixhejët do të argëtojnë vizitorët (duke respektuar protokollet kundër Covid-19) në Bistro Komedija,dhe në kafiteritë MAKKA, Izlet dhe Kotur në mbrëmjet e 4-6 Nëntorit. Gjithashtu, një koncert online i grupeve rock të shkollave të mesme do të zhvillohet më 16 nëntor.

Që të jeni në rrjedha me programin tonë, na ndiqni në (https://www.facebook.com/EuropeHouseSkopje/). Ndani mendimet tuaja, shijoni artin dhe argëtohuni!